Qeveria s’ka hise në 'Kosovën e Re'

Ekonomia December 20, 2017 - 08:28

Qeveria e Kosovës nuk do të ketë asnjë për qind të aksioneve në termocentralin e ri “Kosova e Re”, i cili pritet të ndërtohet në vitet në vijim.

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kanë bërë të ditur për gazetën Zërise investitori “Contour Global” do ta financojë gjithë projektin TC “Kosova e Re”.

“Nga shuma totale 30% do të jenë mjete vetanake të investitorit, kurse pjesën tjetër ‘Contour Global’ do ta sigurojë me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Termocentrali ‘Kosova e Re’ është investim privat, pra nga investitori ‘Contour Global’ dhe pronësia do t’i takojë investitorit për 20 vjetët e para të jetëgjatësisë së termocentralit. Pastaj pas 20 vjetësh operimi investitori do t’ia kalojë pronësinë Qeverisë së Kosovës pa asnjë kosto. Nuk është paraparë që Qeveria të bëhet aksionare në këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së dërguar gazetësZëri.

LEXO EDHE: Qytetarët paguan mbi 100 milionë euro për rrymën e serbëve të veriut

Aty më tutje bëhet e ditur se termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në afërsi të termocentralit “Kosova B” dhe për këtë pjesë nuk parashihen shpronësime pasi që vendi i ndërtimit është pronë e KEK-ut dhe për lokacionin do të nënshkruhet një marrëveshje e veçantë komerciale.

“Sipërfaqja e përafërt është rreth 10 hektarë. Këtu përveç ndërtimit të termocentralit përfshihet edhe hapësira e paraparë për depozitim të karbonit”, thuhet në fund të përgjigjes së MZHE-së. 

Përndryshe para një jave Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas një njoftimi për medie nga Qeveria e Kosovës, marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet në ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi një miliard euro.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

“Pas finalizimit ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe për popullin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm me kapacitet prej 500 megavatesh. Me komponentin e koogjenerimit për ngrohjen qendrore do të ketë kapacitet shumë më të madh për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, të Obiliqit, të Drenasit dhe të Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.