Policia refuzon kandidatët me tatuazhe

Kronika April 25, 2018 - 08:05
Lexo detajet

E.K., nga komuna e Gjilanit, i ka thënë gazetës “Zëri” se për shkak të një tatuazhi nuk ka mundur ta dorëzojë dokumentacionin në konkursin e shpallur nga Policia e Kosovës për pranimin e pjesëtarëve të rinj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për shkak të një tatuazhi në një pjesë të trupit E.K., nga komuna e Gjilanit, nuk ka mundur ta dorëzojë dokumentacionin në konkursin e shpallur nga Policia e Kosovës (PK) për pranimin e pjesëtarëve të rinj.

“Të hënën kam shkuar ta dorëzoj dokumentacionin në Qendrën Policore në Gjilan, por ma kanë refuzuar për shkak të një tatuazhi të vogël që kam në trup. Zyrtari që po merrej me pranimin e dokumenteve të kandidatëve më ka pyetur nëse kam tatuazh dhe pasi e pohova një gjë të tillë, ai më tha se nuk më pranohen dokumentet”, ka thënë për gazetën “Zëri” E.K., emër i njohur për redaksinë. 

LEXO EDHE: Emrat e kandidatëve për drejtor të burgjeve shkojnë në Qeveri

Ai i vlerëson si të padrejta kriteret e tilla të Policisë së Kosovës, pasi njeh shumë pjesëtarë të Policisë që kanë tatuazhe.

“Kam menduar që është vetëm kriter formal, duke shtuar edhe faktin që tatuazhi im nuk gjendet në pjesë të dukshme të trupit. Kam bërë edhe ankesë pasi ky kriter nuk ka qenë në vitet e kaluara, pse duhet të shtohet tani?”, ka thënë ai për gazetën “Zëri.

Policia: Kriteret parashihen me ligj 

Por zyrtarë të Policisë së Kosovës, të pyetur për këto kritere, kanë deklaruar për “Zërin” se konkursi është i bazuar në legjislacion. 

“Konkursi i shpallur është bazuar në legjislacion, duke përfshirë kushtet dhe të gjitha kriteret e parapara me ligj dhe me udhëzime administrative. Pra, çdo kriter apo testim i paraparë në këtë konkurs është i bazuar në ligjet e aplikueshme dhe në udhëzimet administrative të PK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata po ashtu kanë cekur ligjet në bazë të të cilave janë krijuar kriteret për aplikim, duke mos dhënë më shumë detaje për këto dy kritere. Ndërsa të pyetur se përse kriteri për tatuazhet nuk ka qenë në konkurset e viteve të kaluara, si dhe nëse ka ndonjë zyrtar policor që është pranuar në punë në mungesë të këtij kriteri, zyrtarë nga Policia e Kosovës nuk janë përgjigjur.

Kalaja: Asnjë ligj i Kosovës nuk përjashton kandidatët me tatuazhe

Drejtori i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit, Fidan Kalaja, për “Zërin” ka potencuar se me ligj tatuazhet nuk të përjashtojnë nga punësimet.

“Në asnjë ligj të Kosovës, në asnjë udhëzim administrativ sa i përket punësimit në sektorin publik nuk parashihet që tatuazhet janë elemente që përjashtojnë një kandidat nga një pozitë. Ne besojmë që të dyja këto kritere, edhe ai i moshës, edhe ai për tatuazhe janë kritere diskriminuese për kandidatët potencialë, të cilët mund të aplikojnë për këtë pozitë”, ka thënë Kalaja.

Sipas tij, i tërë ky proces është vetëm lojë nga institucionet e sigurisë, të cilët po dëmtojnë funksionimin e Policisë së Kosovës.

“Kjo është loja që po bëhet nga institucionet, në këtë rast nga ato të sigurisë, të cilët hapin konkurse pa respektuar bazën ligjore. Janë dy pasoja që parashihen, ose duhet të anulohen këto konkurse, ose nëse vazhdohet me këto procedura dhe me pranimin e kandidatëve në bazë të këtyre procedurave, atëherë institucioni i Policisë së Kosovës mund të dëmtohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe Avokati i Popullit dhe institucionet e drejtësisë duhet të vihen në funksion në trajtimin e këtyre shkeljeve që janë bërë me këtë konkurs.
Edhe njohësi i çështjeve juridike Anton Nrecaj ka thënë për “Zërin” se si kriter për punësim nuk duhet të jetë mospasja e tatuazheve, sepse kjo bie ndesh me Ligjin Kundër Diskriminimit.

“Kodi i Etikës së Policisë përcakton se si duhet të sillen dhe të vishen zyrtarët e Policisë. Kurse sa i përket kritereve për punësim nuk është e përcaktuar se a duhet të ketë tatuazhe apo jo, momentin kur përcaktohet diçka e tillë, atëherë bie ndesh me Ligjin Kundër Diskriminimit”, ka thënë ai.

Baraliu: Kriteret mund të jenë interne të Policisë

Në anën tjetër Mazllun Baraliu, një nga themeluesit e Akademisë së Policisë së Kosovës, për “Zërin” ka thënë që këto kritere mund të jenë pjesë e dokumenteve interne të Policisë së Kosovës, të cilat nuk janë të hapura për publikun.

“Në bazë të përgjegjësive që ka Policia si organ i veçantë dhe tepër i rëndësishëm ata kanë edhe aktet normative nënligjore dhe kanë të ashtuquajtur parimet dhe procedurat që janë formuar ndërkombëtarisht nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, në të cilat janë të parapara saktësisht të gjitha detyrat dhe kriteret që duhet t’i kryejë një zyrtar policor”, ka thënë Baraliu.

Përndryshe, Neni 16 i Kodit Etik të Policisë thotë se kriteret për punësim në Policinë e Kosovës duhet të jenë objektive dhe jodiskriminuese.

“Procedurat e punësimit duhet të bazohen në kritere objektive dhe jodiskriminuese, të cilat zbatohen pas verifikimit të nevojshëm të kandidatëve, duke përfshirë kontrollimin mjekësor. Përveç kësaj, Policia do të synojë të punësojë meshkuj dhe femra nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë grupe të pakicave etnike me qëllim që përbërja e personelit policor të reflektojë në shoqërinë, së cilës ata i shërbejnë”, thuhet në këtë Nen.