Qeveritarët, 134 mijë euro për dreka e darka zyrtare

Ekonomia March 30, 2018 - 07:59
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Gjatë gjashtë muajve të fundit Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe tre zëvendëskryeministra vetëm për dreka e darka zyrtare i kanë shpenzuar hiç më pak se 134 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe tre zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxha e Dalibor Jevtiç vetëm për dreka e darka zyrtare gjatë gjashtë muajve të fundit i kanë shpenzuar hiç më pak se 134 mijë euro.

Gazeta “Zëri”, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente, ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve të Zyrës së Kryeministrit, ndonëse ligjërisht këto të dhëna do të duhej të ishin publike.

LEXO EDHE: Ibrahimi: Kujdes me statusin juridik të Asociacionit!

Mirëpo në Zyrën e Kryeministrit kanë ofruar vetëm të dhëna të përgjithshme të shpenzimeve, pa i specifikuar saktë shpenzimet e secilit me pretendimet se është problem të ndahen shpenzimet e detajuara, shkruan tutje "Zëri". 

“Tabela e shpenzimeve përfshin shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj, të zëvendëskryeministrave Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Dalibor Jevtiq”, bëhet e ditur në përgjigjen e kërkesës zyrtare.

Të vogla nuk dalin as shpenzimet që kryeministri Haradinaj bashkë me stafin e tij kanë bërë jashtë vendit, duke përfshirë biletat e sigurimet shëndetësore.

Për 6 muaj janë shpenzuar 49 mijë e 746 euro për udhëtime jashtë vendit.

Mijëra euro për udhëtime zyrtare e shpenzime telefonike

Duke u bazuar në të dhënat e ofruara, shihet se 35 mijë euro janë shpenzuar vetëm për karburantet e veturave të kryeministrit Haradinaj dhe të stafit të tij. Po ashtu për akomodime gjatë udhëtimit në total janë shpenzuar 15 mijë e 105 euro. Shpenzimet e telefonisë mobile i kanë kushtuar Zyrës së Kryeministrit 14 mijë e 575 euro, duke përfshirë tre zëvendëskryeministrat, Limajn, Hoxhajn e Jevtiçin. 2 mijë e 577 euro është vlera e shpenzimeve të telefonisë fikse.

E vlera e mëditjeve për shpenzime jashtë vendit, në bazë të dokumentit që “Zëri” ka siguruar, kap shifrën e 11 mijë e 986 eurove.

Vetëm akomodimet brenda vendit, duke përfshirë konferencat e akademitë, kapin vlerën e 3 mijë e 364 eurove. Kryeministri bashkë me stafin e tij dhe tre zëvendëskryeministrat po del të jenë treguar “kursimtarë” në udhëtimet që i kanë realizuar brenda vendit, për të cilat kanë shpenzuar vetëm 403 euro.

Këtë çështje e ka ngritur në Kuvend edhe ish-anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Shqipe Pantina. Pantina në një prononcim për “Zërin” ka bërë të ditur se i ka dërguar pyetje kryeministrit pikërisht me organizimin e punëtorive jashtë vendit, ku bëhen shpenzime për mëditje, ushqim e akomodime, por thotë se nuk ka marrë gatishmëri nga kryeministri.

“Unë e kam ngritur çështjen e shpenzimeve të panevojshme edhe në seancë në Kuvend, po ashtu edhe duke i dërguar pyetje parlamentare kryeministrit, që ka pasur të bëjë me organizimin e punëtorive jashtë vendit, ku bëhen shpenzime të panevojshme edhe për akomodim, ushqim dhe për mëditje, por nuk kam parë gatishmëri të kryeministrit për ta rregulluar këtë çështje”, ka theksuar ish-anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Sipas saj, edhe kjo Qeveri vazhdon ta shpenzojë paranë publike pa nevojë.

“Edhe kjo Qeveri vazhdon ta shpenzojë paranë publike pa ndonjë nevojë, këto shpenzime janë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe nuk duket ta ketë në plan kursimin e parasë publike në mënyrë që ato t’i investojë në projekte që do të ishin në përfitim edhe të qytetarëve, por edhe të vendit në përgjithësi”, ka shtuar më tutje ajo.

Shpenzimet e Qeverisë e tejkalojnë luksin

Mënyra sesi Qeveria po i shpenzon paratë e taksapaguesve po kritikohet nga monitoruesit që e përcjellin nga afër transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve.

Fidan Kalaja, nga qendra kosovare kundër korrupsionit “KUND 16”, në një prononcim për “Zërin” ka përmendur një vendim të vitit 2015, gjatë kohës sa kryeministri Haradinaj ishte në krye të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me të cilin kërkonte zvogëlimin e shpenzimeve të kabinetit qeveritar.

“Në vitin 2014, gjatë procesit të miratimit të buxhetit për vitin 2015, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK i asaj kohe pati propozuar një amendament në ligjin për buxhet si kusht për votën e këtij grupi parlamentar. Ai amendament parashihte që pagat në sektorin publik të rriten për 25% dhe të fillojë zbatimi i kontratës kolektive. Formula për këtë të fundit sipas këtij grupi parlamentar ka qenë pikërisht që të zvogëlohen shpenzimet e kabinetit qeveritar të atëhershëm”, ka deklaruar Kalaja për “Zërin”.

Kalaja thotë se vetëm shpenzimet e drekave zyrtare e tejkalojnë konceptin e luksit. “Me një kalkulim të thjeshtë, i bie që janë shpenzuar rreth 24 mijë euro në muaj.

Në një vend si Kosova, ku rreth 22% e qytetarëve jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, ku niveli i papunësisë tejkalon shifrat e mbi 30%, ku pabarazia është evidente, ku për krim e korrupsion jemi duke prirë, ku shëndetësia është infektuar me viruse të pashërueshme e ku arsimi prodhon joedukatë mund të konkludojmë që këto shpenzime tejkalojnë konceptin e “luksit”, ka shtuar më tutje ai.

Me një përllogaritje të tij, me 135 mijë euro do të mundë që brenda gjashtë muajve të sigurohej strehim për rreth 13 familje që jetojnë në kushte ekstreme të jetës.

“Kryeministri do të përgjigjej se ‘meshkujt e tij’ nuk mund të punojnë për Kosovën pa u ushqyer me rreth 24 mijë euro në muaj. Mirëpo me 135 mijë euro do të mundë që brenda gjashtë muajve të sigurohej strehim për rreth 13 familje kosovare që ende jetojnë në kushte ekstreme jetese, do të mundë t’u siguronim shërim atyre që kanë nevojë për shërim ose për pakufi probleme që kryeministri Haradinaj mund t’i shohë përmes dritareve të zeza të veturës së tij zyrtare nga shtëpia e deri në ndërtesën e Qeverisë”, ka deklaruar Kalaja nga Qendra Kosovare Kundër Korrupsionit.

Shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit vetëm për shtrimin e drekave zyrtare nuk po arsyetohen as nga monitoruesit që e përcjellin për së afërmi këtë punë.

Florent Ispahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka thënë se nëse shikohet puna që Qeveria ka bërë në këta gjashtë muaj dhe rezultatet që ka arritur ky institucion, i bie se shpenzimet e tilla nuk janë të arsyeshme.

“Nga një llogaritje e thjeshtë e kësaj që po deklaroni se keni marrë zyrtarisht nga Zyra e Kryeministrit, i bie që për mbi 180 ditë punë të kësaj zyre janë shpenzuar çdo ditë mbi 730 euro, që konsiderojmë se është një shumë e madhe, e cila e ngarkon buxhetin e vogël të Kosovës. Realisht nëse shikohet puna që ka bërë Qeveria në këta 6 muaj dhe rezultatet që kjo Qeveri ka arritur deri më tani del se nuk janë shumë të arsyeshme shpenzimet kaq të larta”, thuhet në përgjigjen e KDI-së.

Ispahija thotë se Qeveria pos që duhet t’i ulë shpenzimet, duhet ta ulë edhe numrin e ministrive, të zëvendësministrave dhe të këshilltarëve.

“Qeveritë tona duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të formave të tjera të keqpërdorimit të parasë publike, si dhe ta ulin numrin e madh të zyrtarëve që punojnë aty. Qeveria pos që duhet t’i ulë shpenzimet, duhet ta ulë edhe numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve të tyre”, ka thënë ai.

Kritika për shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit

Shpenzimet e tilla po i shohin si enorme edhe njohësit e rrethanave ekonomike.

Lulzim Beqiri, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se këto shpenzime janë enorme nëse krahasohen me gjendjen sociale në vend.

“Shpenzimi i parasë publike në Kosovë është jashtë çdo kontrolli, edhe raportimet se Qeveria e Kosovës që nga shtatori i vitit 2017 deri në mars të 2018-ës ka shpenzuar hiç më pak se 134 mijë e 622 euro vetëm për darka zyrtare është shpenzim enorm kur marrim për bazë gjendjen në vend, me një papunësi mbi 30 për qind, me një ekonomi të brishtë dhe mbi 270 mijë qytetarë në asistencë sociale”, ka thënë Beqiri.

Përveç shpenzimeve të Zyrës së Kryeministrit, kryeministri Ramush Haradinaj nuk është treguar “i mëshirshëm” as me rezervat buxhetore të shtetit. Për vetëm tre muaj në total janë shpenzuar mbi dy milionë euro, nga 4 milionë e 800 mijë sa është paraparë të jetë shuma e rezervave shtetërore për këtë vit.