Bordi i ri: “Trepça” do të funksionojë si tërësi

Ekonomia April 20, 2018 - 08:00
Lexo detajet

Në mbledhjen e parë të Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” kryesuesi Ardian Syla ka siguruar se transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të “Trepçës” do të jetë prioritet gjatë punës së Bordit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Është mbajtur mbledhja e parë e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, e cila është emëruar me një vendim të Qeverisë së Kosovës më 4 prill.

Gjashtë anëtarët shqiptarë të Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” kanë konstatuar se duhet punuar me përkushtimin më të madh në mënyrë që gjiganti ekonomik kosovar të funksionalizohet sipas Ligjit për “Trepçën”, të miratuar në Kuvendin e Kosovës 17 muaj më parë.

LEXO EDHE: Reforma, para zgjedhjeve

Për 17 muaj dy qeveritë e Kosovës, ajo “Mustafa” dhe ajo “Haradinaj”, nuk kanë arritur ta formojnë Bordin Mbikëqyrës, i cili pastaj do ta zgjedhë bordin menaxhues.

Pa Bordin Mbikëqyrës nuk ka mundur as të zbatohet Ligji për “Trepçën”.

Mbledhja e Bordit Mbikëqyrës është mbajtur vetëm me anëtarët shqiptarë, pasi serbët nuk kanë kandiduar fare për Bord, ndonëse konkursi ka qenë i hapur.

Atyre u takon edhe një anëtar i Bordit Menaxhues, por serbët e veriut kanë thënë qartë se ata nuk do të jenë pjesë e asnjërit prej bordeve të “Trepçës”, ndërkohë që e kanë kundërshtuar Ligjin për “Trepçën”, duke siguruar se “Trepça” në veri nuk do ta zbatojë Ligjin për “Trepçën”.

Vetë drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, për të cilin ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se është shkarkuar pasi i ka përfunduar mandati, ndërsa punët menaxheriale kanë kaluar te drejtori financiar dhe zëvendësi i tij ka ripërsëritur se “Trepça” është pasuri dhe pronë e Serbisë dhe se nuk do t’u bindet vendimeve të Prishtinës.

Serbët vlerësojnë se “Trepça” në veri me minierat Cernac, Belloberdo dhe Metalurgjia e Plumbit në Zveçan do të menaxhohen nga serbët e veriut dhe nga shteti i Serbisë. Mu për këtë shkak serbët nuk kanë konkurruar fare në konkursin për Bordin e “Trepçës”, ndonëse u takojnë 3 anëtarë të Bordit.\

Nëpërmes një komunikate për medie të zëvendësmenaxherit të “Trepçës”, Miftar Hyseni, thuhet se Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça sh.a., i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të vendimit të datës 04.04.2018, në pajtim me Ligjin për “Trepçën”, i kryesuar nga kryesuesi Ardian Syla dhe anëtarët Naser Peci, Feriz Fetahu,  Xhafer Nuli, Shyqyri Sadiku dhe Esat Peci, më datë 18.04.2018 ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive.

“Bordi Mbikëqyrës i ‘Trepça’ sh.a. dhe menaxhenti aktual i ndërmarrjes janë zotuar se do të punojnë në zbatimin e detyrave të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe zhvillimin e ndërmarrjes duke rimëkëmbur gjigantin ‘Trepça’. Transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të ‘Trepçës’ do të jenë prioritet gjatë punës se Bordit Mbikëqyrës. Ndërmarrja ‘Trepça’ sh.a. do të funksionojë si tërësi”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e parë që ka pasur me 6 anëtarët shqiptarë të Bordit të “Trepçës” ka thënë se “Trepça” duhet të ringjallet, duke siguruar se viti 2018 do të jetë vit i “Trepçës”. Ky Bord, i cili do ta zgjedhë Bordin Menaxhues të “Trepçës” në të cilin do të jetë një serb, ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë në “Trepçën” në veri, ashtu siç ka thënë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.  

Ndryshe, Ligji për “Trepçën” është miratuar në dhjetorin e vitit 2016, por përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës nuk e kanë pranuar, duke vlerësuar se ligji është miratuar në mënyrë jokushtetuese, pa pjesëmarrjen e tyre dhe se janë anashkaluar interesat e bashkësisë serbe dhe në këtë mënyrë patën ngrirë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.

Ishin organizuar pastaj një varg protestash të menaxhmentit dhe të punëtorëve të “Trepçës” në veri, si dhe ishte organizuar një mbledhje e kryetarëve dhe asamblistëve të komunave veriore. Ata kishin dërguar në Kushtetuese Ligjin për “Trepçën”, duke kërkuar interpretim kushtetues të ligjit, por Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë kërkesën e tyre.

Gjiganti kosovar  “Trepça” brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve. 

17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 objekte të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.