Ja kur e fillon mandatin presidenti i ri francez

Bota May 07, 2017 - 23:40

Ligjërisht, kalimi i pushtetit duhet të ndodhë ndërmjet ditës së shpalljes zyrtare të rezultateve të rrethit të dytë dhe ditës së fundit të mandatit të presidentit aktual.

I zgjedhur më 6 maj 2012, presidenti aktual, François Hollande, ka nisur punën më 15 maj: prandaj, presidenti i ri do të nisë mandatin më së voni më 15 maj 2017.

Ndonëse asnjë rregull kushtetuese nuk e parasheh në mënyrë strikte zhvillimin e kësaj ceremonie, megjithatë janë disa rituale: presidenti i zgjedhur takohet me presidentin aktual në pallatin Élysée në mëngjes për një takim pa praninë e kamerave, shkruan “Le Figaro”, transmeton kallxo.com.

Pastaj, François Hollande duhet të largohet nga pallati presidencial.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryetari i Këshillit kushtetues shpall rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.

Pasi të jetë inauguruar zyrtarisht, presidenti i Republikës mund ta mbajë fjalimin e tij të parë si i tillë, duke iu drejtuar francezëve.

Më pas, pasdite ai bën një varg homazhesh jashtë pallatit Elysée.

Ai vendos, sidomos, një kurorë lulesh mbi varrin e Ushtarit të Panjohur, dhe shkon në Komunën e Parisit për ta takuar kryetarin.