“Luftë” për kryeshefin e ''Ibër-Lepencit''

Ekonomia January 18, 2018 - 08:20

Qeveria e Kosovës dyshohet se ka emëruar jashtëligjshëm anëtar bordi në “Ibër-Lepenc” Muharrem Xhemajlin, ish-kreun e OVL-së së UÇK-së, si dhe njëherësh kandidat për deputet i PDK-së. Anëtar i ri është emëruar edhe Liridon Zogiani, po ashtu pjesë e PDK-së. Përmes këtyre dy anëtarëve të rinj pushteti po tenton të marrë kontroll të plotë në këtë ndërmarrje publike qendrore, duke bërë përpjekje për ta shkarkuar kryeshefin aktual, i cili është i afërm i LDK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë nisur “luftën” për të vendosur kontroll të plotë nëpër ndërmarrjet publike në vend. Qeveria e Kosovës ka emëruar dy anëtarë të rinj në Bordin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.

Ata janë Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogiani, të dy pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gazeta Zërimëson së koalicioni në pushtet përmes kësaj po synon ta rrëzojë kryeshefin aktual Januz Kabashin, i cili është i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Aktualisht shumicën në Bord e kanë njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Burime të besueshme të gazetës Zëribëjnë të ditur se për të arritur këtë qëllim anëtarët e PDK-së në këtë Bord kanë arritur ta bindin njërin prej anëtareve të LDK-së që në mbledhjen e radhës të japë votën pro shkarkimit të kryeshefit aktual.

LEXO EDHE: Serbia kërkon nga Kosova informata për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kryesuesi i Bordit aktualisht është Fatos Sahiti, i cili është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut, Albiona Maloku është motra e Vlora Dumoshit.

I afërt me LDK-në aty njihet edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”.

Kabashi para se të zgjidhej kryeshef në “Ibër-Lepenc” ka qenë drejtor për dy mandate në Komunën e Istogut, nën udhëheqjen e Haki Rugovës.

Për gazetën “Zëri” Kabashi ka pranuar se ka qenë drejtor në Komunën e Istogut, por ka thënë se si kryeshef është zgjedhur në mënyrë tërësisht të ligjshme.

“Po kam qenë drejtor për dy mandate në Komunën e Istogut. Nuk kam pasur post politik. I kam kaluar të gjitha procedurat në Antikorrupsion para se të zgjidhem”, ka thënë Shabani, i cili ka mohuar të ketë qenë pjesë e LDK-së, përveç si drejtor komune.

Ai ka thënë së është në dijeni për emërimet e reja, porse kjo i takon me ligj kryeministrit, siç edhe ka ndodhur me emërimet e Xhemajlit e të Zogianit.

Emërimi i ish-kreut të OVL-së së UÇK-së, i paligjshëm

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, dhe njëherësh kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit do të jetë anëtari më i ri në Bordin e ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Emërimi i Xhemajlit në këtë pozitë, përveç politik, nga shoqëria civile po vlerësohet edhe i paligjshëm pasi ai ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit.

Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike kandidati për deputet nuk guxon të emërohet në bordet e asnjë ndërmarrjeje publike.

Përkatësisht Neni 17.2 i këtij ligji përjashton të emëruarit politikë, bartësit e posteve udhëheqëse në parti politike apo kandidatët për poste të zgjedhura.

Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumentacionin për këtë rast, duke përfshirë këtu edhe vendimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Në këtë vendim, përveç Xhemajlit figuron edhe emri i Liridon Zogianit, i cili sipas burimeve të gazetës është po ashtu pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Procedura e emërimit të Xhemajlit e Zogianit

Sipas dokumentacionit që posedon gazeta “Zëri” emërimi i Xhemajlit dhe Zogianit është bërë pa konkurs sepse ata kanë qenë të zgjedhur në vitin 2015 përmes konkursit dhe nga një komision përkatës, siç kërkohet me ligj.

Megjithatë në vitin 2015 asnjëri prej tyre nuk e mori pozitën si anëtar bordi. Emrat e tyre mbeten në listën e pritjes, në të cilën tashmë është bazuar vendimi i kryeministrit.

Nga kjo listë, një kopje të së cilës e posedon gazeta “Zëri”, janë emrat e 15 anëtarëve. Në mesin e tyre edhe ai i Xhemajlit e i Zogianit.

Sipas pikëve të fituara në intervistë del se Xhemajli ka marrë 348 pikë dhe renditet i pesti, përderisa Zogiani ka marrë 337 pikë. Por ata nuk e fituan asokohe pozitën.

Në vend të tyre u emëruan Fatos Sahiti si kryesues i Bordit dhe anëtarët Bashkim Shabani, Albiona Maloku, Mërgim Lushtaku dhe Imer Hamiti. Prej tyre Mërgim Lushtaku e ka liruar pozitën qe tre muaj pas zgjedhjes deputet në Kuvendin e Kosovës. 

Abazi: Ftojmë Prokurorinë ta hetojë këtë rast

Nga ana tjetër nga shoqëria civile vlerësojnë së emërimi i ish-kreut të OVL-së së UÇK-së është i jashtëligjshëm.

Dardan Abazi, nga INDEP-i, ka thënë për “Zërin” se në rastin e Xhemajlit është shkelur rëndë Ligji për Ndërmarrjet Publike. Ai ka kërkuar nga institucionet relevante që të fillojnë menjëherë hetime për këtë rast.

“Këto emërime shkelin Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht Nenin 17.2 të ligjit që përjashton të emëruarit politikë, bartësit e posteve udhëheqëse në parti politike apo kandidatët për poste të zgjedhura”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, politizimi masiv i ndërmarrjeve publike ka dëmtuar pavarësinë e tyre, performancën në ofrimin e shërbimeve ndaj publikut dhe në aftësinë e tyre për të qenë ekonomikisht të arsyeshme.

“Ne kundërshtojmë politizimin e mëtejmë të ndërmarrjeve publike dhe i bëjmë thirrje Agjencisë Kundërkorrupsionit, Prokurorisë së Shtetit dhe organeve gjyqësore që t’i dalin në mbrojtje ligjshmërisë dhe parimeve të shtetit të barabartë”, ka thënë ai.