Sivjet, 50 mijë tonë patate nga arat e Vushtrrisë

Ekonomia July 28, 2016 - 08:03

Për shkak të kushteve të mira klimatike, ujitjes me kohë dhe trajtimit profesional të bujqve, rendimentet e patates pritet të jenë shumë më të larta se vitin e kaluar dhe ato do të arrijnë 50 mijë tonë. Për subvencione kanë aplikuar 307 fermerë që kanë mbjellë 1.235.66 hektarë tokë me patate

Nga arat e komunës së Vushtrrisë, të shumtën në Pestovë, një fshat i njohur për kultivimin e patates, sivjet pritet të nxirren mbi 50 tonë patate, një prej kulturave bujqësore më të rëndësishme me të cilën merren bujqit vushtrrias pas lufte.

Tani, 17 vjet pas përfundimit të luftës, patatja në Vushtrri nuk prodhohet më vetëm për konsum familjar, por për konsum të gjithë qytetarëve të Kosovës, e madje edhe për eksport.

Sipas zyrtarëve në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Vushtrri, rendimentet e patates këtë vit janë më të mira se në vitin e kaluar, për shkak të farës cilësore, por edhe të sistemit të ujitjes dhe trajtimit profesional të bujqve.

LEXO EDHE: “Rruga e Kombit”, PD: Taksa 10 euro e Ramës

Drejtoresha për Ekonomi, Bujqësi dhe Zhvillim Rural në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, i ka thënë “Zërit” të mërkurën, se këtë vit rendimentet janë më të larta se vitin e kaluar, madje edhe mund të thyhet rekordi, për shkak të cilësisë së farës, teknologjisë shumë më të avancuar gjatë kultivimit të patates, por edhe futjet në përdorim të sistemit të ujitjes nga hidrosistemi “Ibër-Lepenc”.

“Kushtet e mira klimatike, ujitja me kohë dhe trajtimi profesional i bujqve që tashmë kanë bërë traditë, kanë qenë çelësi i suksesit në rritje të prodhimtarisë së patates. Me të drejtë presim që këtë vit, nga sipërfaqet e tokës të mbjella me patate të nxirren mbi 50 mijë tonë patate”, ka thënë drejtoresha Haxhaj.

 Të mbjella 1235 hektarë

Sipas saj, bujqit e kësaj komune mbjellin me patate sipërfaqe të ndryshme të tokës, prej 5 deri edhe në 20 hektarë. Ajo ka shtuar se janë mbjellë me patate gjithsej 1.235.66 hektarë të tokës bujqësore. Drejtoresha Haxhaj ka shtuar se për subvencione kanë aplikuar 307 kultivues të patates. “Patatja në komunën tonë është një prej produkteve ushqimore që kultivohet më së shumti, kjo për faktin se ekzistojnë kushte të favorshme për kultivimin e patates. Edhe përkundër vështirësive që kanë fermerët ky produkt mbetet si opsioni më i favorshëm për ta punuar tokën. Në presim të paktën të nxirren 50 mijë tonë patate dhe në këtë rendiment të lartë kanë ndikuar kushtet e mira klimatike, ujitja me kohë dhe trajtimi profesional i bujqve, që tashmë kanë bërë traditë. Ky ka qenë çelësi i suksesit në rritje të prodhimtarisë së patates”, thotë ndërkaq zyrtarja për Bujqësi në komunën e Vushtrrisë, Rabie Zahiti, agronome. E drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Bujqësi dhe Zhvillim Rural në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, ka thënë se bujqit përballen edhe me probleme, siç janë çmimi i lartë i repromaterialeve (nafta, fara, herbicidet, plehrat, insekticidet, ndërsa çmimi prej 20 centësh për një kilogramë është vlerë e vogël. Sipas saj, në fazën e mbjelljes nuk ka kompani që bën kontraktimin e prodhimit. “Komuna e Vushtrrisë edhe me Strategjinë për Zhvillim Ekonomik lokal ka prioritet zhvillimin e bujqësisë. Drejtoria për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural këtë vit ka pasur një buxhet prej 330.000 euro për subvencionim të bujqësisë dhe planifikohet që për vitin e ardhshëm këtë buxhet ta rrisë në 400.000 euro”, precizon drejtoresha Haxhaj.

Të kënaqur me cilësinë

Edhe në fabrikën për përpunimin e patates “Vipa Çips” në Pestovë, vlerësojnë të jenë të kënaqur me cilësinë e patates në këtë vit, por premtojnë gjithashtu se kultivuesve të patates nuk do t’u mbetet prodhimi pa u shitur. Kjo kompani ka sipërfaqe të mbjella me patate edhe jashtë komunës së Vushtrrisë. Sipas drejtuesve të kompanisë, edhe këtë vit janë mbjellë patate për përpunim në fabrikën “Vipa Çips”, për prodhim të farës, ndërsa disa hektarë tokë janë mbjellë në kooperim me bujqit. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, në rajonin e komunës së Vushtrrisë janë mbjellë patate të varieteteve të hershme, mesatarisht të hershme, mesatarisht të vonshme dhe shumë të vonshme. Patatet e hershme kanë filluar të vilen më 20 korrik, ndërsa vjelja e atyre të vonshme përfundon më 31 tetor. Pas probleme të mëhershme për tregun e Shqipërisë, tani patatja e Vushtrrisë është e dëshiruar edhe në Shqipëri. Këtë e ka thënë ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, gjatë një vizite që i pati bërë kohë më përpara kompanisë “Pestova” në Vushtrri.

“Patatja ka qenë deri më tash një prej problemeve që ne është dashur ta përballojmë, por me marrëveshjen midis dy shteteve këto barriera do të zhduken, që do të thotë se nuk do të kemi pengesa në qarkullim të mallrave. Ne mund të jemi konkurrues me pataten e re, kurse me pataten tradicionale Kosova ka më tepër avantazhe dhe pikërisht duke krijuar hapësira për këto dy kategori të të njëjtit produkt ne nuk jemi konkurrues, por jemi komplementar të njëri-tjetrit”, pati thënë ministri Panariti, duke shtuar se kishte ardhur pikërisht në Vushtrri për t’i dhënë kryetarit Mulaku mesazhin që patatja e Kosovës, e veçanërisht e Vushtrrisë është e mirëpritur dhe e dëshiruar nga konsumatorët në Shqipëri.