Arritjet politike të John McCain

Bota August 27, 2018 - 10:23
Lexo detajet

John McCain ishte senator amerikan për më shumë se tri dekada. Para kësaj ai ishte një kongresist. Dhe gjatë mandatit të tij në Senat ai u bë kandidati republikan për president. McCain vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare pasi vuajti nga glioblastoma, një tumor agresiv në tru.

Para se McCain të bëhej politikan shërbeu në Marinën e Shteteve të Bashkuara në luftën e Vietnamit. Ai ishte një i burgosur lufte për më shumë se pesë vjet dhe vuajti lëndime të përhershme, duke përfshirë edhe krahët dhe këmbën e djathtë. Ja një vështrim në disa gjëra që McCain realizoi gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë politike. raporton Fox News, transmeton zeri.info

Ndërlidhja me Senatin - fundi i viteve 1970: Ndërsa puna e McCain si një ndërlidhës me Senatin ishte gjoja më shumë si një “shërbëtor i lavdëruar”, sipas gazetës “Los Angeles Times”, veterani i marinës e ktheu pozitën e tij në atë që gazeta në fjalë e quante “një mësimdhënie” që do të ndihmonte nisjen e karrierës së tij politike.

McCain në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së – 1982: Burri nga Arizona fitoi fushatën e tij të parë në nëntor 1982, kur ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Rruga drejt Senatit – 1986: McCain zëvendësoi senatorin e vjetër republikan Barry Goldwater në Senat në zgjedhjet e vitit 1986. Ai vazhdimisht u rizgjodh në Senat deri në vdekjen e tij.

Pesë skandale “Keating” – 1989: Pesë skandale “Keating” i referohet një grupi senatorësh të cilët ishin akuzuar për takim me rregullatorët federalë bankarë në emër të financuesit Charles Keating Jr. Përveç McCain, “Keating” përfshinte: Sen. Alan Cranston, D-Calif., Dennis DeConcini, D-Ariz., John Glenn, D-Ohio dhe Donald Riegle, D-Mich.

Të pesë senatorët thuhet se u përpoqën të ushtronin presion mbi rregullatorët federalë në emër të Keating, i cili ishte një kontribuues masiv i fushatës për pesë të sipërpërmendurit dhe përfundimisht do të kalonte kohë në burg për mashtrime në lidhje me Shoqatën e tij të Kursimeve dhe Huazimit Lincoln. FBI-ja dhe Komiteti i Etikës i Senatit kryen hetimet.

McCainit iu dha një qortim i butë për përfshirjen e tij në skandal. Në kohën e vdekjes së tij, McCain ishte i vetmi nga pesë personat që ende shërbenin në Senatin e SHBA-së.

Vietnam - vitet 1990: McCain ka meritat për ndihmën për të ringjallur marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Vietnamit. Ai vlerësoi gjithashtu ish-presidentin Bill Klinton për rivendosjen e kësaj lidhjeje më 1995-n.

“Progresi i të drejtave të njeriut në Vietnam duhet gjithashtu të shërbehet më mirë duke rivendosur marrëdhëniet me atë vend”, tha McCain në një deklaratë të vitit 1995. “Vietnamezët kanë zhvilluar tashmë marrëdhënie komplekse me pjesën tjetër të botës së lirë. Në vend që të përpiqen të izolojnë Vietnamin Shtetet e Bashkuara duhet të provojnë propozimin se një ekspozim më i madh ndaj amerikanëve do ta bëjë Vietnamin më të prekshëm ndaj ndikimit të vlerave tona”.

Akti i Përfitimit të Veteranëve – 1991: McCain sponsorizoi Ligjin e Përfitimit të Veteranëve në vitin 1991, i cili pjesërisht krijoi një program pilot që siguroi kujdesin në shtëpinë e pleqve për veteranët e sëmurë terminalë.

“Agent Orange Act” – 1991: McCain sponsorizoi aktin “Agjenti i Portokalltë” në 1991, legjislacioni që afirmoi se disa nga sëmundjet nga të cilat vuanin veteranët mund të ishin rezultat i ekspozimit të dëmshëm kimik në lidhje me shërbimin e tyre. Kjo njohje i  bëri ata veteranë të gëzonin të drejtën për përfitime specifike. Pas diagnozës së kancerit të trurit të McCain kishte spekulime se sëmundja e tij mund të lidhej me kimikatet me të cilat ai erdhi në kontakt ndërsa ishte në Vietnam.

Kryetar i Komitetit të Tregtisë – 1997: McCain shërbeu si kryetar i Komitetit të Senatit për Tregti, Shkencë dhe Transport nga 1997-a deri në 2001-n. Ai gjithashtu vazhdoi këtë rol nga 2003-a deri në 2005-n. Ky komitet trajton çështje të tilla si aviacioni, komunikimet, siguria e transportit, peshkataria, fatkeqësitë, hapësira, turizmi, çështjet e konsumatorit dhe siguria e produktit, ndër shumë gjëra të tjera.

Një person me ndikim – 1997: Revista “Time” emëroi McCainin si njëri nga “25 njerëzit më influencues në Amerikë” më 1997-n.

McCain për president, pjesa 1 – 1999: Në Nashua, N.H., McCain zyrtarisht njoftoi kandidaturën e tij për president në 27 shtator 1999.

“Unë nuk e filloj këtë mision me ndonjë ndjenjë të së drejtës. Amerika nuk më detyrohet asgjë”, tha McCain. “Unë jam biri dhe nipi i admiralëve të Marinës dhe unë kam lindur në shërbim të Amerikës. Nuk isha derisa u privova nga shoqëria e saj kur rashë në dashuri me Amerikën dhe ka qenë nderi im për t'i shërbyer asaj dhe çështjes së saj të madhe të lirisë”.

“Kjo është për shkak se unë i kam borxh Amerikës më shumë se ajo mua, prandaj jam kandidat për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Mbështetja për Xhorxh W. Bush – 2000: McCain përfundimisht do të mbështeste presidentin eventual George W. Bush, por të dy nuk u panë sy për sy, sipas raporteve të asaj kohe. Bush tha se McCain si kundërshtari i tij kryesor e bëri atë “një kandidat më të mirë”.

McCain merr përsipër reformën e financimit të fushatës – 2002: Së bashku me senatorin e atëhershëm Russ Feingold, D-Wis, McCain prezantoi aktin dypartiak të Reformës së Fushatës ose aktin “McCain-Feingold”. Legjislacioni miratoi rregulloret e financimit të fushatës politike, veçanërisht me kontributet e parave të buta.

Kryetar i Komisionit për Çështjet Indiane – 2005: McCain shërbeu si kryetar i Komitetit të Çështjeve Indiane nga 2005-a në 2006-n.

Banda e McCainit – 2005: McCain ishte pjesë e së ashtuquajturës “Gang of 14”, një grup senatorësh që punuan së bashku për t'i dhënë fund një nominimi për emërimet gjyqësore. Përveç McCain grupi përfshinte senatorët: Robert Byrd, D-W.Va.; Lincoln Chaffee R-R.I.; Susan Collins, R-Maine; Mike DeWine, R-Ohio; Lindsey Graham, R-S.C.; Daniel Inouye, D-Hawaii; Mary Landrieu, D-La.; Joe Lieberman, D-Conn.; Ben Nelson, D-Neb.; Mark Pryor, D-Ark.; Ken Salazar, D-Colo.; Olympia Snowe, R-Maine; dhe John Warner, R-Va. Vetëm Graham dhe Collins mbeten në Senat deri sot.

McCain dhe Kennedy për emigracionin: Së bashku me senatorin e ndjerë Ted Kennedy, D-Mass., McCain shtyu reformën e imigracionit, që do të përfshinte, ndër të tjera, një rrugë për shtetësinë për disa imigrantë pa dokumente. Ligji gjithashtu bëri thirrje që Meksika të rrisë sigurinë e vet kufitare dhe të ndërmarrë hapa për të luftuar kontrabandistët me emigrantë, njoftoi atëherë “Washington Times”. Në vitin 2006 McCain dhe Kennedy nënshkruan një ligj tjetër për reformën e imigracionit, që do ta merrte përkrahjen e Senatit. Ky projektligj gjithashtu kërkonte përforcimin e kufirit amerikan me Meksikën dhe siguronte një rrugë drejt shtetësisë për disa emigrantë pa dokumente.

McCain për president, pjesa 2 – 2007: Pas njoftimit në programet e lajmeve McCain njoftoi zyrtarisht, përsëri nga New Hampshire, se ai synon sërish presidencën.

Zgjedhja e Palin – 2008: Çuditërisht për shumëkënd McCain e zgjodhi guvernatoren e Alaskës, Sarah Palin, si kandidate për zv/presidente. “Ajo nuk është nga këto pjesë dhe ajo nuk është nga Uashingtoni, por kur ta njihni atë do të jeni aq të impresionuar sa unë jam”, tha McCain.

Obama për president – 2008: McCain humbi presidencën ndaj Barak Obamës, një senator nga Illinois. Joe Biden, i cili është një mik i McCain, ishte zgjedhur për zv/president.

Një bandë tjetër – 2013: McCain ishte pjesë e senatorëve të dypartiakëve të ashtuquajtur “Gang of Eight”, të cilët dolën me një projektligj të reformës së imigracionit në 2013-n.

Përveç McCain, grupi përfshinte senatorët: Michael Bennet, D-Colo.; Dick Durbin, D-III; Jeff Flake, R-Ariz.; Lindsey Graham, R-S.C; Bob Menendez, D-NJ; Marco Rubio, R-Fla. dhe Chuck Schumer, D-N.Y. Ligji i sponsorizuar nga ata u miratua në Senat, por do të “vdiste” në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo gjithashtu do të bëhej një pikë grindjeje për republikanët në të ardhmen.

McCain shkon në Siri – 2013: McCain udhëtoi për në Siri në vitin 2013 për t'u takuar me rebelët në vendin në konflikt, duke u bërë zyrtari më i lartë i SHBA-së për ta bërë këtë në atë kohë.

McCain shkon në Egjipt – 2013: McCain udhëtoi gjithashtu në Egjipt në vitin 2013 dhe tha se rrëzimi i ish-presidentit Mohamed Morsi ishte një “grusht shteti”. Së bashku me kolegun dhe mikun e tij të vjetër, senatorin Lindsey Graham, R-S.C., McCain ndikoi që Shtetet e Bashkuara të “pezullonin ndihmën për Egjiptin” pasi që ushtria e largoi Morsin nga zyra.

McCain viziton Ukrainën – 2013: McCain udhëtoi në Ukrainë në vitin 2013 dhe bisedoi me protestuesit antiqeveritarë, të cilët donin që qeveria e vendit të përafrohet më shumë me Evropën sesa me Rusinë. “Ne jemi këtu për të mbështetur çështjen tuaj të drejtë, të drejtën sovrane të Ukrainës për të përcaktuar fatin e saj lirisht dhe në mënyrë të pavarur dhe fatin që ju e kërkoni shtrihet në Evropë”, tha McCain gjatë fjalimit të tij.

Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura – 2015: McCain shërbeu si kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura që nga viti 2015. Në atë kohë “New York Times” e përshkroi mundësinë si “punë e ëndrrës” e McCainit dhe “puna e vetme në Uashington, përveç presidencës, që ai donte ndonjëherë”.

McCain kthehet në Siri – 2017: McCain bëri një udhëtim të fshehtë në Siri në shkurt 2017 për të “vizituar forcat e SHBA-së të vendosura aty dhe për të diskutuar fushatën kundër ISIS-it dhe operacionet në vazhdim”, sipas zëdhënësit të tij.

McCain kundrejt kujdesit shëndetësor – 2017: McCain u kthye në Senat pas diagnozës së tij të kancerit të trurit për të dhënë votën vendimtare mbi përpjekjet e republikanëve për të anuluar ligjin e kujdesit shëndetësor të Obamës. Ai së pari votoi për të çuar përpara debatin mbi ligjin dhe u prit me ngrohtësi nga ligjvënësit nga të dyja anët. Por kur ligji u hodh në votim McCain votoi “Jo” për përpjekjet për të shfuqizuar dhe zëvendësuar “ObamaCare”. “Unë besoj se mund të bëjmë më mirë duke punuar së bashku, republikanë dhe demokratë dhe nuk e kemi provuar ende me të vërtetë”, tha McCain në atë kohë.

Përfitues i “Medaljes së Lirisë” – 2017: McCain mori çmimin vjetor të “Medaljes së Lirisë” në Filadelfia për “jetën e tij kushtuar sakrificës dhe shërbimit”. Çmimi u jepet burrave dhe grave me guxim dhe bindje, të cilët janë përpjekur të sigurojnë bekimet e lirisë për njerëzit në mbarë botën. Jo Biden ndau çmimin për McCain./Zeri