Lunaçek: Asociacioni s’guxon të ketë mandat ekzekutiv

Aktuale April 16, 2018 - 08:26
Flet ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek

Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por Asociacioni s’guxon të ketë mandat ekzekutiv. Ajo po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të mundë të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën

Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por ky Asociacion nuk guxon të ketë mandat ekzekutiv.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste të botuar në gazetën Zëri ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek, duke shtuar se qeverisja lokale dhe bashkëpunimi midis komunave duhet të jetë i pavarur nga përkatësia etnike e popullsisë.

Gjatë kësaj interviste ish-nënkryetarja e Parlamentit Evropian ka folur edhe për raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës në rrugën e integrimit evropian të të dyja vendeve.

LEXO EDHE: Nisma e LDK-së, drejt dështimit

Sipas saj, asnjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së nuk do të jetë e gatshme për të pranuar një shtet tjetër me kufij të paqartë në Bashkimin Evropian pas pranimit të shtetit të ndarë të Qipros më 2004-n dhe për këtë arsye duhet të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.

Ajo thotë se do t’i pëlqente që gjashtë shtetet e Evropës Juglindore të pranoheshin në të njëjtën kohë në BE, sepse siç thotë politikania austriake kjo do të eliminonte rrezikun e bllokadave të ndërsjella në procesin e anëtarësimit, por e pranon se kjo aktualisht nuk është realiste.

Znj. Lunaçek, 10 vjet Kosovë, në librin tuaj të ri “Të ndërtosh paqe do të thotë të ndërtosh shumë” ju bëni një bilanc personal për sa i përket angazhimit dhe aktivitetit tuaj në dhjetë vjetët e fundit. Si do ta përmblidhnit me pak fjalë këtë bilanc?

Lunaçek: Koha e nisjes, shpresa dhe entuziazmi i para 10 vjetëve është shndërruar në shumë pjesë të popullsisë në dëshpërim, në zhgënjim për shkak të premtimeve të parealizuara dhe ka shkaktuar nervozizëm edhe për të ardhmen. Tani është e rëndësishme që si në Bashkimin Evropian (BE) edhe në Kosovë të investohet e gjithë forca dhe energjia, që të ringjallen ndjenjat e mëparshme për të arritur suksese dhe përparim qoftë në liberalizimin e vizave, qoftë në zhvillimin ekonomik, përparim social dhe të arrihen më shumë njohje ndërkombëtare.

Në një citat të Antoine de Saint-Exupery thuhet: “Të ndërtosh paqen do të thotë të ndërtojmë një stallë mjaft të madhe, në mënyrë që e tërë kopeja të flejë në të”. A po e konsideroni nëpërmjet titullit tuaj Evropën si një tufë, në të cilën Kosova gjithashtu duhet të gjejë vendin e vet?

Lunaçek: Citimi është nga libri i Saint-Exupery “Qyteti në shkretëtirë” dhe përshkruan një strategji se si pakicat mund të integrohen mirë në një shtet të tërë. Kjo nuk ka të bëjë me BE-në si një "tufë", por se si një shtet - Kosova - mund të ndërtohet në mënyrë të tillë që edhe pakicat që jetojnë në territorin e saj mund ta pranojnë atë shtet dhe ta përjetojnë atë si atdheun e tyre. Gjithashtu se si Bashkimi Evropian, shtëpia e përbashkët e Evropës, mund të ndërtohet në atë mënyrë që gjashtë shtetet e Evropës Juglindore të gjejnë hapësirë dhe shtëpi në të.

Në libër ju përmendni shumë dështime të Kosovës, si dhe neglizhencën e vendeve fqinje dhe gjithashtu të organeve të BE-së. A mund të parashihni për të ardhmen një zhvillim pozitiv?

Lunaçek: Po, për liberalizimin e vizave pas ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi nga Parlamenti i Kosovës i hapet rruga Komisionit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të Brendshëm që ta japin dritën jeshile, në mënyrë që qytetarët e Kosovës pastaj të mundnin të udhëtojnë të lirë për tre muaj. Për fat të keq, më shumë se 2 vjet kanë humbur në Kosovë, por shpresoj se së shpejti do të ketë sukses të merituar.

Sipas mendimit tuaj, çfarë mund ose duhet të bëjë shteti ynë i ri për të përmirësuar pranimin e tij?

Lunaçek: Përfundimisht brenda administratës, Qeverisë, partive politike, institucioneve, si dhe në nivelin e qeverisjes lokale duhet të ndërmerren masa më të mëdha dhe më serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (si prokurimi publik), duke filluar nga radhët e tyre e deri në nivelet më të larta. Po ashtu duhet të përmirësohet gjendja ekonomike, duhet të forcohet sistemi arsimor dhe ai shëndetësor, si dhe një sistem social dhe pensionesh që funksionojnë mirë, në mënyrë që qytetarët e saj të fitojnë më shumë besim në shtetin e tyre. Përveç  kësaj, është e rëndësishme të krijohen imazhe pozitive në perceptimin evropian dhe ndërkombëtar  për artin dhe për kulturën, filmat, etj. Për shembull, festivali i filmit "Doku Fest" në Prizren duhet të fitojë edhe më shumë famë ndërkombëtare, është një ngjarje e madhe çdo vit dhe tashmë është duke shijuar shumë mirënjohje ndërkombëtare.

Gjykata Speciale të mos shihet si sulm ndaj UÇK-së

Në librin që adreson sjelljen e keqe “të demokracisë” kosovare, ngjarjet e tanishme tregojnë për deklaratat e Qeverisë që duken kundërproduktive. A keni frikë që BE-ja do ta ashpërsojë diskursin për Kosovën?

Lunaçek: Kjo ishte me refuzimin e mëtejshëm të ratifikimit të Marrëveshjes Kufitare dhe me revokimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Unë shpresoj në maturinë e përfaqësuesve  të zgjedhur dhe në interesin e të gjithëve, jo vetëm për t’i përfaqësuar interesat e tyre, por ato të popullatës. Një gjë është shumë e rëndësishme për mua: Gjykata Speciale është aty për t’i ndëshkuar krimet individuale dhe nuk duhet të shihet si një sulm ndaj UÇK-së në tërësi. Qeveria e Kosovës duhet që për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut, të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, në fund të paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave Serbe të drejtuar në Kosovë. Është e qartë, se ajo nuk mund dhe nuk guxon të përmbajë një mandat ekzekutiv. Qeverisja lokale dhe bashkëpunimi në mes të komunave duhet të jetë i pavarur nga përkatësia etnike e popullsisë dhe të fokusohen në plotësimin e nevojave në nivel lokal: ujit dhe kanalizimeve, heqjen e mbeturinave, shkollave ëdhe trafikut, mbrojtjen e ambientit, furnizimin me energji, funksionimin e administrimit lokal dhe shumë më tepër.

Ju po ashtu në këtë libër përshkruani zhvillime individuale shumë pozitive. A ju jep kjo shpresë dhe a mjafton në aspektin afatgjatë?

Lunaçek: Kosova ka kaq shumë njerëz me shumë potencialë, gra dhe burra, të cilët duan të të punojnë për shtetin e tyre të ri, ata e bëjnë këtë me të vërtetë dhe në baza ditore, kështu që unë vazhdoj të shpresoj se zhvillimet pozitive do të intensifikohen përsëri. Por vullneti politik i Qeverisë për t’i thyer strukturat e vjetra korruptive shumë herë mungon.

Sukseset e Kosovës

Sipas mendimit tuaj, cilat janë sukseset më të mëdha në këto 10 vjet?

Lunaçek: Ndërtimi i një shteti të ri kërkon kohë dhe shumë vullnet politik. Ndërtimi i një administrate shtetërore që punon në shumë nivele është një sukses, por ka nevojë edhe më shumë nga kjo. Përforcimi i të drejtave të barabarta të grave, si dhe përcaktimi i kuotave për zgjedhjet për Kuvend janë një sukses i madh. Por duhet më shumë zbatim, si për shembull, kur është fjala për mundësitë e punësimit dhe për një ndryshim në strukturat patriarkale në familje dhe në shoqëri. Lufta kundër dhunës ndaj grave, njohja dhe kompensimi i viktimave të përdhunimit në luftë janë hapa të rëndësishëm. Por, edhe zgjedhja e udhëheqëses së parë femër të shtetit në rajon, me presidenten Atifete Jahjaga, duhet të shihet si një sukses i madh.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shtetit të Kosovës. Për hapat e mëtejshëm Kosova duhet të tregojë suksese në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformës.

Pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike në Rio (me fituesen e medaljes së artë, Majlinda Kelmendi, edhe një herë urime!) dhe tani në Lojërat Dimërore në Pyoengchang, Korenë e Jugut, si dhe në UEFA dhe në FIFA janë suksese të shumëpritura. Ende mungojnë organizatat në fusha të tjera, si në konkursin e këngës në “Eurovision”, ku Rona Nishliu u detyrua të konkurrojë për Shqipërinë më 2012-n dhe arriti në vendin e 5-të.

Doganat, policia dhe organet e drejtësisë janë ngritur së bashku (me ndihmën) e EULEX-it. Janë ngritur shumë aktakuza dhe janë shqiptuar shumë dënime, në veçanti për “Krim të organizuar dhe kriminalitet”, si dhe  “Krime të luftës”. Por shumë pak prej tyre kanë të bëjnë me “Peshqit e mëdhenj”. Më shumë duhet të bëhet, p.sh. për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe duhet të ndryshojë procedura e ndjekjes penale: ajo mundëson aktualisht ankimime të shumta.

Dështimet

Çka po shihni si dështime?

Lunaçek: Që aq shumë shpresa që kishim nuk janë përmbushur: hapja dhe krijimi i vendeve të reja të punës, me të cilat do të plotësoheshin nevojat bazike me të ardhura për nevojtarët: dhënia  fund e korrupsionit dhe e krimit të organizuar dhe jo vetëm arrestimi dhe ngritja e padive, por edhe dënimi i "Peshqve të mëdhenj", pastaj dështimet në planin ndërkombëtar, e kjo do të thotë se nuk u realizua anëtarësimi i Kosovës në OKB, si dhe as liberalizimi i vizave, respektivisht e drejta e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës për tre muaj në vendet e BE-së.

Pavarësisht përpjekjes së Spanjës për të mos përfshirë Kosovën në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, një perspektivë evropiane po ofrohet për Kosovën. A besoni se Kosova do të bëhet pjesë e BE-së, ashtu si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Serbia?

Lunaçek: Po, ky është qëllimi edhe për Bashkimin Evropian - siç u tha edhe në Strategjinë e fundit të Zgjerimit dhe duhet të konfirmohet në Samitin në Bullgari më 17.5.2018 dhe gjithashtu të ripohohet nga presidenca e ardhshme austriake.

A përbën anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian përpara Kosovës ndonjë kërcënim për Kosovën?

Lunaçek: Para së gjithash Serbia duhet t’i plotësojë kriteret për zgjerim. Aty përveç sundimit të ligjit dhe pluralizmit të medies i përkasin edhe kufijtë e qartë të shtetit.  Asnjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së nuk do të jetë e gatshme për të pranuar një shtet tjetër me kufij të paqartë në BE pas pranimit të shtetit të ndarë të Qipros më 2004-n. Për këtë arsye, duhet të ketë një njohje. Mua do më pëlqente që të gjitha gjashtë shtetet e Evropës Juglindore të pranoheshin në të njëjtën kohë, sepse kjo do ta eliminonte rrezikun e bllokadave të ndërsjella në procesin e pranimit.  Megjithatë, kjo është aktualisht jorealiste. Por do të doja të shihja hapjen e Kapitujve 23 dhe 24 për Kosovën dhe për Bosnjë e Hercegovinën, ose të paktën për fillimin e procesit të shqyrtimit (krahasimi mes ligjit të BE-së dhe kosovar).

Çka mendoni ju, a i përmbush Kosova detyrimet e saj ndaj BE-së?

Lunaçek: Zbatimi i Agjendës Evropiane të Reformës është vendimtar. Por edhe ruajtja e lirisë së medies dhe pluralizmit, si dhe ruajtja e të drejtave të pakicave jo vetëm të atyre serbe, të cilat rregullohen në bazë të Kushtetutës, si dhe anëtarët e të cilëve janë të përfaqësuar në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, por edhe të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.

Edhe në çështjen për mbrojtjen e ambientit dhe të energjetikës ka ende shumë punë, Kosova duhet p.sh. ta përmbushë standardin e BE-së për reduktimin e dyoksidit të karbonit (CO2). Nga ky standard ky shtet me termocentralin e qymyrit dhe me planin e ri të "Kosova e Re" është mijëra kilometra larg. Investimi në efikasitetin e energjisë dhe në energjinë e rinovueshme do t'i zinte dy “miza me një goditje”, krijimi i vendeve të punës, reduktimi masiv i prodhimit të dyoksidit të karbonit (CO2), si dhe të substancave të tjera, të cilat e dëmtojnë shëndetin (shikojeni kualitetin e ajrit në Prishtinë në dimër!). (Autorja është gazetare e pavarur. Gazeta “Zëri” ka ofruar hapësirën mediale dhe nuk mban përgjegjësi për gabimet eventuale gjatë realizimit të intervistës).