Sërish anulohet konkursi për drejtor të Mjekësisë Ligjore

Ekonomia April 18, 2018 - 08:02
Lexo detajet

Dështon për herë të dytë konkursi për drejtor të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se konkursi është anuluar javën e kaluar në mungesë të kandidatëve për këtë pozitë. Në anën tjetër, kandidatët thonë se nuk janë njoftuar për këtë gjë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka marrë vendim që konkursi për drejtor të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore të anulohet dhe të bëhet rihapja e konkursit.

Këtë vendim ministri Yagcilar e ka marrë javën e kaluar në mungesë të kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret për këtë pozitë. Lajmin për anulimin e konkursit për drejtor të Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka bërë të ditur vetë ministri Yagcilar për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për këtë pozitë dhe për këtë do të ketë ripërtëritje të konkursit.

LEXO EDHE: “Kryespiuni” duhet të zgjidhet para 1 majit

“Janë vetëm dy kandidatë që i plotësojnë kriteret për këtë pozitë. Duhet së paku pesë kandidatë të jenë në fillim, në fund mund të procedohen tre ose dy kandidatë, por për të filluar procedurat e në njëfarë mënyre të bëhet gara për t’i zgjedhur tre së paku duhet të jenë pesë kandidat që i plotësojnë kriteret”, ka thënë ministri Yagcilar.

Derisa nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për këtë pozitë, sipas tij, nuk mund të vazhdohet më tutje.

“Së paku në fillim për të hyrë në procedurë do të ishte mirë të jenë pesë kandidatë që i plotësojnë kriteret, pastaj ministri procedon tre kandidatët më të suksesshëm, pasi duhet të bëhet garë në këtë pozitë. Derisa nuk ka kandidatë të mjaftueshëm, atëherë ne nuk mundemi të procedojmë kështu”, shprehet ai. Vendimi për anulimin e këtij konkursi për herë të dytë, sipas ministrit, është marrë javën e kaluar.

Gërxhaliu: Shumë punë kanë ngecur në IML

Por, për anulimin e këtij konkursi ende nuk janë njoftuar kandidatët, të cilët kanë aplikuar për pozitën e të parit të drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Drejtori aktual i këtij Instituti, Arsim Gërxhaliu, i ka thënë gazetës se nuk është në dijeni që konkursi është anuluar. Gërxhaliu e vlerëson si të dëmshëm zvarritjen e këtij procesi.

“Shumë punë që do të duhej të shtyhen me implementimin e Ligjit për Mjekësi Ligjore kanë ngecur”, shprehet ai. Por, pavarësisht kësaj zvarritjeje Gërxhaliu thotë se përsëri do të aplikojë. “Po, prapë do të kandidoj. Sa i përket anulimit nuk kam çfarë të them, sepse asnjëherë nuk më kanë njoftuar më hollësisht”, thotë ai.

Uka: Komisioni nuk po analizon mirë aplikacionet e kandidatëve

Edhe kandidati tjetër për këtë pozitë, mjeku ligjor dhe udhëheqësi i Divizionit për Identifikim, Koordinim dhe Përkrahje në këtë Institut, Naim Uka, thotë se nuk ka asnjë informacion lidhur me anulimin e konkursit.

“Megjithëse akoma nuk kam pranuar informatën zyrtare për anulimin e konkursit për herën e dytë, ku do të duhej edhe të jepej një arsye për anulimin e këtij konkursi, unë do të vazhdoj të ofroj kandidaturën time deri në zgjedhjen e udhëheqësit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Uka.

Ai thotë se herën e parë është thënë se arsye e anulimit të konkursit ka qenë mungesa e përvojës menaxheriale, gjë që sipas tij nuk qëndron. Sipas tij, analizimi i dokumentacionit të aplikimit nga ana e komisionit përkatës po bëhet me nguti dhe pa analizë të duhur.

“Në dokumentacionin e aplikacionit për herën e dytë, përveç dokumentacionit përkatës që dëshmon për përvojën menaxheriale (jo vetëm të kërkuar) kam bashkangjitur edhe një shkresë të veçantë ku kam dëshmuar se një përvojë të tillë e kam më shumë vite se që kërkohet në kriteret e konkursit. Kam përshtypjen se analizimi i dokumentacionit të aplikimit nga komisioni përkatës është bërë me nguti dhe pa ndonjë analizë të duhur të vlefshmërisë së dokumentacionit të bashkangjitur”, shprehet ai.

Sipas tij, zvarritja e zgjedhjes së udhëheqësit të IML-së ka stopuar procese shumë të rëndësishme të zhvillimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Nuk dua të besoj që zvarritja e këtij procesi është duke u bërë për ndonjë qëllim të caktuar, ngase pasojat e zvarritjes apo ndonjë qëllim i paragjykuar vetëm sa do t’ia humbnin kredibilitetin edhe ashtu të dëmtuar Institutit të Mjekësisë Ligjore. Shpresoj se këto vonesa janë duke u bërë me qëllimin e vetëm që të sigurohet një kandidaturë serioze, profesionale dhe shumë e përgjegjshme në raport me rendësinë dhe rolin që e ka IML-ja në shoqërinë kosovare”, thotë Uka.

Çka thotë Ligji për Shërbimin Civil?

Ligji për Shërbimin Civil, Neni 15, pika 3 për emërime në pozita të larta drejtuese tregon se si duhet të aplikohen procedurat për zgjedhjen e kandidatëve në pozita të tilla.

Sipas këtij ligji, komisioni zhvillon procedurën e konkurrimit dhe në fund të saj i propozon ministrisë përgjegjëse për administratë publike tri (3) kandidaturat më të mira.

“Ministria përgjegjëse për administratë publike ia dërgon titullarit të institucionit për miratim (3) kandidaturat më të mira. Për institucionet e ekzekutivit ministria përgjegjëse për administratë publike i propozon Qeverisë për miratim kandidatin e preferuar nga titullari i institucionit, i cili miratohet nga Qeveria në pozicionin përkatës për një mandat trevjeçar”, thuhet në këtë ligj.

Më tutje thuhet se për institucionet jashtë ekzekutivit titullari i institucionit përzgjedh njërin (1) nga tre (3) kandidatët e propozuar nga komisioni. Edhe në Rregulloren nr. 06/2010 për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Neni 14, sqarohet mënyra e miratimit të kandidatit për pozicionet e nivelit të lartë drejtues.

Sipas kësaj rregulloreje, pas mbarimit të procedurës së konkurrimit Komisioni i propozon ministrit të ministrisë përgjegjëse për administratë publike tri (3) kandidaturat më të mira. Pastaj ministri përgjegjës për administratë publike ia dërgon titullarit të institucionit për miratim tri (3) kandidaturat më të mira.

“Për institucionet e ekzekutivit ministri përgjegjës për administratë publike ia propozon Qeverisë për miratim kandidatin e preferuar nga titullari i institucionit, i cili miratohet nga Qeveria në pozicionin përkatës për një mandat trevjeçar. Për institucionet jashtë ekzekutivit titullari i institucionit përzgjedh një (1) nga tre (3) kandidatët e propozuar nga Komisioni”, thuhet në këtë rregullore.

Për zvarritjen e zgjedhjes së drejtorit të IML-së në mars kishin reaguar edhe ndërkombëtarët. EULEX-i dhe Mbretëria e Bashkuar patën kërkuar që sa më parë të zgjidhet drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që ky dikaster të rrisë kapacitetet e tij.

Në konkursin e dytë të rishpallur për pozitën drejtor i përgjithshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore kishin aplikuar shtatë kandidatë.

Ndryshe, konkursi i parë për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo i njëjti ishte anuluar me arsyetimin se vetëm njëri nga gjashtë kandidatët i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

Garës për të parin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në konkursin e parë i kishin hyrë 6 kandidatë, duke përfshirë drejtorin aktual Arsim Gerxhaliun, Valon Hysenin, Naim Ukën, Musa Gashin, Brigita Currin, si dhe Driton Krasniqin.