Punëtorët e KEK-ut protestojnë për rritje pagash

Ekonomia February 09, 2018 - 08:06

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dje  kanë protestuar para objektit të Qeverisë për rritje të pagave në mënyrë lineare prej 100 euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ata kanë paralajmëruar që nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, prej ditës së sotme  punëtorët do të futen në grevë.

Kryetari ekzekutiv i Sindikatës së Re të të KEK-ut, Rafet Osmani, ka thënë se kërkesat e punëtorëve janë të arsyeshme. Sipas tij, punëtorët e sindikatës kanë rrezikuar edhe shëndetin dhe se Qeveria u ka borxh atyre.

LEXO EDHE: Shqiptarët e veriut, të diskriminuar

“Sindikata sakrifikoi çdo gjë nga vetja, sakrifikoi shëndetin, vetëm që KEK-u të jetoj dhe t’i shërbej brezave të ardhshëm. Përveç kushteve të rënda të punëtorëve tanë në vendet e punës që i ekspozohen gazrave helmues, pluhurit dhe qymyrit, zhurmës dridhjeve dhe rreziqet permanente nga pajisjet që punojnë, Qeveria u ka borxh punëtorëve që me rastin e pensionimit të tyre tu njihet përvoja e punës për periudhën e viteve 1990-1999 kur armiku i largoi me dhunë nga vendet e tyre të punës”, ka thënë ai.

Osmani e ka konsideruar të dhimbshme edhe koston e shpronësimit në Hade e Shipitullë e që siç thotë ai, përgjegjësinë më të madhe e ka menaxhmenti i KEK-ut, shkruan tutje "Zëri". 

“Tani kostoja e shpronësimit të kësaj zone kadastrave për ne sindikalistët dhe Sindikatën e Re të KEK-ut dhe punëmarrësit është e dhimbshme sepse këto mjete të shpronësimit sipas informatave që kam, 30 milionë euro të kësaj zone janë djersë e këtyre punëtorëve sikurse secili institucion kishte me i krye punët e veta karshi obligimeve të qeverisë kostoja e zhvendosjes së kësaj zone kadastrale 52 hektarshe do të ishte 3.5 milionë euro, pra një përgjegjësi të madhe e ka ky menaxhment bashkë me ish bordin e drejtorëve të KEK-ut”, ka thënë ai..

Edhe nënkryetari i Sindikatës së Re, Nexhat Llumnica, ka kërkuar nga qeveria që të rrisin pagat dhe kështu premtimi i dhënë të mos mbetët mashtrim. Ai ka paralajmëruar edhe grevë nëse nuk do të plotësohet kërkesa e tyre.

“Kërkoj urgjentisht që të marr masa kryeministri i Kosovës, Qeveria në përgjithësi, ministri Lluka dhe bordi i KEK-ut që rritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut mos të jetë vetëm fjalë boshe dhe mashtrim, por të bëhet realitet”,  ka thënë  ai.

Në protestë mori pjesë edhe Avni Ajdini, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili po ashtu tha se Qeveria duhet t’i mbaj premtimet e saj.

“Nuk ka qenë vullneti ynë, na kanë detyruar. Kemi dal mi tregu që premtimet që na kanë dhënë t’i realizojnë. Ne apelojmë që sa më parë t’i realizojnë ato sepse në të ardhmen do të ballafaqohen jo vetëm me këtë masë por edhe me masa të tjera popullore. Po na detyrojnë që me dal edhe jashtë kornizës sindikale. Sindikata ju mbështet gjithmonë dhe do të ju mbështet në kërkesat e juaja deri t’i realizoni. Ne bashkë me ju do t’i qëndrojmë kujdestarë qeverisë për realizimin e të drejtave tona sepse pa punëtorë nuk ka prodhim, sepse pa ju nuk ka drita, pa ju nuk ka as Qeveri”, ka thënë ai.

Avokati Afrim Salihu, kërkesën e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës e ka konsideruar si legjitime.

“Kërkesat tuaja janë legjitime. Mendoj që Qeveria e Kosovës do t’i analizoj kërkesat e juaja dhe në ditët në vijim në një afat sa më të shpejt kohor do të përgjigjet pozitivisht. Kërkesat tuaja janë legjitime dhe mendoj që duhet të aprovohen dhe të fuqizohen. Ju jeni shtresa më pozitive e Kosovës sepse pa ju nuk funksionon asgjë, pa ju Kosova mbetet në terr, e unë jam i sigurt se ju nuk e doni Kosovën në terr. Askush nuk e donë Kosovën në terr. Mendoj që Qeveria ditëve në vijim do ta kryejnë obligimin e tyre që e kanë dhënë para mediave”, ka thënë ai.

Zëri ka intervistuar edhe disa punëtorë të KEK-ut, të cilët  thanë se Qeveria duhet t’i rrit rrogat e tyre ashtu siç iu është premtuar.

Rritja e pagave për KEK-un ka qenë premtim i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe mos përmbushja e premtimit ka shtyrë punëtorët të dalin në protestë.