75 kandidatë intervistohen për anëtarë të Bordit të ''Trepçës''

Ekonomia April 03, 2018 - 08:30
Për Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës” kanë aplikuar 118 persona, derisa për intervistë janë përzgjedhur 75 kandidatë. Ligji për “Trepçën” parasheh që në këtë bord duhet të jenë të përfshirë gjithsej 9 anëtarë. Tre nga komuniteti serb, ku prej tyre dy përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe një përfaqësues i punëtorëve. Ndërsa nga shqiptarët një përfaqësues i Sindikatës dhe pesë të Qeverisë, shkruan sot Gazeta ''Zëri''

Pas shumë zvarritjeve ka nisur intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Bordit të gjigantit  metalurgjik “Trepça”, por edhe më tutje nuk dihet saktë se kur do të jetë funksional ky bord.

Zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se për Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës” kanë aplikuar 118 persona, derisa për intervistë janë përzgjedhur 75 kandidatë.

Ligji për “Trepçën” parasheh që në këtë bord duhet të jenë të përfshirë gjithsej 9 anëtarë. Tre nga komuniteti serb, ku prej tyre dy përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe një përfaqësues i punëtorëve.

Ndërsa nga shqiptarët një përfaqësues i sindikatës dhe pesë të Qeverisë, shkruan më tutje "Zëri".

Në Qeverinë e Kosovës thonë se procesi është duke vazhduar deri në fazën e vlerësimit të radhës, ku pritet të bëhet përzgjedhja e listës së ngushtë të aplikantëve.

LEXO EDHE: Thaçi vonon emërimin e anëtarëve të KQZ-së

“Për Bordin Mbikëqyrës të ‘Trepçës’ kanë aplikuar 118 persona, derisa për intervistë janë përzgjedhur 75 kandidatë. Në këtë moment që po ju shkruaj procesi po vazhdon dhe tani vjen faza e vlerësimit të radhës dhe selektimit të listës së ngushtë. Por kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës së Kryeministrit  dhënë Zërit.

Ata më tutje kanë premtuar se do të informojnë me kohë për procedurat e tjera kur Komisioni Rekomandues ta përfundojë këtë pjesë.

“Kurdo që Komisioni Rekomandues ta përfundojë edhe këtë pjesë ju informojmë me kohë. Është ende çështje në proces”, thuhet më tutje në përgjigjen e Qeverisë. Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka në një konferencë për medie pati premtuar se Bordi i “Trepçës” pritet të jetë funksional në fillim të muajit prill. Për të njëjtën çështje gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim edhe Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), por nga këta të fundit nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Sadiku: Serbët nuk mund ta pengojnë krijimin e Bordit  

Krijimin e Bordit të “Trepçës” e kanë zvarritur edhe serbët, të cilët ligjërisht parashihen të jenë pjesë e këtij bordi. Por sipas përfaqësueseve të Sindikatës së Punëtoreve, Bordi mund të funksionojë edhe pa pjesëmarrjen e tyre.

Kryetari i sindikatës së “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka thënë për gazetën “Zëri” se pengesë kryesore e mosfunksionalizimit të këtij bordi ka qenë pjesa veriore e saktësisht integrimi i serbëve, që planifikohet të jenë në Bord.

“Ka filluar intervistimi për bord të ‘Trepçës’, besoj që pengesë më së tepërti ka qenë ajo pjesa veriore, integrimi i serbëve e që parashihet të jenë në Bord dhe ngecja ka qenë më e madhe që ata në njëfarë forme e kanë neglizhuar këtë punë”, ka thënë Sadiku.

Ai më tutje këmbëngul se Bordi i “Trepçës” mund të funksionojë edhe pa serbët.

“Bordi mundet të funksionojë edhe pa ta. Janë gjashtë shqiptarë edhe tri vende për serbë, Bordi mundet me qenë funksional. Nuk është pengesë, por më mirë ka qenë të jenë, për momentin ne mundemi të jemi funksionalë dhe t’ia nisim punës, edhe vendet e tyre mbesin të hapura”, ka sqaruar më tej kryetari Sadiku.

Ai beson se arsyet që pjesëtarët e komunitetit serb nuk duan të jenë pjesë e Bordit janë politike.

“Më mirë do të jetë të jemi bashkërisht, se edhe ajo është pjesë e Kosovës. Arsyet që ata nuk duan të jenë pjesë e Bordit janë politike. Besoj që shumë shpejt do të kompletohet Bordi”, ka shtuar më tutje kryetari i sindikatës së “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.

Mosmarrëveshjet politike mund ta fusin “Trepçën” në borxhe

Mosmarrëveshjet politike kanë bërë që “Trepça” të mbetet pa status të definuar, me çka rrezikon të futet edhe në borxhe të mëdha.

Kështu po shprehet kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj.

Ai ka thënë se “Trepça” ende nuk po arrin të krijojë vende të reja të punës dhe e ka të papërfillshme ndikimin në ekonominë e Kosovës.

“Mosmarrëveshjet politike kanë ndikuar që ‘Trepça’ të mbetet pa status të definuar, me çka rrezikon të futet në borxhe të mëdha, duke ia vështirësuar shumë punën në të ardhmen krijimin e vendeve të reja të punës. ‘Trepça’ ende nuk po krijon vende të reja pune dhe po ashtu ende e ka të papërfillshëm ndikimin në ekonominë e Kosovës”, ka thënë për gazetën “Zëri” Mulaj.

Ai më tutje ka konfirmuar se Bordi i “Trepçës” mund të funksionojë pa përfaqësuesit serbë pasi vendimet merren nga shumica.

“Natyrisht se Bordi mund të funksionojë edhe pa përfaqësuesin serb, sepse vendimet merren me shumicë. Pra, nuk ka të drejtë askush t’u vërë veto vendimeve të Bordit”, ka shtuar më tutje ai.

Murati: Fajtore për situatën e krijuar, MZHE-ja

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë Hekuran Murati ka thënë se faji për situatën në “Trepçë” nuk është krejtësisht i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik sa është te Ligji për “Trepçën”, në të cilën janë bërë gabime fatale.

“Ligji për ‘Trepçën’ është miratuar tashmë një vit e gjysmë dhe ende nuk ka pasur lëvizje sa i përket regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare dhe emërimit të Bordit. Kjo detyrë i takon MZHE-së, mirëpo faji nuk është krejtësisht i tyre”, ka thënë në një prononcim për “Zërin” eksperti i ekonomisë.

Sipas Muratit, problemi kryesor qëndron te Ligji për “Trepçën”, ku është paraparë që punëtorët të bëhen aksionarë me 20 për qind.

“Problemi qëndron te ligji, në të cilin është bërë gabim fatal kur është paraparë që punëtorët të bëhen aksionarë me 20%, diçka që duket se nuk është menduar aq mirë nga hartuesit e ligjit. Kjo për arsye se tani edhe punëtorët kanë të drejtë ta kenë përfaqësuesin e tyre në Bord. Duke marrë parasysh që afërsisht gjysma e punëtorëve janë të përkatësisë etnike serbe, është e pritshme që edhe ata tani të kërkojnë përfaqësimin proporcional në Bordin e Trepçës", ka shtuar më tutje eksperti i ekonomisë.

Përveç kësaj situate të krijuar në këtë ndërmarrje publike, “Trepça” ka mbetur edhe pa drejtor.

Kjo pas skadimit të kontratës së ish-drejtorit Ahmet Tmava, i cili erdhi në krye të pozitës më 6 shkurt të vitit 2014.

Që prej asaj dite Qeveria ka marrë përsipër mbikëqyrjen e “Trepçës”.