“Kryespiuni” duhet të zgjidhet para 1 majit

Aktuale April 18, 2018 - 07:59
Lexo detajet

Zyrtarë të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së thonë se afati ligjor për emërimin e një drejtori të ri të AKI-së skadon pas 20 ditësh pas dorëheqjes së ish-drejtorit. Driton Gashi ka dhënë dorëheqje më 10 prill 2018, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tash e dy javë ka mbetur në pritje të presidentit Hashim Thaçi që ta propozojë një emër për shefin e ri të AKI-së, propozim ky i cili kërkon edhe miratimin e Haradinajt.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë prejse drejtori i AKI-së Driton Gashi ka dorëzuar dorëheqjen e tij, në pozitën e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ende nuk është emëruar askush.

LEXO EDHE: Haliti e Quni përplasen për 8 milionë markat e luftë

Për ta zëvendësuar Gashin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë afat 20 ditë që nga dita kur ish-kryespiuni i Kosovës ka lënë zyrtarisht detyrën, shkruan tutje "Zëri". 

Përderisa nga Presidenca nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj çështjeje, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Ndërkohë, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së kanë bërë të ditur se Komisioni është totalisht i painformuar për punën e AKI-së, pasi që askush nga ky institucion, siç kanë thënë ata, nuk ka raportuar para Komisionit..

Qeveria: Është duke u punuar për emërimin e shefit të AKI-së

Të pyetur se kur dhe kush do të vijë në pozitën e drejtorit të AKI-së, nga Qeveria e Kosovës, duke mos treguar, kanë thënë se është duke u punuar në këtë drejtim.

“Po punohet në këtë drejtim dhe kurdo që ka një emër, duke u bazuar në procedurat kushtetuese të emërimit, do t’ju njoftojmë”, thuhet shkurt në përgjigjen e Zyrës për Informim të Qeverisë.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para pak ditësh tha se është duke pritur propozimet e presidentit sa i përket emërimit të shefit të AKI-së. Kreu i Qeverisë kishte kërkuar dorëheqjen e shefit të AKI-së Driton Gashit (dhe të ministrit të MPB-së Flamur Sefajt) qysh më 30 mars, një ditë pasi gjashtë shtetas turq u arrestuan dhe u dëbuan nga Kosova.

Shala: Kemi ende kohë për emërimin e shefit të AKI-së

Ndërkaq Haxhi Shala, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së nga koalicioni qeverisës (Nisma), ka njoftuar se afati ligjor për emërimin e një drejtori të ri të AKI-së skadon pas 20 ditësh pas dorëheqjes së ish-drejtorit. 

“Në bazë të ligjit të AKI-së, afat për emërimin e drejtorit të AKI-së pas dorëheqjes ose pas përfundimit të mandatit të drejtorit të vjetër janë 20 ditë. Domethënë brenda 20 ditësh kryeministri dhe presidenti duhet ta emërojnë drejtorin e ri të AKI-së. Kështu që kemi kohë edhe disa ditë që ta emërojmë drejtorin e ri të AKI-së”, ka deklaruar ai.

E në rast se nuk përfillet ky afat sa i përket kësaj çështjeje, sipas Shalës, atëherë vihet deri te shkelja e ligjit.

“Nëse nuk ndodh, nëse nuk realizohet, atëherë ka shkelje ligjore”, ka theksuar ai.

Quni: AKI-ja nuk është nën mbikëqyrjen e Komisionit

Në anën tjetër Anton Quni, anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së nga LDK-ja, ka bërë të ditur se Komisioni ka ardhur në përfundimin se AKI-ja nuk është më nën kontroll të Komisionit. 

“Ne anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së në takimin e fundit kemi ardhur në një konstatim të përbashkët se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë për momentin nuk është nën kontroll, nën mbikëqyrjen e Komisionit Parlamentar”, është shprehur ai për “Zërin”.

E sa i përket emërimit të drejtorit të ri, Quni ka thënë se janë dy krerët e shtetit që do të vendosin për këtë brenda një afati kohor, që është i përcaktuar me ligj.

“Janë autoritetet, në këtë rast presidenti dhe kryeministri. Brenda 20 ditëve duhet ta emërojnë drejtorin e ri të AKI-së”, ka theksuar ai, duke shtuar se Komisioni do të kërkojë në vazhdimësi raportim nga AKI-ja.

Aliu: Problemi parësor, mosraportimi i AKI-së

Ndërkaq Liburn Aliu, anëtar i këtij Komisioni po ashtu nga LVV-ja, ka vlerësuar se problemi parësor sa u përket zhvillimeve të fundit në AKI ka të bëjë me mosraportimin e këtij institucioni para Komisionit.

“AKI-ja qoftë përmes zëvendësit ose kujtdo duhet të raportojë në Komision. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur për punën që është bërë deri tash. Mosraportimi është tejet problematik në këtë situatë, duhet ta kemi parasysh se jemi republikë parlamentare. Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së ekziston dhe AKI-ja duhet të raportojë para këtij Komisioni”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Aliu gjatë një prononcimi ka thënë se Komisioni është totalisht i painformuar rreth asaj që bën AKI-ja.

“Si komision idenë nuk e kemi se çfarë ndodh në AKI për shkak se ata nuk raportojnë. Këtu është problemi. Nëse unë jam në Komision për Mbikëqyrjen e AKI-së, unë nuk jam i informuar aspak për çështjen e AKI-së, ata nuk janë aspak transparentë, nuk raportojnë fare”, ka theksuar ai. 

Sipas Aliut, një gjë e tillë dëshmon se shteti është i kapur nga Shërbimi Informativ. E zëvendësimet sa i përket udhëheqjes së AKI-së, sipas tij, janë çështje të dorës së dytë.

Tahiri: Për emërimin e shefit të AKI-së fjalën e ka presidenti

Kurse Ramush Tahiri, ish-këshilltar i lartë politik i ish-presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se ndonëse çështja e emërimit të shefit të AKI-së bëhet nga kryeministri dhe presidenti, fjalën e fundit për këtë çështje e ka kreu i shtetit.

 

“Duhet të ketë një procedurë dhe miratim në disa instanca. Në fund kryeministri e presidenti e emërojnë bashkë, por në këtë rast e ka fjalën presidenti. Me ligj presidenti dhe kryeministri e caktojnë, por procedura nuk zgjat më shumë se një muaj”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, personi që do të vijë në krye të AKI-së, pas dorëheqjes së Driton Gashit, duhet të jetë figurë e përshtatshme dhe bashkëpunuese.

Ai gjatë një bisede për gazetën ka folur edhe për mosraportimin e ish-shefit të AKI-së dhe këtij institucioni para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së. Me këtë rast ai ka thënë se Agjencia për Inteligjencë është e obliguar të raportojë për atë që bën.

“Ata janë të detyruar të vijnë kur i thirrin komisionet parlamentare. Ata mund të shmangen për një seancë nëse nuk kanë qenë të përgatitur ose nuk ka qenë personi adekuat, por jo për seancën tjetër, se Agjencia është institucion. Tre persona janë që mund të raportojnë: drejtori, zëvendësdrejtori dhe inspektori i përgjithshëm. Pra, tri nivele janë që mund të raportojnë”, ka potencuar ai.