Qytetarët paguan mbi 100 milionë euro për rrymën e serbëve të veriut

Ekonomia December 20, 2017 - 08:16

Me vendim të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, (ZRREE-së), më shumë se 100 milionë euro llogaritet të jetë shuma e mjeteve që qytetarët e Kosovës kanë paguar për energjinë elektrike, të cilën e kanë shpenzuar qytetarët serbë në veri të vendit që nga përfundimi i luftës e deri më tash, e gjithë energjia që është shpenzuar në veri u është ndarë në mënyrë proporcionale të gjithë qytetarëve tjerë në gjithë Kosovën.

Në prill të këtij viti, përmes një hulumtimi të gjatë, gazetaZëri kishte zbuluar se për çdo vit qytetarët shqiptarë për këtë qëllim kishin paguar më shumë se 8 milionë euro në vit.

Menjëherë pas publikimit të hulumtimit Zyra e Avokatit të Popullit kishte nisur një hetim e ku kishte gjetur shkelje të mëdha ligjore dhe kishte kërkuar nga ZRREE-ja që urgjentisht ta ndalë një praktikë të tillë të kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri në faturat e të gjithë konsumatorëve në pjesën tjetër të vendit.

LEXO EDHE: Qytetarët protestojnë për shtrejtimin e rrymës (Video/Foto)

Mirëpo, një vendim të tillë ZRREE-ja kishte refuzuar të zbatojë, më ç’rast Zyra e Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, shkruan tutje "Zëri".

Gjykata brenda një kohe relativisht të shkurtër kishte nxjerrë një vendim në favor të kërkesës së Avokatit të Popullit, por sërish me këtë vendim nuk është pajtuar ZRREE-ja dhe i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit.

Por më në fund Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe nga një dhjetori i këtij viti faturat e energjisë do të jenë më të ulëta për 3,5 për qind në muaj. Ta zëmë, nëse një familje brenda një muaji ka shpenzuar 100 euro, nga ky muaj faturat e tyre do të jenë më të ulëta për 3.5 euro.

ZRREE: Energjia e pafaturuar në veri është rreth 8 milionë euro në vit

Adelina Murtezaj-Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRREE, thotë se sipas raporteve që merr ZRRE-ja nga operatorët e licencuar sasia e energjisë së pafaturuar në pjesën veriore të Kosovës është rreth 250 gigavatë orë energji elektrike. 

Sipas saj, kjo vlerë përbën rreth 5% të kërkesës së shpërndarjes së energjisë elektrike në vend.

“Duke llogaritur këtë sasi të energjisë elektrike të pafaturuar me çmim mesatar të blerjes së energjisë (çmimi i gjenerimit plus importet) vlera e përgjithshme e energjisë së pafaturuar në veri të Kosovës del të jetë rreth 8 milionë euro në vit”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Ajo më tutje thotë se duke u bazuar në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, ZRREE-ja është e obliguar që t’i njohë humbjet e arsyeshme të operatorëve.

Sipas saj, për humbjet e veriut ZRREE-ja nuk ka marrë vendim të veçantë, por gjatë shqyrtimeve të kërkesave të operatorëve ka konsideruar se ulja e këtyre humbjeve është jashtë ndikimit të të licencuarve dhe me qëllim të ruajtjes së sistemit dhe të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike ka vendosur t'i pranojë si pjesë e humbjeve të arsyeshme.

“Të gjitha shqyrtimet tarifore ZRREE-ja i ka zhvilluar në konsultim me të gjitha institucionet relevante dhe çështja e humbjeve është potencuar në vazhdimësi. Pas vendimit të Gjykatës ZRREE-ja pret që të ketë një reagim nga institucionet kompetente për t’u mundësuar operatorëve kryerjen e funksioneve të tyre në përputhje me kushtet e licencave”, ka thënë më tutje Murtezaj-Bajrami.

ZRREE: Nga muaji dhjetor konsumatorëve u zbritet çmimi për 3,5%

Adelina Murtezaj-Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRREE, thotë se pas adresimit nga Avokati i Popullit dhe pas vendimit të Gjykatës për pezullim të vendimit, ZRREE-ja ka njoftuar operatorët dhe institucionet përkatëse për ndikimin në faturat e energjisë dhe po ashtu ka udhëzuar operatorët që në zbatim të vendimit gjyqësor duke filluar nga 1 dhjetori faturat e konsumatorëve të zbriten për 3,5% ashtu siç përllogaritet të jetë ndikimi i këtyre humbjeve.

“ZRREE-ja shpreson se institucionet do të gjejnë forma për t’ua mundësuar operatorëve funksionimin në gjithë territorin e Kosovës ose të gjejnë forma të tjera për t’i mbuluar këto humbje, përndryshe do të rrezikohet stabiliteti financiar i operatorëve dhe si rrjedhojë edhe siguria e furnizimit me energji elektrike në vend”, ka thënë më tutje Murtezaj-Bajrami për gazetën “Zëri”.

Avokati i Popullit: Të kompensohen qytetarët

Në anën tjetër Majlindë Sinani-Lulaj, zëdhënëse e Zyrës së Avokatit të Popullit, ka thënë se në raportin me rekomandime lidhur me faturimin që u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar në veri të vendit, një nga rekomandimet që u drejtohet autoriteteve përgjegjëse, ka të bëjë pikërisht me mënyrën e kompensimit të konsumatorëve që janë faturuar padrejtësisht për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.

Sipas saj, mënyra e kompensimit është rekomanduar të bëhet nëpërmjet zbritjes së tarifave të ardhshme mujore deri në atë masë sa të mundësohet kompensimi për shumën e faturuar kundërligjshëm.

“Ky rekomandim, bashkë me dy rekomandimet tjera: ndaljen e praktikës së kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës te konsumatorët në pjesën tjetër të vendit dhe gjetjen e mënyrës alternative për t’u shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit e kanë qartësuar qëndrimin e Avokatit të Popullit që në fillet e hetimit dhe të trajtimit të kësaj çështjeje”, ka thënë ajo.