“Rruga e Kombit”, PD: Taksa 10 euro e Ramës

Ekonomia July 27, 2016 - 15:59

Partia Demokratike ka reaguar përsëri në lidhje me koncesionin e rrugës së Kombit, ku do të administrohet nga një kompani turke.

Ka qenë deputetja PD-së, Jorida Tabaku që përmes një konferencë për shtyp ka theksuar se taksa 10 euro është e papërballueshëm për qytetarët.

Deputetja demokrate shprehet se skandali thellohet akoma më tej kur taksa e vendosur nga qeveria është 33 përqind me e madhe nga ajo se çfarë kanë sugjeruar ekspertët.

“Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. 10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. 5 euro në vajtje e 5 euro në kthim.

Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët. Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të variante nga 0,5-3.5 cent/km.

Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën.

Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët!”, pohoi Tabaku.

Tabaku thekson se kjo aferë do të zgjasë për 30 vjet dhe do t’ju marrë shqiptarëve miliona euro nga xhepat e tyre.

“Një aferë e pastër me miliona euro çdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro çdo vit që do të japë shteti.

Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shteruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e im-paktit ekonomik, një analizë e plotë e im-paktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare.

Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anulojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre.”, citohet në deklaratën e PD-së.