Për 11 muaj bankat fituan 82 milionë euro

Ekonomia January 15, 2018 - 08:20

Gjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë së bashku kanë realizuar një profit neto prej hiç më pak se 82 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë kësaj periudhe kohore të hyrat e bankave kanë qenë 221 milionë euro, ku nga kjo shumë 162 milionë euro janë të hyra nga interesi.

E në anën tjetër gjatë periudhës së njëjtë kohore shpenzimet operative të bankave që operojnë në vendin tonë kanë arritur në 139 milionë euro.

LEXO EDHE: Në Kosovë janë 25 mijë përdorues të narkotikëve

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se deri në fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas vlera e kredive ka arritur në 2.4 miliardë euro e ku shihet një rritje prej 11,2 për qind derisa në anën tjetër gjatë periudhës së njëjtë kohore depozitat kanë arritur në 3 miliardë euro e ku ka një rritje prej 8,2 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan tutje "Zëri".

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore norma e interesit në kredi ka arritur në 6,7 për qind, ku për ekonomi familjare ajo ka qenë 7,6 për qind derisa për ndërmarrje 6,3 për qind.

E në anën tjetër norma e interesit në depozita edhe më tutje vazhdon të jenë në nivel minimal prej 1 për qind.

Njëmbëdhjetë muajt e vitit që lamë pas po ashtu kanë qenë shumë të suksesshme edhe për 18 institucione mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë e ku të gjitha së bashku kanë arritur ta realizojnë një profit neto prej 7.6 milionë eurosh.

Norma mesatare e interesit në kredi në institucionet mikrofinanciare edhe më tutje mbetet e lartë e ku sipas të dhënave të fundit të BQK-së ajo ka qenë në 22,8 për qind.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se vlera totale e aseteve e institucioneve mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë është 191.6 milionë euro e derisa 94,1 për qind e pronësisë së tyre është e huaj.

Po ashtu viti që lamë pas ka qenë i suksesshëm edhe për kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë e ku këto për herë të parë gjatë viteve të fundit kanë mbyllur vitin me bilanc pozitiv duke regjistruar një profit neto prej 3.2 milionë eurosh.