Haliti: S’është i lehtë shfuqizimi i Speciales

Aktuale December 28, 2017 - 07:45

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale nuk është proces i lehtë. Sipas tij, para se të themelohej kjo Gjykatë Kosova ka arritur një marrëveshje me BE-në, që i ka ndarë 300 milionë euro. Gjithashtu mjete financiare, siç ka thënë ai, ka ndarë edhe SHBA-ja 

Numri dy i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, e sheh si të vështirë iniciativën e deputetëve për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

Haliti ka deklaruar për gazetënZëri se para se të themelohej kjo Gjykatë Kosova ka bërë marrëveshje me Bashkimin Evropian, të cilët i kanë ndarë 300 milionë euro.

“Shfuqizimi i Speciales nuk është proces i lehtë. Ne si shtet kemi një marrëveshje me Bashkimin Evropian, të cilët kanë ndarë 300 milionë euro për Gjykatën Speciale. Sa e di unë, edhe SHBA-ja ka ndarë një pjesë të mjeteve për Gjykatën. Së treti, Kosova ka bërë një marrëveshje me Holandën sa i përket kësaj çështjeje dhe ky shtet i BE-së e ka miratuar marrëveshjen. Nuk është e lehtë që ne të ndërmarrim hapa, të cilët i prishin gjithë këto marrëveshje”, ka bërë të ditur Haliti.

Por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për REL ka deklaruar se nuk i inkurajon deputetët rreth kësaj nisme, por nëse Kuvendi e aprovon atë do ta nënshkruante si president.

“Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për ta sfiduar Gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia”, ka deklaruar në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurteshi: Nuk do të bëhemi vegël e Thaçit

Ndërsa deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë se të gjitha angazhimet e presidentit për Specialen kanë qenë shumë të dëmshme.

Tani, sipas tij, këto gjëra po bëhen për interesa personale dhe tha se LVV-ja nuk e ndërron qëndrimin që ka për Specialen, por edhe se nuk do të behet argat i interesave të presidentit.

“Ne si LVV e konsiderojmë të dëmshme themelimin e Gjykatës Speciale. Ne qëndrimin nuk e ndërrojmë, por nuk do të bëhemi vegël dhe nuk do të jemi në shërbim të interesave personale të Hashim Thaçit”, tha ai.

Kurteshi nuk ka treguar se si do të votojë “Vetëvendosja” për këtë çështje, por është treguar i bindur që kjo nuk do të vijë në Kuvend.

“Ne marrim vendime si Grup parlamentar. Ende nuk kemi ndonjë qëndrim, sepse as që presim se ajo do të vijë në Kuvend”, ka shtuar ai.

Avdyli: Shfuqizimi i Speciales, për interesa personale

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, nismën për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale e ka vlerësuar si të dëmshme për vendin.

“Tash kur janë shterur të gjitha diskutimet, shumë vjet përpara kur Gjykata Speciale ka filluar të veprojë, të riaktualizohet kjo temë mendoj që është një dështim, e pamenduar mirë dhe shumë e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Avdyli më tutje ka thënë se me anë të këtyre veprimeve mund të shfaqen trazira dhe humbësi më i madh në këtë drejtim është vetëm Kosova.

Ai thekson se kërkesa për shfuqizimin e Speciales ka ardhur si pasojë e interesave personale.

Ismajli: Shfuqizimi i Speciales na kthen mbrapa

Dashnim Ismajli, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka thënë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale është një nismë e papërgjegjshme, e cila e kthen Kosovën prapa.

“Një kërkesë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk shkon në favor të Kosovës dhe perspektivës së saj, përkundrazi një tentativë e tillë kthen Kosovën mbrapa, duke kthyer rolin e bashkësisë ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244, ku përgjegjësit për ndërtimin e një gjykate të kësaj natyre do të bien nën kompetencën e OKB-së. “Andaj unë këtë veprim e shoh si mjaft të rrezikshëm, përpos që këto veprime janë të papërgjegjshme, njëkohësisht do të prodhojnë edhe regres në procesin e shtetndërtimit dhe demokratizimit të shtetit”.

Ai tha se zhbërja e kësaj Gjykate do t’i ngrijë marrëdhëniet me aleatët dhe do ta stopojë rrugën e integrimeve dhe se një nismë e tillë është bërë për interesa të personave të caktuar.

“Mendoj se veprimet e tilla po bëhen më shumë për interesin e disa personave dhe assesi për interesin e Kosovës. Andaj unë e shoh këtë veprim të papërgjegjshëm dhe vetëm në saje të interesave të ngushta të disa individëve”,

Ai tha se Gjykata ka gjasa të shfuqizohet, megjithatë, sipas tij, humbësi më i madh në këtë proces do të ishte Kosova.