Ekonomia

Institucionet për 9 muaj shpenzuan 12 milionë euro për derivate

Institucionet për 9 muaj shpenzuan 12 milionë euro për derivate
21 nëntor 2017 • 08 : 23 Foto: Driton Bublaku
Enis Veliu

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti institucionet e shtetit vetëm për derivate kanë arritur t’i shpenzojnë hiç më pak se 11 milionë e 960 mijë euro, ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje të shpenzimeve për 16 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave (MF) shihet se gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016 institucionet e Kosovës për derivate kishin arritur t’i shpenzojnë 10.3 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2015 për këtë qëllim janë shpenzuar 11 milionë e 999 mijë euro.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të MF-së shihet se rritje e shpenzimeve gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti është bërë edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar si  “Shpenzimet për shërbime”, ku për nëntë muaj për këtë qëllim janë shpenzuar 32.8 milionë euro, apo 12 për qind më shumë sesa janë shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

LEXO EDHE: Ethet e votave të fundit

Po ashtu edhe më tutje një shumë e konsiderueshme e mjeteve vazhdojnë të shpenzohen për pagesën e qirave të institucioneve që janë të vendosura në objekte private, shkruan tutje "Zëri".

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 5 milionë e 430 mijë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2016 për këtë qëllim janë shpenzuar 5 milionë e 340 mijë euro, derisa në nëntëmujorin e parë të vitit 2015 janë shpenzuar 5.4 milionë euro.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se shpenzimet gjatë kësaj periudhe kohore në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë rritur edhe për mirëmbajtje të objekteve, të rrugëve dhe të automjeteve, ku gjatë 9 muajve të parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 17.32 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar 16.63 milionë euro.

Për blerje të mobilieve më pak se 1000 euro gjatë kësaj periudhe kohore raportuese janë shpenzuar 2.33 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak për këtë qëllim janë shpenzuar 2.49 milionë euro.

Në kategorinë buxhetore të identifikuar si “Blerje tjera për mallra & shërbime” gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti janë shpenzuar 39.68 milionë euro, apo 11 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe nëntëmujore, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, shihet se për shpenzime komunale janë shpenzuar 16.85 milionë euro, ku nga kjo shumë për pagesa të faturave të energjisë elektrike janë shpenzuar 10.66 milionë euro, pagesa të faturave të ujit janë shpenzuar 2.33 milionë euro, për faturat e mbeturinave janë shpenzuar 1.1 milion euro e për ngrohje qendrore janë paguar 1.89 milion euro.

 

© zëri.info