Në Kosovë janë 25 mijë përdorues të narkotikëve

Aktuale January 15, 2018 - 08:06

Sipas një hulumtimi të realizuar nga qendra rehabilituese “Labyrinth” del se në Kosovë janë rreth 5.000 përdorues problematikë të drogës, ndërsa 20 mijë të tjerë përdorin narkotikët kohë pas kohe. Statistikat tregojnë se për 15 vjet nga përdorimi i narkotikëve kanë vdekur 85 persona, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Viteve të fundit në Kosovë është shtuar numri i përdoruesve të substancave narkotike, ku sipas një hulumtimi të realizuar nga qendra rehabilituese “Labyrinth” del se në Kosovë janë rreth 5.000 përdorues problematikë të drogës, ndërsa 20 mijë të tjerë përdorin narkotikët kohë pas kohe.

Sa i përket rasteve penale me narkotikë, Policia e Kosovës për periudhën janar - nëntor të vitit të kaluar kishte arrestuar 1.203 persona, për dallim nga viti 2016 që të arrestuar ishin 874 persona.

Sipas statistikave të dërguara nga Policia për Zërin shihet se meshkujt janë përdorues më të mëdhenj të substancave narkotike sesa femrat, ndërsa marihuana është substanca e cila është konfiskuar më së shumti.

LEXO EDHE: Serbët mbajnë peng urën dhe definimin e kufirit

Në anën tjetër, numri i madh i të rinjve që përdorin këto substanca e ka shtyrë Policinë që të zhvillojë aktivitete për ndalimin e dukurive të tilla nëpër shkolla.

Statistikat e publikuara nga organizata “Labyrinth” tregojnë se për 15 vjet kanë vdekur 85 persona nga përdorimi i substancave narkotike.

Psikologët thonë se përdorimi i këtyre substancave shkakton pasoja në sjellje dhe në shëndetin e njeriut, ndërsa ekspertë kërkojnë që të formohen institucione të cilat do të merren me vetëdijesimin e gjeneratave të reja.

Policia e Kosovës: Mbi 1.000 arrestime vetëm në vitin 2017

Përfaqësues të Policisë së Kosovës kanë thënë për gazetën “Zëri” se sa i përket përdorimit të substancave narkotike ajo vetëm gjatë vitit 2017 ka arrestuar rreth 1203 persona, ndërsa 1491 persona të tjerë kanë qenë të dyshimtë.

“Janë të arrestuar 1203 persona, ndërsa të dyshimtë janë 1491. Prej tyre janë 1440 meshkuj dhe 51 femra. 196 raste të trafikimit dhe 913 persona kanë pasur në posedim substanca narkotike dhe 31 kanë kultivuar këto substanca”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Numri i madh i të rinjve që përdorin substanca narkotike ka shtyrë Policinë e Kosovës që të zhvillojë aktivitete në parandalimin e këtyre dukurive.

“Gjatë periudhës janar – tetor 2017 Policia e Kosovës në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në tërë institucionet e arsimit parauniversitar të Republikës së Kosovës ka organizuar aktivitete parandaluese dhe ligjërata vetëdijesuese për nxënësit rreth dukurive të ndryshme negative. Përveç ligjëratave dhe takimeve të drejtpërdrejta me nxënës Policia e Kosovës ka shpërndarë edhe broshura me tema të ndryshme vetëdijesuese, ku njëra nga to është parandalimi i pasojave nga përdorimi i substancave narkotike”, ka shtuar ajo.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës ka treguar se ajo mban edhe evidenca rreth incidenteve në shkolla.

“Policia për incidentet nëpër shkolla dhe përreth tyre mban evidenca, i vlerëson ato dhe në bazë të të gjeturave organizohen aktivitetet parandaluese. Sa i përket interesimit tuaj për rastet e posedimit të lëndëve narkotike (kryesisht marihuanë) gjatë dhjetë muajve të këtij viti janë shënuar 21 raste të tilla”, ka thënë ajo.

“Labyrinth”-i: Për 15 vjet 85 persona kanë vdekur nga droga

Në një hulumtimi nga qendra rehabilituese “Labyrinth” thuhet se të dhënat statistikore në nivelin kombëtar për përdorim të drogës nuk ka, por që sipas hulumtimeve të ndryshme dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve të kësaj fushe janë rreth 5000 përdorues problematikë të drogës, ndërsa 20-25 mijë përdorues rekreativë të drogave.

Sipas të dhënave të publikuara po nga kjo organizatë, që nga viti 2002 deri në vitin 2017 kjo organizatë në databazën e tyre ka pasur 1205 klientë të regjistruar, ku siç thuhet, nga këta klientë 85 prej tyre janë të regjistruar si të vdekur.

“Prej 85 klientëve të regjistruar si të vdekur, 77 janë meshkuj dhe 8 janë femra. Të gjithë klientët e regjistruar si të vdekur ishin ‘Polydrug users’, përpos heroinës që ishte drogë primare e të gjithëve ata po ashtu kishin përdorur: Metadon, THC, Trodon, Kokainë, Benzodiazepinë, Ekstazi, Heroinë dhe Kokainë bashkë (Koktel), Amfetaminë, Krak, Antiparkinson, LSD, Buprenorfinë, Ketaminë dhe Morfinë. 65,88% ose 56 klientë të regjistruar si të vdekur substancën e parë kanë pasur THC, 24 ose 28,23% me heroinë dhe 5 ose 5,88% kishin filluar me kokainë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Sipas statistikave të tyre, arsyet e vdekjeve ishin: mbidoza fatale (70 klientë), vetëvrasja (7 klientë), problemet shëndetësore (5 klientë) dhe të vrarë (3 klinetë).

Shqetësimi kryesor sipas kësaj organizate është që aktualisht është prezent trendi i përdorimit të njëkohshëm i shumë llojeve të drogave, e cila është shumë e rrezikshme dhe mund të çojë deri në mbidozë fatale.

Demelezi Sejdiu: Përdorimi i drogës dhe i alkoolit, pasoja në shëndet dhe në sjellje

Psikologjia, Dritë Demelezi-Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se përdorimi i drogës dhe i alkoolit mund të lërë pasoja në shëndetin e të rinjve.

“Konsumimi i drogës dhe i alkoolit shkaktojnë pasoja në shëndetin e të rinjve, duke shkaktuar dëmtimin e organeve të brendshme, ndryshime hormonale, probleme me frymëmarrjen, çrregullime psikike (ankth, depresion, psikoza), imunitet të dobët, po ashtu shkaktojnë edhe ndryshime në trurin e të rinjve: probleme me përqendrim, krijojnë varësi, dëmtojnë aftësinë e të mësuarit, kujtesë të dobët dhe ndryshime permanente në sistemin nervor”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, përdoruesit e lëndëve narkotike përballen me ndryshime emocionale.

“Sipas hulumtimeve, të rinjtë që konsumojnë drogë dhe alkool po ashtu pësojnë ndryshime edhe në sjelljen e tyre: përballen me ndryshime emocionale, ndryshime në personalitet, ulje të motivacionit, shkëputje nga marrëdhëniet ndërpersonale, mund të përfshihen në sjellje dekonstruktive: përleshje, vjedhje, agresivitet dhe armiqësi. Rekomandojë prindërit që të krijojnë komunikim të mirëfilltë në mënyrë të vazhdueshme me fëmijët e tyre dhe të jenë të vëmendshëm ndaj sjelljeve të tyre, kështu të parandalojnë përdorimin e drogës dhe të alkoolit tek ata”, ka thënë ajo. Sejdiu ka konsideruar se të rinjtë fillojnë të përdorin drogën dhe alkoolin nga kureshtja.

“Përdorimi i lëndëve narkotike dhe i alkoolit nga të rinjtë fatkeqësisht është në rritje. Shumica e psikologëve pohojnë se të rinjtë fillojnë përdorimin e drogës dhe të alkoolit nga kureshtja për ta provuar se si ndihen nën ndikimin e tyre, kurse arsyeja e vazhdimit të përdorimit janë konfliktet personale dhe me të tjerët, po ashtu pakënaqësitë me jetën e tyre”, ka shtuar ajo.

Islami: Rritje drastike e përdoruesve, familjet t’i kontrollojnë fëmijët e tyre

Eksperti i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka thënë për “Zërin” se numri i përdoruesve të substancave narkotike në Kosovë është rritur në mënyrë drastike pa i ditur pasojat dhe si bëhet përdorimi i tyre.

“Janë vendet e Perëndimit ku përdoren drogat e lehta dhe njerëzit e dinë saktësisht mënyrën e përdorimit dhe kësisoj nuk e rrezikojnë jetën. Tek ne është e kundërta. Na mungojnë mekanizmat institucionalë, të cilët nuk e kontrollojnë drogën dhe nuk ka programe të mjaftueshme për të rinjtë që po bien pre e drogave, të cilët në të shumtën e rasteve po humbin edhe jetën”, ka thënë ai.

Islami ka shtuar se institucionet duhet të ndërmarrin veprime të nevojshme dhe se familjet t’i kontrollojnë fëmijët e tyre.

“Unë do të doja të ndahen mjete buxhetore nga Qeveria e Kosovës, nga kuvendet komunale, mandej të rriten edhe donatorët e jashtëm në mënyrë që edhe të formohen institucione, të cilat do të merren së pari me vetëdijesimin e gjeneratave të reja. Në të njëjtën kohë të formohen institucione që merren me rehabilitimin e tyre dhe një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe familja, e cila nuk po merret me fëmijët e tyre sa duhet”, ka thënë ai.