Arrestohen katër adoleshentë të dyshuar për sulmin ndaj eurodeputetit gjerman

Arrestohen katër adoleshentë të dyshuar për sulmin ndaj eurodeputetit gjerman

Bota May 06, 2024 - 21:04

Katër adoleshentë po hetohen për një sulm ndaj një deputeti gjerman të Parlamentit Evropian, ka njoftuar policia gjermane.

Bëhet e ditur se Matthias Ecke, 41 vjeç, është rrahur ndërsa vendoste postera në Dresden për partinë SPD të kancelarit Olaf Scholz.

Udhëheqësit në të gjithë Gjermaninë e kanë dënuar sulmin ndaj tij dhe politikanëve të tjerë, të cilat janë dyfishuar në Gjermani që nga zgjedhjet e Parlamentit Evropian të vitit 2019.

Siç raportohet, një 17 vjeçar është dorëzuar vetë në stacionin policor. Më pas, policia ka identifikuar edhe tre të rinjtë e tjerë.

Të katër të akuzuarit janë shtetas gjerman të moshës 17 deri në 18 vjeç, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, deri më tash nuk dihen motivet e mundshme të sulmit.

“Ne kemi nevojë për më shumë prani të policisë në terren, për të mbrojtur politikanët demokratë në tribuna dhe fushata”, tha Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, duke premtuar “masa të ashpra” për sulmuesit.

Ajo tha se dhuna po “ushqehet” nga e djathta ekstreme gjermane.

Madje, edhe krerët e SPD-së në Saksoni, Henning Homann dhe Kathrin Michel, fajësuan partinë e ekstremit të djathtë AfD.

Akuzat janë mohuar menjëherë nga bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel.

Ndryshe, dhuna ndaj politikanëve në gjermani thuhet të jetë rritur shumë sipas të dhënave të qeverisë. /Telegrafi