“Lufta politike” për kryeinspektorin

Ekonomia February 01, 2018 - 08:33
Zëri mëson se pas ndërrimit të pushtetit, vitin e kaluar, kanë filluar apetitet e partive nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar kryeinspektorin aktual

Mbi 10 kandidatë sa kanë konkurruar për kryeinspektor të tregut në MTI po e presin qe dy muaj një vendim final nga institucionet për konkursin e shpallur nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Komisioni për Ankesa në MAP gjeti se shpallja e konkursit nuk kishte mbështetje ligjore, ndërsa rasti tani ka përfunduar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Më 14 nëntor të vitit të kaluar Ministria e Administratës Publike (MAP) ia shpalli konkursin kryeinspektorit aktual të tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lulzim Sylës.

Por kur kanë kaluar afër tre muaj, konkursi është bllokuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ((KPMSHCK). Dyshohet se me shpalljen e këtij konkursi MAP-i bëri shkelje të legjislacionit në fuqi.

Gazeta Zëri mëson se pas ndërrimit të pushtetit, vitin e kaluar, kanë filluar apetitet e partive nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar kryeinspektorin aktual.

Gazeta ka siguruar një vendim të Komisionit për Ankesa në MAP, sipas të cilit me konkursin e shpallur kjo Ministri ia ka mohuar në mënyrë ta padrejtë kryeinspektorit aktual Lulzim Sylës të drejtën për vazhdim të mandatit edhe për tre vjet.

LEXO EDHE: Nuk kalon propozim-vendimi i Bekim Jasharit për zonën ekonomike

Ky vendim erdhi pas një ankese të Sylës të ushtruar në MAP kundër konkursit të shpallur.

“Anulohet konkursi i shpallur më datën 14.11.2017, nga Ministria e Administratës Publike për pozitën ‘Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë’”, thuhet në vendimin e datës 24 nëntor të 2017-s të Komisionit për Ankesa për pozita të larta drejtuese.

Kryeinspektorit aktual i ka skaduar mandati në qershor të vitit të kaluar, por ai ka argumentuar në këtë Komision të drejtën e tij për vazhdim të mandatit edhe për tre vjet tjera.

Në këtë vendim thuhet se “pretendimet ankimore të ankuesit janë të qëndrueshme duke marrë për bazë se vendimi i Këshillit për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues me nr.03/2017, me anë të cilit i rekomandohet Qeverisë që të bëjë vazhdimin e mandatit të “Lulzim Sylës edhe për një mandat”.

Për më tepër, Komisioni i Ankesave në seancën e mbajtur më datën 24.11.2017, konsideron se Ministria e Administratës Publike duhet të bëjë anulimin e konkursit të shpallur më datën 14.11.2017 për pozitën “Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në MTI”.

Tutje në vendim i rekomandohet Sekretarisë së Këshillit për Pozita të Nivelit të Lartë Drejtues që të bëjë propozim për futjen në rend dite në mbledhjen e Qeverisë të rekomandimit për vazhdim të mandatit të Lulzim Sylës.

Kryeinspektori aktual Lulzim Syla ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk ka konkurruar në konkursin e ri, pasi e drejta për vazhdim të mandatit edhe për tre vjet është në anën e tij.  

Megjithatë, këto rekomandime nuk u morën parasysh nga Ministria e Administratës Publike. Kjo e fundit rastin për shqyrtim të mëtutjeshëm e dërgoi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

“Komisioni i Ankesave për Pozita të Larta Drejtuese e ka anuluar pozitën e kryeinspektorit në MTI. Lënda gjendet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës. Për detaje drejtohu te KPMSHCK-ja”, ka thënë Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në MAP.

Gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje edhe në këtë institucion. Kanë thënë se rasti ende po trajtohet.

“Ankesa është në fazën e mbledhjes së dëshmive për këtë procedurë të rekrutimit. Pas kompletimit të dosjes brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 60 ditësh Këshilli do të vendosë për ankesën”, ka thënë Behram Geci, nga KPMSHCK-ja.

Ndryshe, derisa institucionet të vendosin se çka do të bëhet me këtë konkurs, janë mbi 10 kandidatë që po presin të intervistohen për këtë pozitë.

Në anën tjetër, kryeinspektori aktual pret që konkursi të anulohet përfundimisht.