Alarmi i FMN-së për shpenzimin e rezervave buxhetore

Ekonomia April 03, 2018 - 08:37
Flet për ''Zëri'' shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen

Shpenzimi i pakontrolluar i pjesës dërmuese të rezervave shtetërore për vetëm tre muaj nga Qeveria e Kosovës ka ngritur alarmimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, në një intervistë për gazetën Zëri ka komentuar shpenzimin e fondeve nga rezervat shtetërore, tërheqjen e një milion eurove për t’i mbuluar faturat e papaguara të serbëve në veri, raportin e publikuar nga Banka Botërore që nxjerr Kosovën ndër vendet që ka shënuar progres prej 9,2 për qind në punësim, si dhe rrezikun që disa skema sociale mund t’ia shkaktojnë buxhetit të shtetit.

Për fillimin e shpenzimeve të rezervave shtetërore brenda një periudhe tremujore Vermeulen ka këshilluar që të kufizohet përdorimi i tyre vetëm për shpenzime urgjente dhe të papritura.

LEXO EDHE: 75 kandidatë intervistohen për anëtarë të Bordit të ''Trepçës''

“Buxheti i Kosovës gjithashtu lë mënjanë një shumë të vogël që nuk është e rezervuar dhe jep fleksibilitetin e nevojshëm për t'u marrë me ngjarjet e paparashikuara. Në praktikë ka shumë presion për ta përdorur këtë shumë për t’i financuar nismat e reja të shpenzimeve, duke minuar kështu qëllimin e saj. Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme e rezervës tashmë është përdorur në fillim të vitit fiskal. Në këtë kontekst, ne mendojmë se është e rëndësishme të kufizohet përdorimi i këtyre fondeve vetëm për shpenzime urgjente dhe të papritura”, ka thënë Vermeulen.

Ai thotë se shumë vende e kanë një rezervë të rastit apo të paparashikuar në buxhetin e tyre për t’i mbuluar shpenzimet urgjente pa i rrezikuar planet buxhetore.

“Një rezervë kontingjente e dizajnuar mirë duhet të ruajë balancën e duhur mes fleksibilitetit të buxhetit dhe disiplinës fiskale. Shumë vende e kanë një rezervë të rastit apo të paparashikuar në buxhetin e tyre për të qenë në gjendje t’i mbulojnë shpenzimet urgjente, të paparashikuara dhe të pashmangshme brenda vitit fiskal pa i rrezikuar planet buxhetore”, ka shtuar më tutje shefi i FMN-së gjatë intervistës për “Zërin”.

Më tutje Vermeulen ka sqaruar se rezerva e paparashikueshme në buxhet nuk është e njëjtë me shumën e parave të gatshme të Qeverisë, e cila është rimbushur në vitet e fundit mbi nivelin minimal prej 4,5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm (GDP)-së.

“Për të shmangur ndonjë konfuzion, më lejoni të sqaroj se kjo rezervë e paparashikueshme në buxhet nuk është e njëjtë me shumën e parave të gatshme të Qeverisë. Kjo e fundit është rimbushur në vitet e fundit dhe tani është mbi nivelin minimal prej 4,5% të GDP-së, siç përshkruhet në rregullën fiskale”.

FMN-ja, e shqetësuar me përfitimet për mësuesit e viteve të ’90-ta dhe pensionet për forcat policore

Numri i shtuar i veteranëve që janë përfitues të skemës së pensioneve në vazhdimësi po rritet. Pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës dhe verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë euro.

Kështu po deklaron shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen.

“Në të vërtetë, numri i përfituesve të skemës së pensioneve të veteranëve të luftës vazhdon të rritet përtej çdo pritjeje. Tani flasim për 37.000 përfitues kundrejt vlerësimeve fillestare prej më pak se një e treta e asaj në vitin 2015. Kjo është pothuajse 9.000 më shumë se vetëm një vit më parë”, ka thënë në një intervistë për “Zërin” Vermeulen.

“Pa një riklasifikim, sipas ligjit të amandamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë euro, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Me plotësimin e reformave të pensioneve të veteranëve të luftës në përputhje me ligjin aktual do të krijohej një hapësirë në buxhet për shpenzime produkive në shumë fusha, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën e krijimin e vendeve të punës.

“Prandaj si më parë, ne mendojmë se plotësimi i reformave të pensioneve të veteranëve të luftës në përputhje me ligjin aktual është urgjentisht i nevojshëm për t’i sjellë shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm dhe për të krijuar hapësirë në buxhet për shpenzime produktive në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe të infrastrukturës, për ta përkrahur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet më tutje në përgjigjen e FMN-së.

Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk po e përkrah idenë për iniciativat e shpenzimeve për skemën e propozuar të pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet e ’90-ta dhe skemën e pensionit për forcat policore.

“Në të njëjtën kohë ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për iniciativat e shpenzimeve sociale, siç është skema e propozuar e pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet 1990 ose skemën e pensionit të parakohshëm për forcat policore”.

FMN-ja po alarmon se me propozime të tilla të përfitimeve për këto kategori (skema) pensionale do të krijohen detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara dhe do të rrezikohet buxheti i Kosovës bashkë me qëndrueshmërinë e borxhit.

“Këto do të krijonin detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara, të cilat sistemi i pensioneve tashmë i pafinancuar në Kosovë thjesht nuk mund ta përballojë. Do të krijonte një boshllëk të përhershëm në buxhet dhe do të cenonte koston e shpenzimeve me prioritet më të lartë për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe infrastrukturën”.

“Për më tepër, kërkesa për skema të ngjashme për profesione të tjera me siguri do të pasojë, duke vënë në rrezik buxhetin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, ka thënë shefi i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen.

Kosova e Serbia të gjejnë zgjidhje që konsumatorët në veri t’i paguajnë faturat

1 milion euro të rezervave shtetërore u tërhoqën nga Qeveria e Kosovës vetëm që të mbulohet energjia e papaguar në pjesën veriore të Kosovës. Një vendim i tillë nuk po vlerësohet i drejtë nga ana e FMN-së.

Shefi i FMN-së, Ruud Vermeulen, i ka thënë “Zërit” se shpreson që Kosova e Serbia të gjejnë një zgjidhje për të siguruar që konsumatorët në veri i paguajnë faturat e tyre.

“Lidhur me faturat e papaguara të energjisë në veri kjo thjesht nuk është e qëndrueshme. Asnjë nga zgjidhjet afatshkurtra për mbulimin e shpenzimeve nuk duket e drejtë apo e qëndrueshme qoftë përmes tarifave më të larta që ndikojnë te të gjithë konsumatorët që në fakt paguajnë faturën e tyre, subvencionet që ndikojnë te të gjithë tatimpaguesit ose humbjet e të ardhurave të një shoqërie publike të transmetimit që ndikojnë në investimet e saj dhe performancën financiare. Prandaj, ne shpresojmë që Kosova dhe Serbia së shpejti do të gjejnë një zgjidhje për të siguruar që konsumatorët në veri i paguajnë faturat e tyre”, ka thënë më tutje Vermeulen.

Raporti i fundit i publikuar nga Banka Botërore dhe nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë, ku nxorën Kosovën si njëri ndër vendet që shënoi progres prej 9,2 për qind në punësim, po vlerësohet si lajm i mirë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Rritja e punësimit prej 9 për qind është një lajm shumë i mirë për Kosovën, pasi do të thotë se shumë më tepër njerëz janë të punësuar dhe marrin të ardhura. Po kështu, në të njëjtën periudhë popullsia në moshë pune u rrit me 1,6% dhe forca e punës me 15,6%, që do të thotë se shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore u rrit, megjithëse nga një nivel i ulët. Është gjithashtu një lajm i mirë, pasi do të thotë që më shumë njerëz zgjedhin të punojnë ose të kërkojnë punë në vend që të qëndrojnë në margjinat e tregut të punës”, është shprehur gjatë intervistës shefi i FMN-së.

Ndonëse Vermuelen nuk e mohon se shkalla e papunësisë në vend është rritur.

Sipas tij, nevojitet rritje më e shpejtë e vendeve të punës.

“Megjithatë, me më shumë punëkërkues të rinj sesa me vende të reja të punës shkalla e papunësisë u rrit gjithashtu. Meqë kjo është e mbërthyer në rreth 30 për qind, është e qartë se nevojitet edhe rritje më e shpejtë e vendeve të punës”, ka thënë më tutje ai.