Shqiptarët e veriut, të diskriminuar

Ekonomia February 09, 2018 - 08:00

Ndonëse pothuajse asnjë qeveri e deritashme e Kosovës nuk ka treguar përkujdesje për të investuar në lagjet multietnike në veri të Mitrovicës, posaçërisht në ato mjedise kur shumicën e përbëjnë shqiptarët, Qeveria e Ramush Haradinajt nuk ka treguar edhe interesimin më të vogël për qytetarët shqiptarë të asaj pjese, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut janë përpjekur ta takojnë kryeministrin Haradinaj për t’ia treguar situatën në të cilën ndodhen shqiptarët e asaj pjese, por pa sukses për ta takuar shefin e ekzekutivit kosovar, pasi që, siç thotë njeriu më i zëshëm i pjesës veriore të Mitrovicës Bashkim Cimili, “Haradinaj asnjëherë nuk ka gjetur kohë për t’i takuar shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës”.

LEXO EDHE: LVV-ja kërkon hetim ndërkombëtar për aktivistët, Kuvendi nuk votoi

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit”, të enjten, se Komuna nuk ka asnjë projekt kapital për lagjet multientike, përkatësisht për lagjet ku jetojnë shumica shqiptare. Sipas tij, të gjitha projektet kapitale që financohen nga buxheti i Komunës kryesisht realizohen në mjediset me popullatë serbe, ndërsa edhe investimet e Qeverisë për projekte të veta kryesisht shkojnë në mjediset me popullatë serbe.

“Nuk ka asnjë projekt kapital që është i paraparë të realizohet në lagjet multietnike. Krejt projektet shkojnë në ato mjedise të pastra serbe dhe shteti i Kosovës nuk është në gjendje të bëjë asgjë.Unë jam përpjekur disa herë ta takoj kryeministrin Ramush Haradinaj, por ai asnjëherë nuk ka gjetur kohë të bisedojë me mua dhe me asnjë tjetër nga shqiptarët e pjesës veriore. Ne përherë kërkojmë sqarime nga drejtuesit e komunës Veriore, por asnjëherë nuk marrim përgjigje. Gjendemi në situatë jashtëzakonisht të keqe, përveçqë jemi të diskriminuar me investime, jemi të diskriminuar edhe në punësimin e të rinjve shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës. Të them vetëm se edhe ata që pranohen në punë (së fundi janë pranuar 4) janë shqiptarë të jugut të Mitrovicës. Kur është kështu, pse ne atëherë jetojmë në atë pjesë dhe përpiqemi t’i ruajmë pronat tona. Ndoshta ka qenë shumë më mirë që edhe ne t’i shesim, siç kanë bërë shumë shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës. Kur nuk e ke përkrahjen e shtetit, kur shteti nuk të mbron, atëherë pse të rrimë atje. Nuk ka punë, nuk ka investime, nuk ka asgjë atje”, është shprehur Cimili tej mase i revoltuar. Cimili ka përmendur një grant prej 1.4 milion eurosh për komunën veriore të Mitrovicës, të cilën njëra prej ministrive e ka ndarë për zhvillimin rajonal. Ai thotë se nga kjo ministri, siç precizon Cimili, Ministria e Zhvillimit Rajonal, kanë përfituar 9 komuna të Kosovës, në mesin e të cilave ndodhet edhe Mitrovica Veriore, që ka përfituar 1.4 milion euro. “Druaj se nga ky grant do të përfitojnë vetëm serbët, kështu është praktika në veri të Mitrovicës, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera serbe nuk u jepet asgjë”, ka thënë Cimili.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut ka vlerësuar se në lagjet veriore të Mitrovicës të banuara me shumicë shqiptare kanë nevoja të mëdha për shkolla, për ndërtesa të karakterit social, për investime në ujësjellës dhe në kanalizim, për ndërtimin e rrugëve.

Cimili ka thënë se prejse ka ardhur në pushtet qeveria “Haradinaj” asnjë ministër apo edhe të paktën zyrtarë të Kryeministrisë nuk e kanë parë të arsyeshme të shkojnë në veri të Mitrovicës për ta parë gjendjen.

“Janë ministrat serbë në Qeverinë e Ramush Haradinajt që janë të kësaj pjese, por atyre nuk u intereson fare për mjediset shqiptare. Ka edhe deputetë serbë të pjesës veriore të Mitrovicës që interesohen vetëm për serbët dhe për mjediset serbe, por ka edhe shqiptarë të Mitrovicës në Kuvendin e Kosovës, të cilëve fare nuk u intereson se si jetojnë shqiptarët në veri të Mitrovicës. Është për keqardhje kjo gjendje, sikur mos me pas shtet, nuk ke as ku t’i adresosh nevojat e qytetarit shqiptar të veriut”, është shprehur ai.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i vendit që ta kthejë kokën nga shqiptarët e Mitrovicës së Veriut, sepse ata kanë nevojë për dorën e shtetit. 

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar 8 projekte, të cilat ia ka propozuar Qeverisë së Kosovës që t’i realizojë në veri të Mitrovicës në vitin 2018.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se janë 8 projekte që duhet përfunduar në vitin 2018 në Mitrovicën Verore. Sipas tij, në këto projekte përfshihen katër ministri: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Këto ministri duhet të përkujdesën që t’i realizojnë projektet me kohë dhe unë do të kërkoj informata të rregullta nga këto ministri”, tha Hoti, sipas të cilit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet t’i realizojë tri projekte: ndërtimi i kulmeve në 3 shtëpi në “Kodrën e Minatorëve”, ndërtimi i 10 shtëpive për çdo vit në lagjen “Kroi i Vitakut”, ndërtimi i dy shtëpive në “Lagjen e Boshnjakëve”.  “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet ta realizojë projektin e fasadimit të shkollës fillore ‘Aziz Sylejmani’ në veri të Mitrovicës dhe ndërtimin e shkollës fillore në ‘Lagjen e Boshnjakëve’. Ministria e Infrastrukturës duhet ta realizojë projektin e asfaltimit të rrugës ‘Sami Frashëri’ në gjatësi prej 300 metrash, si dhe asfaltimin e rrugës ‘Tirana’ në gjatësi prej 400 metrash në Mitrovicën Veriore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet patjetër ta rinovojë galerinë e arteve në Kullën e Ali Kadriut në lagjen ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës”, ka vlerësuar Hoti.