Serbia kërkon nga Kosova informata për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kronika January 18, 2018 - 08:08

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka konfirmuar se të mërkurën ka pranuar një shkresë nga ministria homologe e tij në Serbi. Ai ka sqaruar se shkresa e Ministrisë së Drejtësisë në Serbi nuk kërkon përfshirjen e autoriteteve të Beogradit në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por kërkon që prokuroria e shtetit serb të ketë informacione shtesë rreth vrasjes dhe zhvillimit të hetimeve, shkruan sot Gazeta "Zëri"
 
Gjatë ditës së djeshme arkivoli me trupin e pajetë të Oliver Ivanoviqit është nisur për t’u dërguar në Beograd, ku do të varroset gjatë ditës së sotme në po këtë qytet.

Qindra qytetarë kanë dalë në përcjellje të arkivolit deri në pikën kufitare me Serbinë.

Por vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq vazhdon të mbetet e paqartë, duke krijuar kështu edhe më tej zëra, të cilët kërkojnë zbardhjen e këtij rasti.

Përderisa Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit po merren në mënyrë intensive me këtë rast, Beogradi në anën tjetër ka kërkuar që të jetë i përfshirë në hetimet për rastin “Ivanoviq”, shkruan tutje "Zëri".

Këmbënguljes së tij për pjesëmarrje në hetime Prishtina zyrtare i është përgjigjur duke i treguar se do të informohet për çdo të re, por nuk do të përfshihet në hetim.

LEXO EDHE: Pezullimi i dialogut dëmton Kosovën

Kërkesë për të lejuar përfshirjen e Serbisë në hetimet për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, shteti serb i bëri edhe Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX. Kësaj kërkese EULEX-i është përgjigjur duke thënë se këto vendime i merr Qeveria e Kosovës e jo ata.

“Për këtë, se a do të përfshihet Serbia në hetimet për Oliver Ivanoviqin, do të vendosë Qeveria e Kosovës e jo EULEX".

Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj lidhur me vdekjen e Ivanoviqit ka thënë se nëse do të jetë e nevojshme do të kërkohet edhe ndihma e FBI-së.

Tahiri: Serbia nuk kërkoi të përfshihet në hetime

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka konfirmuar se të mërkurën ka pranuar një shkresë nga ministria homologe e tij në Serbi.

Ai ka sqaruar se shkresa e Ministrisë së Drejtësisë në Serbi nuk kërkon përfshirjen e autoriteteve të Beogradit në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por kërkon që prokuroria e shtetit serb të ketë informacione shtesë rreth vrasjes dhe zhvillimit të hetimeve.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar që Prokuroria në Beograd të ketë disa informacione shtesë për vrasjen e ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës Oliver Ivanoviq. Kërkesa i është adresuar ministrit të Drejtësisë kosovare, Abelard Tahiri, i cili po e shqyrton atë.

“E konfirmoj se kam marrë një shkresë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të djeshme, vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Shkresa e saj ka të bashkangjitur edhe një kërkesë të Prokurorisë së Republikës së Serbisë, ku në fakt kërkon disa informacione shtesë rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Tahiri.

Por një kërkese të tillë ai do t’i përgjigjet vetëm pasi të konsultohet me kryeprokurorin, me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Policinë e Kosovës.

Brnabiq: Kjo është pa dyshim një goditje e madhe për Serbinë

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka thënë se qeveria serbe do të ofrojë gjithë ndihmën e mundshme në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe se nëse Serbia nuk lejohet të marrë pjesë në hetim ajo do ta hetojë vetë.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e vështirë për Republikën e Serbisë. Ne gjithashtu mbajtëm një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Situata është e vështirë, shpresoj se do të mbetet e qetë, por kjo është pa dyshim një goditje e madhe si për Serbinë, ashtu edhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha ajo.

Ky reagim i shefes së ekzekutivit serb erdhi pikërisht në ditën kur para selisë së partisë së tij, Iniciativa Qytetare SDP, në veri të Mitrovicës u vra Oliver Ivanoviq.

EULEX-i dënon fuqishëm vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Edhe misioni i EULEX-it ka dënuar fuqishëm vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, i cili ndërroi jetë pasi mori pesë plumba mëngjesin e së martës. EULEX-i ka bërë thirrje për autoritetet e drejtësisë që të veprojnë shpejt dhe me efikasitet që të arrestojnë kryesit e kësaj vepre.

Ata përmes një komunikate për medie kanë bërë të ditur që janë të gatshëm të ofrojë përkrahje sipas mandatit që kanë.

Shefja e këtij Misioni, Alexandra Papadopoulou, i ka shprehur ngushëllime familjes Ivanoviq, përderisa ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë.

“Në emrin tim dhe të misionit të EULEX-it shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe miqve të zotit Ivanoviq. U bëj thirrje atyre që kanë ndonjë informacion relevant, i cili mund të çojë deri tek arrestimet e mundshme lidhur me vrasjen e z. Ivanoviqit që ta raportojnë atë tek autoritetet. Apeloj gjithë komunitetin që të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin në këto momente të vështira”, ka deklaruar Alexandra Papadopoulou.

Policia tregon për procesin e hetimeve ndaj Ivanoviqit

Policia e Kosovës është duke u marrë intensivisht me hetimin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviqit, i cili u vra dje (e martë) para selisë së partisë që ai drejtonte, të paktën kështu bëri të ditur për “Zërin” zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Hoti në një prononcim për “Zërin” ka thënë se vazhdimisht po punohet në këtë proces dhe materialet që deri më tani janë siguruar janë duke u kontrolluar.

“Kjo është një situatë mjaft komplekse dhe e kemi grupin punues që është duke punuar në këtë proces në mënyrë intensive qysh nga dita e djeshme, pa ndërprerë dhe tash ata kanë një mori materialesh që duhet t’i kontrollojnë, xhirimet, kamerat e sigurisë që kanë marrë në lokacione të ndryshme, pastaj strategjitë të ndryshme që duhet t’i punojmë drejt ndarjes së punëve që kanë hetuesit policorë”, ka thënë Hoti. Informatat e tjera, sipas tij, janë tejet të ndjeshme dhe janë informacione të qasshme për hetuesit policorë e për Prokurorinë.

“Nuk mund të jap asnjë informacion që mund të jetë i vlefshëm për opinionin publik, për faktin se jodomosdo të gjithë kanë qasje në ato informacione. Është kjo faza kur punohen të dhënat që i kanë në dispozicion hetuesit policorë dhe kjo kërkon një proces më të gjatë dhe nuk është çështje njëorëshe apo dyorëshe”, ka shtuar ai.

Sot varroset Oliver Ivanoviq

Gjatë ditës së djeshme u bë përcjellja e Oliver Ivanoviqit nga një numër i madh i qytetarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, por edhe nga pjesë të tjera të Kosovës e nga Serbia që ia dhanë nderimet e fundit liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviqit, i cili u vra dje nga persona ende të panjohur. Homazhe u bënë deri në orën 11:00, kur arkivoli me trupin e tij dhe kortezhi kaluan nëpër rrugën kryesore të Mitrovicës Veriore prej nga u përcoll për në Beograd, ku gjatë ditës së sotme do të varroset, thuhet në raportimin e medieve serbe.

Sipas njoftimit nga mediet serbe, Ivanoviq sot në orën 12 e 30 minuta do të varroset me nderime në Alenë e të Shquarve të Varrezave të Reja në Beograd. Është paralajmëruar pjesëmarrja e shumë serbëve të Kosovës në këtë varrim, ndërsa dita e sotme në Mitrovicën e Veriut është paralajmëruar se do të jetë ditë zie.

Vazhdojnë reagimet për vdekjen e Ivanoviqit

Në anën tjetër reagimet lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, me këtë rast edhe ministri britanik për Evropë Alan Duncan ka komentuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë, duke thënë se janë të shqetësuar dhe të tronditur me aktin e djeshëm.

Alan Duncan ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe nga institucionet tjera që të hetojnë në tërësi këtë incident dhe t’i sjellin përgjegjësit para drejtësisë.

“Ne jemi thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar nga vrasja e Oliver Ivanoviqit. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sundimit të ligjit që të hetojnë në tërësi këtë incident dhe t'i sjellin përgjegjësit para drejtësisë sa më parë”, ka thënë Duncan.

Më tej duke komentuar vrasjen e Ivanoviqit, Alan Duncan ka thënë se është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor politikanët të veprojnë pa frikë.

Ndërsa Tim Judah, njohës i zhvillimeve në Ballkan, thotë se qytetarët që jetojnë në Mitrovicë të Veriut besojnë që fajtorët e kësaj vrasjeje të bujshme janë në veri të Kosovës. Sipas tij, gjurmët shkojnë nga veriu e jo nga jugu, një koment të tillë ai e bëri në rrjetin social “Twitter”.