Lista Serbe nuk komunikon me presidentin

Aktuale November 16, 2017 - 08:01

Drejtuesit e Listës Serbe kanë ngrirë çdo formë të komunikimit me presidentin e vendit Hashim Thaçin, vendim ky që u bë i ditur përmes një letre drejtuar të parit të vendit për shkak se, siç thonë ata, politika e këtij të fundit është kundërkushtetuese, jo e drejtë dhe e dëmshme për popullin serb, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, zyrtarë të kabinetit të presidentit Thaçi thonë se një veprim i tillë i drejtuesve të subjektit më të madh politik serb është i paqëndrueshëm.

LEXO EDHE: Premtimet miliardëshe të fushatës

Madje, sipas tyre, prapa kësaj letre nuk qëndron askush tjetër përpos qeverisë së Serbisë.

Në letrën e Listës Serbe mes të tjerash thuhet se ata këtë vendim po e marrin për shkak të të drejtës që ata kanë, e drejtë kjo që u është dhënë në zgjedhjet parlamentare dhe në ato lokale, shkruan tutje "Zëri".

“Rezultatet që kemi arritur në zgjedhjet parlamentare dhe lokale na japin të drejtën dhe legjitimitetin për t’i marrë të gjithë hapat demokratikë që i kemi në dispozicion për ta përmbushur misionin tonë politik”, thuhet në letër.

LEXO EDHE: Simiq: Thaçi në vend që të përgjigjet, po sulmon Listën Serbe
 

Lista Serbe po proteston ndaj përgjegjësisë së Thaçit, siç thonë ata, për shkak të “pozitës së keqe të serbëve në Kosovë dhe si nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit ai nuk bëri asgjë për ta mundësuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe”.
Sipas kësaj letre, presidenti i Kosovës keqinterpretohet dhe keqinterpreton çështjet politike të serbëve në Kosovë dhe përpiqet t’i futë agjentët e tij në trupin politik serb.

Po ashtu në letër thuhet se në komunën e Parteshit po kryhet presioni mbi sistemin gjyqësor dhe mbi procesin zgjedhor dhe ata shprehën edhe pakënaqësinë e tyre edhe me, siç thuhet, parregullsitë e tjera rreth përdorimit të gjuhës serbe dhe gjuhëve të komuniteteve tjera pakicë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Lista Serbe ka theksuar se komunikimi i tyre me presidentin e Kosovës mund të rikthehet në momentin kur ai fillon të reflektojë sipas interesave të komunitetit serb në Kosovë.

Çollaku: Prapa letrës është qeveria e Serbisë

Por Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Thaçi, ka thënë se letra e Listës Serbe është krejt e papritur. Sipas tij, arsyet që përmenden në letër janë të paqëndrueshme.

Ndërkohë ka thënë se prapa kësaj letre nuk qëndron Lista Serbe, por qeveria e Serbisë. “Unë mendoj që një vendim i tillë dhe kjo letër e dërguar nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e saj nuk e dëshmon se autorë të saj ose autor i kësaj letre është Lista Serbe. Mirëpo mendoj që autor i vetëm i kësaj letre është qeveria e Serbisë, e cila e ka iniciuar dhe e ka imponuar një vendim dhe një letër të tillë për çështje politike, taktike dhe strategjike. Kjo sigurisht që nuk është hera e parë që përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës përdoren e manipulohen ekskluzivisht për nevoja të Serbisë”, ka thënë Çollaku për REL-in.

Tetë pikat e Listës Serbe për presidentin Thaçi

Në letër janë 8 pika që  Goran Rakiq ia ka adresuar Thaçit, si: “Përgjegjësia juaj për pozitën jo të mirë ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi”; “Fakti që si nënshkrues i Marrëveshjes së Parë në Bruksel nuk keni bërë asgjë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me atë çfarë keni nënshkruar”; “Sjellja juaj dhe ndërhyrjet në çështjet politike të serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe përpjekjet për t’i hedhur agjentët tuaj në trupat politikë serbë”; “Presioni brutal në procesin zgjedhor në komunën e Parteshit, ku me anë të bashkëpunëtorëve tuajt të strukturës, deputetin Elmi Reçica, është shkelur legjitimiteti i përzgjedhur i përfaqësueses serbe në mënyrë që ta sjellë zgjedhjen e një personi të dënuar për përdhunonim, Nenad Cvetkoviq”; “Neglizhimi i Kushtetutës për pozitën e definuar të gjuhës serbe”; “Antikushtetues është diskriminimi i serbëve në institucionet e Prishtinës”; “Këshilli Konsultativ për Komunitete/ Përfaqësuesit serbë do ta bojkotojnë aq kohë sa ata nuk janë të garantuar një rol që u takon atyre”; “Problemet tuaja universale lënë pas dore edhe interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.

Kurteshi: Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet

Ismajl Kurteshi, deputet nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se një gjë e tillë është e pritshme nga Lista Serbe dhe arsyet që ata kanë dhënë nuk qëndrojnë, sepse janë pikërisht serbët ata që nuk po i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit.

“Kjo nuk është befasi pasi që presidenti Thaçi paraqet shtetësinë e Kosovës dhe Lista Serbe vazhdimisht është kundër një gjëje të tillë, kjo është esenca e problemit, nuk është esenca që nuk po zbatohen marrëveshjet ose diçka tjetër, sepse nëse dikush nuk është duke i zbatuar këto marrëveshje, atëherë kjo është Serbia, e cila po nënshkruan dhe nuk po zbaton asgjë”, ka thënë Kurteshi.

Imer Mushkolaj, analist politik, e sheh këtë veprim si lloj presioni të përdorur nga Lista Serbe për përmbushje të qëllimeve të tyre.

“Veprimi i Listës Serbe është një formë presioni ndaj institucioneve të Kosovës në mënyrë që t’i përmbushin sa më shpejt obligimet e dala nga Marrëveshja e Brukselit. Nuk është hera e parë që Lista Serbe vepron në këtë mënyrë, ngase të gjithëve na kujtohet bojkotimi për gjashtë muaj i institucioneve mandatin e kaluar qeverisës. Ky veprim i Listës Serbe nuk do të tregohet produktiv ngase Thaçi është nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit, por zbatimin e saj e kanë në dorë Qeveria dhe Kuvendi”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe Arben Rugova, njohës i çështjeve politike të vendit, thotë që ky veprim i Listës Serbe vjen si qëllim manipulimi pak para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale. E, sipas tij, arsyeja reale e këtij veprimi nga ana e deputetëve serbë është për shkak të mosarritjes së fitores në Partesh e Kllokot nga Lista Serbe.

“Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi zyrtar ka ngrirë raportet me presidentin Hashim Thaçi me qëllim që ta manipulojë opinionin serb në Kosovë përpara mbajtjes së balotazhit të dielën, pasi kandidatët e saj në Partesh dhe Kllokot, ndryshe nga komunat tjera me shumicë serbe, dështuan t’i fitojnë zgjedhjet lokale në rundin e parë”, ka thënë Rugova.