Në Mitrovicë gjenden 60 milionë tonë të mbetjeve industriale

Ekonomia November 16, 2017 - 08:12

Ndonëse një pjesë është shitur më herët, mbi 80 milionë tonë mbetje industriale të “Trepçës”, që përbëjnë metal, plumb, zink, argjend dhe metale tjera të rralla të akumuluara gjatë 80 vjetëve të punës së gjigantit ekonomik, do të trajtohen pas zyrtarizimit të Ligjit për “Trepçën”. Nga trajtimi (shitja) i mbetjeve industriale “Trepça” do të përfitojë miliona euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndër problemet me të cilat përballet “Trepça” pa dyshim janë mbetjet industriale nga përpunimi i xehes me flotacion dhe metalurgji, të cilat kanë dëmtuar në masë të madhe ambientin në Mitrovicë dhe krahas kësaj edhe e kanë rrezikuar shëndetin e banorëve të Mitrovicës.

Aktualisht janë 60 milionë tonë të mbetjeve industriale, të cilat janë vendosur kryesisht brigjeve të lumenjve.

LEXO EDHE: Lista Serbe nuk komunikon me presidentin

Mbetjet industriale të patrajtuara për gati 80 vjet të punës së gjigantit ekonomik kosovar “Trepça” mbesin kërcënim i përhershëm për shëndetin e qytetarëve të Mitrovicës, shkruan tutje "Zëri".

Të rrezikuar janë jo vetëm banorët e jugut të Mitrovicës, por edhe ata të veriut. Dihet tashmë problemi me pjesëtarët e komunitetit rom, të cilët kanë jetuar me vite të tëra pas lufte në kampet në veri të Mitrovicës, tek të cilët është gjetur plumb në gjak.

Me këta qytetarë të komunitetin rom, të cilët tashmë janë kthyer në shtëpitë e rindërtuara të tyre në “Lagjen e Romëve” në jug të Mitrovicës, akoma është duke u marrë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila nëpërmes të UNMIK-ut ka administruar me Mitrovicën. Në kohën se ka qenë UNMIK-u në veri të Mitrovicës janë krijuar tre kampe për romët e shpërngulur nga jugu, e të cilët kanë jetuar në kushte të rënda dhe në strehimore të kontaminuara nga mbetjet industriale të “Trepçës”.

Mbetjet janë grumbulluar qe 80 vjet

Gjatë 80 vjet pune të gjigantit metalurgjik “Trepça” janë akumuluar 80 milionë tonë mbetje industriale, të cilat përmbajnë metal, plumb, zink, argjend dhe metale tjera të rralla. Këto mbetje industriale vazhdojnë të mbesin të patrajtuara. Një tender i mëhershëm që kishte pasur për qëllim shitjen e këtyre mbetjeve ishte anuluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit gjatë kohës sa ajo menaxhonte me gjigantin kosovar “Trepça”.

Çështja e mbetjeve industriale është adresuar qysh moti në Bashkimin Evropian dhe në vendet tjera të zhvilluara. Industritë përkatëse obligohen t’i trajtojnë mbetjet industriale fillimisht që të mos ketë mbetje industriale dhe gjithçka të jetë në kuadër të ciklimit të mbyllur, me çka nuk do të ndotej ambienti.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, i ka thënë “Zërit”, të martën, se ishte munduar që mbetjet industriale të materializohen pasi që trajtimi i tyre është edhe standard i Bashkimit Evropian që duhet të përmbushet.

“Një pjesë e mirë e tyre ka një vlerë ekonomike dhe ato mund t’i materializojmë dhe t’i ekonomizojmë dhe duke i ricikluar ato do të pastrohej terreni dhe do të realizoheshin të hyra për ndërmarrjen ‘Trepça’, dhe në këtë mënyrë do të bëhej një zinxhir prodhues dhe po ashtu mbrojtja e ambientit. Por, trajtimi i tyre do të ndodhë pas zyrtarizmit të Ligjit për ‘Trepçën’, ka thënë Tmava, duke shtuar se mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që mbetjet industriale të kombinatit “Trepça” të mbesin të patrajtuara, duke shkaktuar kështu edhe ndotje të ambientit. 

Në “Trepçë” thonë gjithashtu se çështja e mbetjeve industriale duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës jo vetëm për mbetjet industriale të “Trepçës”, por edhe të atyre në të gjithë territorin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës do të duhej të merrej me këtë çështje, por tani kur është miratuar Ligji për ‘Trepçën’ trajtimi i tyre do të bëhet pasi që të nisë aplikimi i tij edhe zyrtarisht. Ka pasur tendenca për riciklimin e tyre, mirëpo nuk është arritur të bëhet pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore, herë thuhej se ato janë asete të ‘Trepçës’, herë thuhej që janë në përgjegjësi të ‘Trepçës’. Sidoqoftë, tani kemi një ligj i cili duhet të zbatohet dhe besoj se me zyrtarizimin e këtij ligji edhe çështja e mbeturinave industriale do të zgjidhet”, ka thënë ndërkaq Halil Çelaj, ish-drejtor i “Trepçës” dhe ekspert në fushën e resurseve minerare dhe minierave. duke sqaruar se mbetjet industriale në vendet e rajonit trajtohen dhe në shumicën e rasteve trajtimi i tyre rezulton me leverdi ekonomike. 

1 ton mbetje, 18 euro

Por jo të gjitha mbetjet industriale të kombinatit “Trepça” kanë vlerë ekonomike. Sipas një oferte që kishin dhënë kompanitë e ndryshme, duke marrë pjesë në një tender të shpallur para 5 vjetëve, por që ishte anuluar nga AKP-ja, shuma e mbetjeve industriale që kanë vlerë ekonomike është e madhe. Vetëm mbetjet industriale në deponinë e Artanës ishte thënë se kanë vlerë të madhe ekonomike. Sipas ofertuesve, një ton mbetje industriale në deponinë e Artanës ka vlerë 18 euro, që do të thotë se nga një deponi prej 1.5 milion tonësh mbetje industriale do të përfitoheshin 28 milionë euro. Kaq edhe ka qenë oferta e kompanive në tenderin e publikuar për mbetjet industriale të Artanës. Mbetjet industriale do të ricikloheshin në vend dhe pastaj do të bëhej edhe rehabilitimi i zonës ku kanë qenë të vendosura mbetjet industriale.