Gjermanët investojnë 25 milionë euro në një projekt energjetik

Ekonomia April 16, 2018 - 08:40
Ja ku do të bëhen këto investime

Kompania gjermane “RPP-Germany” ia ka dorëzuar kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtirit planin energjetik për grumbullimin e mbeturinave e riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë për të cilin do të investojë 25 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rreth 30 milionë euro do t’i investohen në Mitrovicës gjatë këtij viti në disa projekte energjetike dhe infrastrukturore.

Biznesmenë nga Gjermania dhe nga Zvicra do të investojnë 25 milionë euro në Mitrovicë dhe rreth 100 milionë euro në gjithë Kosovën në disa projekte energjetike.

Përfaqësues të kompanisë “RPP-Germany”, Safet Sadiku dhe Avni Nasufovski, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin dhe i kanë dorëzuar planin energjetik për grumbullimin e mbeturinave e riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë, shkruan më tutje "Zëri".

Ata gjatë takimi me të parin e Mitrovicës kanë siguruar se kompania do të investojë në disa projekte energjetike në Kosovë, ndërsa kanë zgjedhur Mitrovicën për t’i filluar projektet e tyre. 

LEXO EDHE: Lunaçek: Asociacioni s’guxon të ketë mandat ekzekutiv

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh mirënjohës për interesimin e tyre për investuar në Mitrovicë dhe në Kosovë, e më pastaj i njoftoi ata lidhur me kushtet që ofron Komuna e Mitrovicës për investitorët e huaj.

Përfaqësuesi për Ballkan i kompanisë “RPP-Germany”, Avni Nasufoski, pasi ia dorëzoi biznes-planin kryetarit Bahtiri, e njoftoi atë lidhur me projektin energjetik i cili ka për qëllim grumbullimin dhe riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë.

Ai tha se ky projekt gjatë realizimit në qytetin e Mitrovicës do të ketë koston prej 25 milionë eurosh, të cilat do t’i investojë kompania.

Ai gjithashtu theksoi se në gjithë Kosovën kompania që ai përfaqëson do të investojë mbi 100 milionë euro.

I pari i Mitrovicës siguroi biznesmenët gjermano-zviceranë se Komuna e Mitrovicës ofron kushte dhe lehtësira shumë të mëdha për të gjithë ata që synojnë të investojnë në projekte të ndryshme, duke përmendur me këtë rast dhënien e tokës falas, pastaj edhe lehtësirat tjera tatimore.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e kompanisë “RPP-Germany” treguan interesim të veçantë për të investuar në qytetin e Mitrovicës, duke sqaruar se janë të interesuar që të identifikojnë fillimisht nevojat e këtushme, me qëllim që shumë shpejt të bashkëpunojnë për realizimin eventual të këtij projekti madhor, i cili do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Mitrovicës.

Ndryshe, një projekt i ngjashëm ka dështuar të realizohet në Mitrovicë. Kompania amerikane-suedeze “Green 3Power” kishte arritur marrëveshje me Komunën e Mitrovicës për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e mbeturinave dhe për prodhimin e 12 megavate energji elektrike dhe për këtë projekt kishte premtuar 45 milionë euro.

Komuna e Mitrovicës ia kishte ndarë një hapësirë prej 10 hektarësh në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër, por që më pastaj kompania ishte tërhequr pa dhënë ndonjë sqarim.