Lirohen pronat e uzurpuara të AKP-së në veri të Mitrovicës

Ekonomia December 28, 2017 - 08:09

Drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, në një konferencë me medie në Prishtinë ka thënë se të mërkurën është zhvilluar aksioni i lirimit të pronave të AKP-së në veri të Mitrovicës. Gazeta "Zëri" ka mësuar se kanë qenë edhe 7 lokale afariste të ish-LUX-it që kanë mbetur të uzurpuara, ndonëse një aksion për lirimin e tyre ishte ndërmarrë në marsin e vitit 2015

Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, në një konferencë me gazetarë, të mërkurën në Prishtinë, ka njoftuar se në veri të Mitrovicës është zhvilluar aksioni i lirimit të pronave të AKP-së, të uzurpuara nga serbët që përfundimi i luftës.

Shumica e lokaleve dhe objekteve që ishin uzurpuar nga serbët kanë qenë prona të ndërmarrjes tregtare shoqërore LUX, ndonëse disa prej tyre ishin blerë në njërën nga valët e privatizimit nga shqiptarët, por që serbët nuk i lironin.

LEXO EDHE: Demarkacioni 'në duar' të kryeministrave

Njëra prej tyre ka qenë edhe kafeneja e njohur “Dolce Vita” në cep të urës së Ibrit në pjesën veriore, në të cilën rëndom qëndronin të ashtuquajturat “Roja të Urës”, të cilat nga aty ua zinin pritën shqiptarëve që kalonin urën për të shkuar në pronat e tyre në veri.

“Sot përderisa po flasim me gjasë kolegët tanë nga terreni, konkretisht në Zyrën Rajonale të Mitrovicës, janë në bashkëpunim me Policinë, duke planifikuar edhe aksionin e fundit për këtë vit për t’i liruar edhe disa asete të cilat kanë mbetur 3-4 të fundit në veri të Mitrovicës. Ngase ne në bazë të informatave që kemi besojmë që ky numër do të arrijë edhe në zero. Do të eliminohet e gjithë lista e uzurpatoreve, shumica e uzurpatorëve serbë që kanë shprehur dëshirën më në fund që të ulen dhe të nënshkruajnë kontrata për qiramarrje me AKP-në”, tha Hajdari.

Gazeta ka mësuar se kanë qenë edhe saktësisht 7 lokale afariste të ish-LUX-it që mbaheshin të uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës. Deri atëherë AKP-ja kishte arritur t’i lirojë 130 lokale të ndryshme në veri të Mitrovicës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte ndërmarrë një aksion me Polici për lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore në veri (7 lokale afariste të ish-LUX-it) me 18 maj 2015, por aksioni nuk ishte lejuar nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Që atëherë në AKP patën thënë se janë liruar 130 lokale dhe objekte shoqërore, të cilat kanë qenë të uzurpuara, por pezullimi i aksionit është bërë në koordinim me Policinë e Kosovës në veri. Agjencia Kosovare e Privatizimit pati konfirmuar se kishte shtyrë aksionin për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të uzurpuara në veri të Mitrovicës, siç thuhej “në bashkëpunim të plotë dhe në koordinim me Policinë e Kosovës”.

“Pezullimi i lirimit të pronave shoqërore në veri të Mitrovicës nuk ka lidhje me ndonjë mossukses të institucioneve, sepse aksioni është pezulluar më herët”, patën thënë në AKP.

Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati garantuar se Komuna do të pengojë “çfarëdo aksioni kaubojsh që ndërmerret”, duke siguruar se Komuna është syhapur dhe e gatshme për të mos lejuar kurrfarë aksioni.

Një aksion i njëjtë për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të ndërmarrjes tregtare LUX ishte ndërmarrë për herë të parë në marsin e vitit 2015. Edhe atëherë ishte planifikuar një aksion i gjerë i lirimit të pronave shoqërore të uzurpuara, që ndodhen në rrugën “Mbreti Peter”.

AKP-ja atëherë ishte përpjekur t’i privatizojë rreth 10 lokale të LUX-it me sipërfaqe më të mëdha, të cilat ndodhen në rrugën kryesore të Mitrovicës së Veriut, por procesi i privatizimit megjithatë ishte shtyrë derisa të formohej Bordi i AKP-së.

Pas shtyrjes Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, kishte kërkuar që vendimi për shtyrje të privatizimit të mbetet në fuqi edhe pas kompletimit të Bordit të AKP-së.

Rakiq edhe atëherë ishte zotuar se “me të gjitha mjetet demokratike do të pengohet ky aksion kaubojsh”. Deri në marsin e vitit 2015 në veri të Mitrovicës janë privatizuar 75 lokale dhe objekte të ish-ndërmarrjes shoqërore LUX.

Ndryshe, për aksionin për lirimin e pronave të AKP-së në veri të Mitrovicës, të mërkurën, për të cilin ka folur drejtori menaxhues i AKP-së Ekrem Hajdari, nuk ka asnjë informacion.

Mediet në Mitrovicë, të mërkurën, janë marrë vetëm me vrasjen që ka ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve”.