Ibrahimi: Kujdes me statusin juridik të Asociacionit!

Aktuale March 30, 2018 - 07:50
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, gjatë një interviste për “Zërin” ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të vendit që të kenë kujdes gjatë definimit të statusit juridik të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Serbët e Kosovës ditë më parë i kanë dhënë ultimatum Qeverisë së vendit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë se nëse brenda tri javësh nuk e themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë një gjë të tillë do ta bëjnë në mënyrë të njëanshme.

LEXO EDHE: Paralajmërimet për sulme të merren seriozisht

Por drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë se shteti i Kosovës duhet ta respektojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, mirëpo duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë definimit të statutit juridik të atij mekanizmi.

“Kam dëgjuar se Qeveria do ta formojë një grup punues për hartimin e statutit të Asociacionit. Për mua hartimi i statutit nuk është i rëndësishëm sa është definimi i statusit juridik të atij mekanizmi”, ka potencuar ai mes tjerash gjatë intervistës për “Zërin.

Zëri: Kosova dhe Serbia tashmë kanë një marrëveshje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. A ka nevojë të formohet një asociacion i tillë në mënyrë të njëanshme nga serbët, siç kanë dhënë ultimatum të mërkurën në Mitrovicë?

Ibrahimi: Marrëveshja ndërkombëtare ekziston. Shteti i Kosovës duhet ta respektojë marrëveshjen, d.m.th. për ndërtimin e një mekanizmi. Mirëpo kam dëgjuar se Qeveria do ta formojë një grup punues për hartimin e statutit. Për mua hartimi i statutit nuk është i rëndësishëm sa është definimi i statusit juridik të atij mekanizmi. Mund të fillosh të hartosh një statut për diçka, por nuk mund të hartosh statut nëse nuk e di statusin juridik. Asociacioni i Komunave të Kosovës në preambulën e saj e ka kur thirret për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Nëse ai mekanizëm e ka statusin juridik si organizatë joqeveritare, atëherë është shumë lehtë. Unë nuk e di në bazë të Marrëveshjes së 2013-s se çfarë statusi juridik ky mekanizëm do të ketë. A do të jetë ndërmarrje publike, a do të jetë organizatë joqeveritare apo qeveritare? Pa e definuar statusin juridik të këtij mekanizmi është e kotë të fillohet me hartimin e statutit.

Zëri: Serbët po kërkojnë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, a kanë të drejtë t’i kërkojnë këto kompetenca?

Ibrahimi: Ata mund të kërkojnë çfarë të duan, mirëpo nëse definohet statusi juridik i këtij mekanizmi atëherë qartësohet edhe roli i tyre. A do të jetë një mekanizëm vendimmarrës, a do të jetë mekanizëm i cili do t’i mbrojë komunat me shumicë serbe nga Kosova, a do të jetë kompani e cila do të ofrojë shërbime, apo do të jetë organizatë e cila do të ketë kompetenca ekzekutive? Për këtë arsye Qeveria duhet së pari ta definojë statusin juridik të këtij mekanizmi dhe pastaj të bëjë hapa të tjerë.

Zëri: A rrezikohet Kosova nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?

Ibrahimi: Gjithçka ndërlidhet me atë se çfarë do të ketë ky mekanizëm. Nëse do të ketë kompetenca ekzekutive nuk do të jetë mirë për Kosovën, por nëse do të jetë organizatë joqeveritare atëherë besoj se nuk do të ketë ndonjë problem. Kjo varet se çfarë do të jetë ky mekanizëm.

Zëri: Logoja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që u prezantua dje ka përmbajtje nacionaliste serbe. Si është logoja e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe a duhet të lejohet kjo?

Ibrahimi: Çdo veprim të çfarëdo mekanizmi në Republikën e Kosovës duhet ta ketë edhe monitorimin e institucioneve të Kosovës. Do të thotë, a janë këto çështje në përputhje me legjislacionin ekzistues me Republikën e Kosovës. Nëse ky mekanizëm do të jetë organizatë joqeveritare, atëherë ekziston Departamenti për Licencimin e OJQ-ve, e cila i ka kriteret të cilat duhet të përmbushen në mënyrë që të merret statusi i organizatës joqeveritare. Ata e verifikojnë dhe e monitorojnë se a janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nëse do të jetë një mekanizëm tjetër, atëherë duhet të merret dikush tjetër, Ministria apo Qeveria. Gjithçka varet se çfarë do të jetë ky mekanizëm apo kjo krijesë. Për qytetarin e Kosovës nuk po dihet se çka do të jetë kjo krijesë. Çdo veprim i tyre duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Zëri: Lista Serbe i ka dhënë një ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 20 prill për formimin e Asociacionit, a kanë të drejtë të japin ultimatum?

Ibrahimi: Ata kanë dhënë shumë ultimatume deri më tash, për shumë gjëra. Por nëse nuk e kanë përkrahjen e Qeverisë sonë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar ata mund të ndërmarrin masa të tilla, por kush do t’i respektojë ato masa? Kush do t’i njohë masat e tilla? Ky Asociacion është përmendur për herë të parë shumë vite më herët. As 2013-a nuk është zanafilla e tij, d.m.th shumë më herët është. Mirëpo nëse ata e bëjnë një veprim të tillë me mendësinë e tyre, unë nuk besoj se dikush do ta njohë një organizatë të tillë, kështu që do të jetë e kotë.