Specialistët dhe specializantët me muaj pa paga

Aktuale October 31, 2017 - 08:19

Specialistët e Mjekësisë qe tre muaj nuk i kanë marrë pagat e tyre nga Ministria e Shëndetësisë përderisa specializantët janë pa paga qe katër muaj, përkatësisht qe 7 muaj. Ministria vonesat e procedimit të pagave i arsyeton me mosrishikimin e buxhetit të shtetit me kohë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

V. SH. në gusht të këtij viti ka nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë për t’u punësuar si mjeke specialiste në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por qe tre muaj nuk ka marrë pagë nga ky institucion shtetëror.

Njëjtë si ajo edhe dhjetëra specialistë të tjerë janë në pritje të pagave, ndonëse shumë prej tyre udhëtojnë nga qendra të ndryshme të vendit, shpenzime këto që vështirë po arrijnë t’i mbulojnë derisa nuk po paguhen për punën që e bëjnë, shkruan tutje "Zëri".

Ministria e Shëndetësisë muaj më parë kishte shpallur konkurs për pranimin e 220 mjekëve specialistë, i cili vendim u mor pas protestave dhe presionit të mantelbardhëve që e kanë kryer specializimin dhe kërkonin punësim në institucionet publike.

LEXO EDHE: Plani i opozitës për rrëzimin e Qeverisë

Përpos specialistëve, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka paguar as specializantët e Mjekësisë.

Specializantët e performancës, të cilët vite më parë i kishte futur në listë të pagave me vendim të ish-ministrit Ferid Agani, janë qe katër muaj pa paga, pasi që nga qershori i këtij viti nuk janë paguar për angazhimin e tyre, përderisa specializantët që vijnë nga institucionet private të shëndetësisë qe 7 muaj nuk kanë marrë paga nga shteti, ndonëse kontratat me Ministrinë i kanë nënshkruar në mars të këtij viti.

Hamza: Pagat e specialistëve dhe të specializantëve në fillim të nëntorit

Nga Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën “Zëri” se sa u përket pagave të specialistëve me kontratë Ministria i ka dërguar listat e pagave në Ministrinë e Administratës Publike dhe në Ministrinë e Financave për futjen në sistemin e pagesave shtetërore me qëllim që t’u procedohen pagat.

Në anën tjetër, për vonesat e pagave të specializantëve të Mjekësisë janë arsyetuar me vonesat në rishikimin e buxhetit të shtetit.

“Ministria e Shëndetësisë po e pret alokimin e mjeteve për tremujorin e katërt të vitit, respektivisht rishikimin e buxhetit 2017 në mënyrë që të paguhen specializantët, të cilët paguhen nga kategoria e subvencioneve”, kanë thënë për gazetën zyrtarët e Ministrisë.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, thotë për “Zërin” se me rishikimin e buxhetit do të bëhet pagesa e pagave për specialistët dhe specializantët e Mjekësisë.

Sipas tij, procesi i rishikimit do të përfundojë sot (e martë), kështu që, sipas tij, më së voni gjatë pjesës së parë të muajit nëntor specializantet do t’i kenë pagat e tyre në llogaritë private.

“Pa rishikuar buxhetin ne nuk kemi mundur t’i bëjmë pagesat e tyre”, ka thënë Hamza për gazetën “Zëri”.

Agani: Qasja e Ministrisë, joserioze

Por ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili vite më parë pati marrë vendim që të gjithë specializantët të futen në listë të pagave me qëllim që shteti të investojë te kuadrot profesionale dhe të pengohet eksodi i mjekëve në drejtim të shteteve të Evropës, ka thënë për “Zërin” se qasja e Ministrisë së Shëndetësisë është tejet joserioze ndaj një problemi kaq shumë të ndjeshëm, siç janë mospagesa e pagave për mjekët specializantë.

Sipas tij, ky është një problem i cili mund të këtë pasoja tejet të rënda për shëndetësinë kosovare, si dhe në të ardhmen për reformën në shëndetësi.

“Ne mund të themelojmë fonde të sigurimeve shëndetësore, mund të ndërtojmë spitale të reja, por nëse nuk kemi mjekë që do të punojnë në to, defakto çdo reformë është e dështuar. Mbështetja e mjekëve është obligim ligjor dhe kjo duhet të paraqesë prioritet për institucionet shëndetësore në vend.

Ismaili: Prej vitit tjetër paga të rregullta dhe punësim të specialistëve të papunë

Javë më parë gazeta “Zëri” pati raportuar se rreth 1000 qytetarë nga Kosova vetëm gjatë këtij viti kanë ndjekur kursin e gjuhës gjermane në institutin “Gëte” në Prishtinë, shumica prej tyre mjekë dhe infermierë, të cilët kanë vendosur që të largohen nga vendi dhe të punësohen në Gjermani, ku vlerësojnë se kanë perspektivë më të madhe.

Annamaria Farkas-Mecinaj, drejtoreshë e institutit “Gëte”, pati deklaruar për gazetën “Zëri” se ky Institut që nga viti 2012 ua mundëson të interesuarve ndjekjen e kursit të gjuhës gjermane, ku ofron kurse të nivelit prej A1 deri në C1.

Sipas saj, gjatë vitit 2016 kurset e tilla i kishin ndjekur rreth 1200 vetë, ku interesimi më i madh është nga gjeneratat e reja, kryesisht mjekë dhe infermierë, të cilët po kërkojnë mundësi punësimi në Gjermani.

“Shumë kandidatë që i ndjekin kurset e gjuhës gjermane kanë qëllim bashkimin familjar, por kemi shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova që po kërkojnë mundësi punësimi në Gjermani”, shprehet Farkas-Mecinaj.