Reforma, para zgjedhjeve

Aktuale April 20, 2018 - 07:54
Lexo detajet

Opozita tash e disa javë po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, por sipas raporteve të organizatave vendore e ndërkombëtare që merren me monitorim të zgjedhjeve së pari duhet të bëhet një reformë zgjedhore. Kjo kërkesë është bërë edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, i cili u publikua të martën, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Anëtarët e shoqërisë civile konsiderojnë se është afati i fundit për reformë zgjedhore dhe reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse e t’i eliminojë gabimet e zgjedhjeve të kaluara.

LEXO EDHE: S'ka Asociacion të njëanshëm

Dushi: Qeveria dhe Kuvendi duhet të angazhohen për reformën zgjedhore

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, në një prononcim për gazetën “Zëri” e ka kritikuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës  për mosfunksionalitet.

“Në kushte të funksionimit të mirë të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës do të duhej të angazhohemi që reforma zgjedhore, e domosdoshme në disa segmente, të përmbyllet si proces dhe pastaj të organizohen zgjedhje në të cilat edhe do të mundë të implementoheshin ndryshimet e bëra”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, reforma zgjedhore është e nevojshme sepse ajo është derivat i Pakos së Ahtisaarit dhe me këtë reformë do të evidentoheshin problemet e zgjedhjeve të kaluara.

“Që nga aprovimi dhe hyrja në fuqi e ligjeve (2008) në Kosovë janë mbajtur disa zgjedhje, të përgjithshme apo lokale, prandaj edhe institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve (KQZ), shoqëria civile, vëzhguesit ndërkombëtarë (të BE-së), por edhe vetë subjektet politike kanë arritur të identifikojnë një numër të lëshimeve që duhet të evitohen me ndryshime të legjislacionit aktual dhe kjo ndikonte pozitivisht në sistemin zgjedhor”, ka thënë ai.

Tutje, Dushi ka deklaruar se kjo reformë do të përfshinte aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor. “Aspektet që ndërlidhen me fushatën zgjedhore, organizimin e zgjedhjeve dhe sidomos çështjet që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë gjatë numërimit të votave, saktësisht gjatë përpilimit të rezultateve. Do të jenë pjesë e kësaj reforme”, ka shtuar ai.

 

 

Xhoshi: Është koha optimale për reformë

 

Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Betim Xhoshi, reformën zgjedhore e konsideroi si nevojë urgjente për vendin.“Është koha optimale që Kuvendi i Kosovës të shkojë me reformë zgjedhore. Disa herë kam apeluar te Kuvendi i Kosovës që puna e parë që duhet të bëhet janë reformat zgjedhore, nxjerrja e ligjeve të reja që rregullojnë fushën e partive politike, si dhe financimin e tyre”, ka thënë Xhoshi.

 

Sipas tij, vonesat të cilat janë bërë do të ndikojnë në procesin e ardhshëm zgjedhor. “Çdo ditë e humbur na sjell pengesa që Kosova të përgatitë zgjedhje sa më të mira. Duhen minimalisht dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, gjashtë muaj të përfundojë pakoja e ndryshimeve të ligjeve zgjedhore që institucionet implementuese të këtyre ligjeve të familjarizohen me to dhe të bëjnë zbatimin e tyre”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”   

 

 

Ismaili: Reforma zgjedhore është e nevojshme të bëhet para zgjedhjeve

Valmir Ismaili, nga organizata Demokracia Plus, ka thënë se nuk është mirë që të shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore.

“Kurdo që Kosova organizon zgjedhje po shihet nevoja për një reformë zgjedhore. Këtë e thonë vetë subjektet politike, raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare që merren me monitorim të zgjedhjeve. Edhe Raporti i fundit i Progresit thotë që Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa u bërë një reformë zgjedhore”, ka thënë Ismaili.

Sipas tij, një reformë e tillë do të ndikonte që të evidentoheshin problemet të cilat janë shfaqur në herët e kaluara.

“Mangësitë me listën e votuesve, afatet kohore, menaxhimi i ditës së zgjedhjeve, numërimi i shpalljes së rezultateve, financat e partive politike gjatë fushatës dhe çështje tjera të ndryshme do të eliminoheshin, do të mundë të diskutohej edhe çështja e krijimit të zonave zgjedhore”, ka thënë ai. 

Sipas Ismailit, Kosova do të duhej që këtë reformë ta fillonte qysh pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Institucionet që do të mundë të prekeshin nga ndryshimet në legjislacion si KQZ-ja, PZAP-i apo QNR-ja do të kishin kohë të mjaftueshme të adaptoheshin me legjislacionin e ri. Përderisa në anën tjetër do të kishte edhe kohë të mjaftueshme edhe për informim të qytetarëve për ndryshimet eventuale që do të prekte edhe mënyrën e votimit”, ka shtuar ai.

Cakolli: Duhet reformë gjithëpërfshirëse

 Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),  për “Zërin” ka thënë se pavarësisht rëndësisë kjo çështje është lënë qëllimisht pas dore.

“Një ndër çështjet më me rëndësi, e cila është lënë pas dore qe një kohë të gjatë, është reforma zgjedhore. Edhe pse e filluar qysh gjatë legjislaturës së katërt, reforma është zvarritur qëllimisht nga subjektet në pushtet”, ka thënë Cakolli.

Ai po ashtu tha që reforma duhet të jetë prioritet i legjislaturës dhe të jetë gjithëpërfshirëse.

“Reforma zgjedhore të kryhej çdo dy palë zgjedhjesh, në mënyrë që të evitohen parregullsitë eventuale përgjatë proceseve. Një nga prioritetet e kësaj legjislature do të duhej të ishte përfundimi i reformës, që si proces ishte iniciuar së fundmi nga president Thaçi. Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, ka përfunduar Cakolli.