Asamblistët në pritje të rezultateve zgjedhore

Zgjedhjet lokale 2017 November 02, 2017 - 08:22

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) as njëmbëdhjetë ditë pas përfundimit të votimeve për rundin e parë të zgjedhjeve nuk ka arritur t’i publikojë rezultatet përfundimtare për asambletë lokale.

Ditë më parë ky institucion ka arritur t’i bëjë publike rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash, përderisa procesi i numërimit për asambletë është duke vazhduar, ndonëse më 19 nëntor do të mbahet rrethi i dytë i votimeve në vend, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së u konfirmua që rezultatet për asamble nuk janë ende gati e as afër publikimit, pasi që 692 kuti do të dërgohen në rinumërim si pasojë e mospërputhjes së rezultateve. 

LEXO EDHE: Pasojat e propagandës serbe me Surinamin

Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, ka thënë se pavarësisht rezultatit të mirë të zgjedhjeve numërimi i votave e ka zbehur plotësisht procesin e kjo gjë ka ndodhur “pa fajin e KQZ-së dhe pa fajin e partive dhe i tërë faji është tek kandidatët”, që sipas Dakës kjo po i kushton edhe shtetit.

Burim Ahemetaj, nga Qendra për Numërimin e Votave, thotë se ata nuk kanë arritur t’i numërojnë të gjitha votat për shkak të problemeve që i kanë hasur, shkruan tutje "Zëri".

“QNR-ja është në procesin e futjes së të dhënave. Ky proces nuk ka mundur të kompletohet sepse një numër i votimeve nuk e kalojnë auditimin për shkak të problemeve që janë shfaqur”, ka thënë ai.

Me ketë rast ishte Ahmetaj që i propozoi komisionit që të bëhet rinumërimi i rreth 700 kutive, gjë që e miratuan edhe pjesëtarët tjerë të komisionit.

Adnan Rrustemi, nga KQZ-ja, thotë se kjo është gjendja reale dhe ne duhet ta reflektojmë votën reale.

“Në vazhdimësi po përballemi me rinumërime, pra me situata të tilla e po vijmë në situata që po duhet të shkojnë në rinumërim”, ka thënë ai.

Rrustemi thotë se ky proces nuk është efikas dhe se duhet një zgjidhje e përhershme.

Ai zgjidhjen e sheh në atë formë që numërimi duhet të kalojë në qendra të tjera ose të ndërrohen ekipet që i numërojnë këto vota.

Ndërsa Betim Gjoshi, po ashtu anëtar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, e përkrahu këtë rinumërim dhe thotë se pavarësisht faktit që zgjedhjet kanë shkuar mirë duhet të bëhen reforma zgjedhore.

“Ne si KQZ jemi munduar ta përmirësojmë punën, por kjo nuk duhet të na kënaqë, është e domosdoshme një reformë zgjedhore, nëse nuk mundemi reforma zgjedhore, atëherë të marrim masa”, ka thënë ai.

Ndërsa analistët politikë të vendit e shohin këtë proces si të zgjatur dhe zgjidhjen ata e shohin në reformimin e këtij procesi që në të ardhmen vonesa të tilla të mos ndodhin.

Imer Mushkolaj, analist, ka thënë se kjo gjë ka ndodhur më herët dhe se çështja e afatit për publikim të rezultateve duhet të ndryshohet.

“Nuk është hera e parë që KQZ-ja zvarrit publikimin e rezultateve. Por, duhet pasur parasysh edhe procedurat e ankimimit, që marrin goxha kohë. Është e natyrshme që OJQ-të të dalin me rezultate përpara KQZ-së. Në reformën zgjedhore duhet përfshirë edhe çështja e afateve për publikimin e rezultateve në mënyrë që KQZ-ja të jetë më efikase në të ardhmen”, ka thënë Mushkolaj.

Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 nëntor në 19 komuna (Në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe në Kllokot).

Numri i qytetarëve me të drejtë vote, sipas KQZ-së, në këtë rund të votimeve është 1 milion e 353 mijë e 613 votues, ndërsa numri i qendrave të votimit është 614, me gjithsej 1777 vendvotime.
 

Të rekomanduara