Konkurrenca heton tenderin për furnizim me tableta 'Imatinib'

Ekonomia October 31, 2017 - 08:29

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur hetimet ndaj tenderit për furnizim me tableta “Imatinib”. Gazeta “Zëri” para pak ditësh ka publikuar një hulumtim, ku ka gjetur se çmimi i këtij bari në tenderin e Ministrisë është 300% më i lartë sesa çmimi i tij në tregun me pakicë. Edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka refuzuar nënshkrimin e kësaj kontrate

Edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur një hetim ndaj tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për furnizim me 27 mijë tableta “Imatinib”, i cili bar, përpos që përdoret për mjekimin e leukemisë kronike, shfrytëzohet edhe për mjekimin e tumoreve malinje në lukth.

Reagimi i AKK-së ka ardhur pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”, ku përmes fakteve të publikuara shihet qartë se përmes tenderit publik MSH-ja po e blen një produkt 300% më shtrenjtë sesa është çmimi i tyre në tregun me pakicë.

LEXO EDHE: MSH-ja i paguan 300% më shtrenjtë barnat kundër kancerit (DOKUMENT)

Po ashtu edhe në ditën e publikimit të hulumtimit ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka refuzuar ta nënshkruajë një kontratë të tillë mes MSH-së dhe operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë.

Në komunikatën për medie të AKK-së thuhet se hetimi ka nisur pas publikimit të hulumtimit në gazetën “Zëri”.

LEXO EDHE: Specialistët dhe specializantët me muaj pa paga

“Pas marrjes së informacioneve nga gazeta ‘Zëri’ dhe thirrjes së ministrit të Shëndetësisë, z. Uran Ismajli, rreth një tenderi për furnizim me tableta “Imatinib”, që përdoren për trajtimin e leukemisë, me çmim 300% më shtrenjtë se çmimi me pakicë në tregun farmaceutik, sot në mbledhjen e Komisionit të AKK-së u vendos për të proceduar me hetim paraprak të çështjes. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës mbetet i përkushtuar t’i parandalojë të gjitha sjelljet antikonkurruese të ndërmarrjeve, që operojnë në tregun e RKS-së”, thuhet në komunikatën për medie të AKK-së.

Ismaili: Të gjitha kontratat do të zbardhen

Po ashtu edhe ministri Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se kontrata për furnizim me tabletat “Imatinib”, për të cilën është raportuar, ende nuk është nënshkruar.

“Kam thënë disa herë se çmimet për ilaçet që blihen nga Ministria e Shëndetësisë duhet të jenë referente me tregun dhe rajonin. Do të bëj çmos që ky rregull të vihet në zbatim. Pas raportimit për ngritje të çmimeve menjëherë kam ftuar institucione të ndryshme që të merren me këtë rast. Në ditët në vijim do t’ju njoftojmë për detajet dhe vendimet që do të merren. U bëj thirrje kompanive farmaceutike, që shesin barna pranë Ministrisë së Shëndetësisë, që të jenë të përgjegjshme dhe të ofertojnë me vlera reale e jo me çmime marramendëse, me të cilat pasurohen ata dhe zbrazet buxheti i barnave për qytetarët”, ka shkruar ai.

Më tutje Ismaili ka shkruar se të gjitha kontratat do të zbardhen në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në shërbimin shëndetësor.

Sipas tij, ky është interes i të gjithë qytetarëve, i personelit mjekësor dhe është obligim imi.

Çmimi në barnatore 7.5 euro, në tenderin e MSH-së 24 euro

Gazeta “Zëri” ka vizituar një barnatore në Prishtinë, ku drejtuesit e saj, që nuk kanë preferuar të flasin me emër, kanë thënë se 30 tableta “Imatinib” i shesin 280 euro, apo 9.30 euro mesatarisht një tabletë.

Përderisa nga një barnatore në një qytet tjetër të Kosovës gazeta “Zëri” i ka blerë 30 tableta të tilla me një çmim prej 225 eurosh, apo 7.5 euro për tabletë. Për dallim nga Kosova, tabletat e njëjta në rajon shiten edhe më lirë.

Në Shqipëri një tabletë e tillë shitet për më pak se 1 euro, derisa në Maqedoni dhe në Bosnjë shiten për 1.40 euro.