Këtë muaj hapet konkursi për Bordin Menaxhues të 'Trepçës'

Ekonomia November 02, 2017 - 08:38

Qeveria e Kosovës duket se nuk do të rrijë më duarkryq kur është në pyetje funksionalizimi i gjigantit ekonomik kosovar “Trepça”, kjo duke u bazuar në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës para gati një viti.

Prejse është miratuar Ligji për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës Qeveria e Isa Mustafës nuk kishte arritur që t’i formojë dy bordet, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Manexhues, pa të cilët nuk  ka mundur të zbatohet ligji, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Bordet nuk ka arritur t’i formojë as Qeveria e re e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

LEXO EDHE: Asamblistët në pritje të rezultateve zgjedhore

Haradinaj u ka rekomanduar tri ministrive që të veprojnë shpejt për ta zbatuar Ligjin për “Trepçën”, e njëri prej ministrave, ai i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka premtuar në Mitrovicë, të martën, se Bordi Menaxhues i “Trepçës” do të formohet shpejt, shkruan tutje "Zëri".

Sipas tij, në nëntor do të shpallet konkursi për anëtarë të Bordit Menaxhues të “Trepçës”, me çka edhe do t’u hapen rrugë investimeve në “Trepçë”.   

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka qëndruar në Mitrovicë të martën dhe ka takuar kryetarin Agim Bahtiri, ka siguruar se Mitrovica do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit.

Lluka e Bahtiri kanë biseduar për shumë çështje që i përkasin zhvillimit të Mitrovicës.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes së revitalizmit të “Trepçës”, e cila, siç tha Lluka, “do të bëhet lokomotivë e punësimit dhe  zhvillimit ekonomik jo vetëm për Mitrovicën, por për gjithë vendin”.

Ata vunë në spikamë edhe realizimin e projektit për ngrohjen e qytetit me ujin e ngrohtë që del nga Miniera e Stan Tërgut.

Ministri Lluka njoftoi edhe për një takim që kishte pasur me minatorët e “Trepçës”, me të cilët kishte biseduar lidhur me kërkesat e tyre dhe për mundësitë reale për t’i realizuar kërkesat e minatorëve.

Ndër të tjera ministri Lluka ka precizuar së gjatë muajit të ardhshëm (nëntor) do të bëhet shpallja e konkursit për Bord të ndërmarrjes “Trepça”.

“Shumë shpejt do të themelohet Bordi i ndërmarrjes “Trepça”, i cili do t’i hapë rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj ndërmarrjeje. Me formimin e këtij Bordi do të mundësohet hapja e rrugëve që janë jetike për zhvillimin e ndërmarrjes dhe mirëqenie sociale të punëtorëve”, deklaroi Lluka gjatë takimit me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ata biseduan edhe për kompaninë e Ujësjellësit Rajonal, i cili aktualisht është zhytur në një krizë të thellë financiare.

Ata kërkuan nga institucionet në nivel qendror që të sigurojnë mjete për t’i mbuluar shpenzimet e ujit të banorëve të veriut të Mitrovicës dhe të Zveçanit, të cilët furnizohen me ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës.

Borxhet e mëdha që kanë banorët e asaj pjese, të cilët nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e harxhuar, herë pas here i ka mbuluar Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në formë subvencionimi.

Por, siç i kanë thënë “Zërit” në ujësjellësin rajonal “Mitrovica” pak kohë më përpara, Qeveria e Kosovës nuk i mbulon as 30 për qind të harxhimeve për ujin që u dërgohet banorëve të Mitrovicës Veriore dhe të Zveçanit.