Vëllai i Agim Veliut emërohet u.d. i kryeshefit në 'Ibër-Lepenc'

Ekonomia February 02, 2018 - 07:48

Vëllai i kryetarit të Podujevës, Sami Veliu, është emëruar javën e kaluar u.d. i kryeshefit në ndërmarrjen “Ibër-Lepenci” në mbledhjen e parë që Bordi i kësaj ndërmarrjeje ka mbajtur për këtë vit, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Emërimi i Veliut në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së kryeshefit të deritanishëm, Januz Kabashit.

LEXO EDHE: “Lufta politike” për kryeinspektorin

Gazeta “Zëri” përmes një hulumtimi para dy javësh shkroi se rrëzimi i Kabashit, i cili është i afërt me LDK-në, ishte i pritshëm sidomos pas dy emërimeve politike që u bënë para dy javësh në Bordin e kësaj ndërmarrjeje.

Bëhet fjalë për ish-kreun e OVL-ve të UCK-së, Muharrem Xhemajlin dhe Liridon Zogianin, të dy pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Për më tepër, në rastin e Xhemajlit emërimi i tij nga shoqëria civile u cilësua edhe si i paligjshëm, meqë i njëjti ka qenë kandidat i PDK-së në zgjedhje.

Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike kjo përbën shkelje ligjore. “Ju informoj se Januz Kabashi për arsye personale me anë të një kërkese ka kërkuar nga Bordi i Drejtorëve lirim nga pozita aktuale si kryeshef ekzekutiv, kërkesë e cila është miratuar nga Bordi dhe më pas është emëruar Sami Veliu si u.d. i kryeshefit ekzekutiv në NH “Ibër-Lepenc”, ka thënë për gazetën Aida Sejdiu, shefe e Zyrës për Komunikim në “Ibër-Lepenc”.

Gazeta ”Zëri” përmes burimeve të sigurta mëson se Samiu është vëllai i kryetarit aktual të Podujevës Agim Veliut.

Deri në emërimin e tij në këtë pozitë ai ka mbajtur në “Ibër-Lepenc” pozitën e zyrtarit të lartë financiar.

Sejdiu po ashtu ka konfirmuar se në mbledhje kanë votuar edhe dy anëtarët me të rinj, Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogiani. Ndërsa ka mohuar të flasë rreth asaj nëse ky emërim ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Procedura ligjore për emërimin e kryeshefit dhe se a i ka plotësuar apo jo kriteret përcaktohet me Ligjin nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së  Kosovës dhe gjithashtu në Kodin e Etikes për Qeverisje Korporative”, ka shtuar ajo.

Kryeshefi i deritanishëm në “Ibër-Lepenc”, Januz Kabashi, nuk ka dashur të flasë rreth arsyeve që çuan në dorëheqjen e tij, megjithëse ka pranuar se për këtë vendim të tij ndikuan, siç ka thënë ai, “rrethana të jashtme”.

“Kam dhënë dorëheqje. Ashtu erdhën rrethanat. Ka përfunduar gjithçka”, ka thënë shkurt Kabashi.

Ai nuk ka pranuar të flasë rreth ndikimeve nga partitë e koalicionit qeverisës për të marrë kontrollin në ndërmarrjet publike.

Kabashi njihej si i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Para se të zgjidhej kryeshef në “Ibër-Lepenc” ka qenë drejtor për dy mandate në Komunën e Istogut nën udhëheqjen e Haki Rugovës. Këto ndryshime kanë ndodhur pas ndërrimit të Qeverisë dhe pas ardhjes në pushtet të koalicionit PAN.

Deri më tani shumicën në Bord e kanë pasur njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se për ta rrëzuar Kabashin anëtarët e PDK-së në këtë bord kanë arritur ta bindin njërin prej anëtarëve të LDK-së që në mbledhjen e radhës ta japë votën pro shkarkimit të kryeshefit aktual.

Kryesues i Bordit aktualisht është Fatos Sahiti, i cili është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut, Albiona Maloku është motra e Vlora Dumoshit.

I afërt me LDK-në aty njihet edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”.

Megjithatë në fund Kabashi dha dorëheqje duke e pamundësuar shkarkimin eventual.