Demarkacioni 'në duar' të kryeministrave

Aktuale December 28, 2017 - 07:54

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në pjesën e dytë të muajit janar, me ç’rast me homologun e tij kosovar Ramush Haradinajn pritet të diskutojë për demarkacionin mes dy vendeve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Qeveria e Kosovës tashmë ia ka përcjellë Kuvendit Marrëveshjen e Demarkacionit (bashkë me raportin e Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi), por ende nuk dihet saktë se kur kjo marrëveshje do të procedohet për votim.

Nga Kryesia thonë se një gjë e tillë do të ndodhë pasi kjo marrëveshje të shqyrtohet nga komisionet parlamentare.

LEXO EDHE: Haliti: S’është i lehtë shfuqizimi i Speciales

Sipas përfaqësuesve të saj, Demarkacioni mund të dalë për votim pas pushimit (në njërën prej seancave) po qe se arrihet pajtueshmëri. Në të kundërtën, sipas tyre, kjo marrëveshje është më mirë të mos shkojë fare para deputetëve.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partisë opozitare të LDK-së konsiderojnë se Demarkacioni është përdorur për qëllime politike nga disa parti.

Sipas tyre, nuk ka fare kuptim që Qeveria ta nisë në Kuvend Demarkacionin dhe të bëjë thirrje që të mos votohet.

Qeveria: Kryeministri i Malit të Zi e ka pranuar ftesën, po punohet në harmonizim të agjendës

Dakordimi mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi për vizitën në Kosovë, sipas Zyrës për Informim në Qeveri, është arritur gjatë vizitës së fundit në Bruksel që patën kryeministrat e vendeve të Ballkanit.

“Kryeministri Haradinaj ka takuar kryeministrin e Malit të Zi në Bruksel në kuadër të takimit të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe e ka ftuar për vizitë në Kosovë ndërmjet datave 20 dhe 30 janar 2018. Kryeministri i Malit të Zi e ka pranuar ftesën dhe tani po punohet në harmonizimin e agjendës së vizitës. Vizita e kryeministrit të Malit të Zi është e para e këtij niveli në Kosovë që prej pavarësisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Qeverisë dhënë gazetës “Zëri”.

Në këtë përgjigje është bërë e ditur se pos çështjeve të tjera do të diskutohet edhe rreth Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë, thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe edhe ajo e vijës kufitare ndërmjet Kosovës e Malit të Zi janë tema që ngrihen në një vizitë të këtij lloji”, thuhet tutje.

Ndërkohë, sa i përket epilogut të kësaj marrëveshjeje nga ekzekutivi kanë thënë se tashmë u takon deputetëve të vendosin për këtë çështje.

Haliti: Nëse ka pajtueshmëri Demarkacioni mund të shkojë në seancë pas pushimit

Megjithëkëtë, nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti, ka thënë se ende nuk dihet se kur do të dalë për votim kjo marrëveshje, porse një gjë e tillë do të ndodhë pas përfundimit të pushimit të deputetëve.

“Qeveria e ka dërguar në Kuvend, por janë duke e shikuar komisionet përkatëse, pastaj në qoftë se ka një pajtueshmëri ajo mund të vijë në një nga seancat e radhës pas pushimeve”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, ka vlerësuar se po qe se nuk janë votat për miratim kjo marrëveshje është më mirë të mos dalë fare në rend dite. “Unë mendoj që në secilin rast nëse kjo çështje nuk miratohet në Kuvend nuk duhet të futet në seancë”, është shprehur ai.

Hoti: Disa parti duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme dhe të kërkojnë falje

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke folur rreth Demarkacionit ka thënë se është e pakuptimtë që Qeveria ta nisë një ligj në Kuvend dhe t’i porosisë deputetët që të mos e votojnë atë.

“Ramush Haradinaj e ka votuar marrëveshjen në Qeveri dhe e ka sjellë në Kuvend. Kjo është anomalia e radhës së kësaj Qeverie sepse është kryeministri që flet në emër të Qeverisë. Nuk ka kuptim që Qeveria të sjellë ligje në Kuvend dhe t’i thotë Kuvendit mos i voto. Ka gjithashtu mospajtime në mes të partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, për të tilla çështje të mëdha është i nevojshëm konsensusi politik. Por, siç thotë Hoti, disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme dhe të kërkojnë falje. Pa asnjë argument të vetëm, sipas Hotit, disa prej partive e kanë kthyer Demarkacionin në kauzë politike.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë, siç ka qenë gjithmonë. Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje i ka lënë qytetarët të izoluar. Pa asnjë argument disa parti politike e kanë bërë këtë çështje kauzë të veprimit të tyre politik. Tash janë zhveshur nga çdo argument i paqenë që kanë pasur dhe nuk dinë si të veprojnë”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.