Opozita po shpërndan mjegull

Aktuale July 17, 2016 - 07:46

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi rrezikon jo vetëm liberalizimin e vizave, por gjithë proceset vijuese në vend. Në intervistën dhënë “Zërit” ai thotë se Kosova do të kthehet mbrapa në të gjitha segmentet shtetformuese, duke përfshirë edhe formimin e FAK-ut dhe atë të eurointegrimit. Kryeministri thotë se Kosova nuk ka humbur fare territor, por opozita ka krijuar qëllimisht “mjegull”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është i bindur se mosratifikimi i Demarkacionit në Kuvend rrezikon jo vetëm lëvizjen pa viza, por edhe proceset që lidhen me sovranitetin, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.

Gjatë një interviste të gjatë për “Zërin”, Mustafa konsideron kauzë për përfitime elektorale qëndrimin e opozitës karshi kësaj çështjeje dhe thotë se opozita nuk po arrin të dëshmojë se kujt i humbën mbi 8000 hektarë tokë, ndërkohë që territori i Kosovës dhe i komunës së Pejës janë të plota.

“Shënimi i kufirit është bërë në përputhje me Pakon Ahtisaari, mbi të cilën është shpallur pavarësia, është miratuar Kushtetuta dhe në këtë territor na kanë njohur SHBA-ja dhe 110 vendet e tjera të botës. SHBA-ja e ka bërë të qartë se na ka njohur në kufijtë që përputhen plotësisht me kufirin e përcaktuar nga ky proces demarkacioni”, thotë ai.

Kryeministri, Isa Mustafa, flet edhe për raportet me PDK-në, realizimin e premtimeve elektorale, zvogëlimin e kabinetit qeveritar dhe ndërrimin e ministrave, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërtimin e lagjes “Lugina e diellit”, pagesat e bashkatdhetarëve në kufi dhe qasjen ndaj njerëzve të korruptuar në Qeveri.

Zëri: Z. Kryeministër Mustafa, kaloi një vit e gjysmë prejse jeni shef i Qeverisë. Sa keni arritur t’i përmbushni synimet dhe premtimet e dhëna?

Mustafa: Mund të them se kemi pasur një përkushtim të jashtëzakonshëm që të realizojmë programin qeverisës. Kemi arritur t’i realizojmë disa prej premtimeve të rëndësishme që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane dhe mirëqenien sociale. Mund të përmend nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, rekomandimin për liberalizimin e vizave, reformat fiskale, rritjen ekomomike prej 4 %, rritjen e madhe të pensioneve dhe të asistencës sociale për të gjitha familjet në asistencë. Kemi rezultate inkurajuese në bujqësi, ku sivjet i kemi rendimentet më të larta se çdo vit tjetër, në drejtësi, në infrastrukturë, në kulturë, rini, sport, në shëndetësi, ku dje vumë gur themelin e emergjencës së re shumë moderne, në arsim, në forcimin e raporteve me diasporën. Të arritura të mëdha janë edhe anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, si dhe përfshirja e Kosovës në Programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të cilat nuk do të ndodhnin pa stabilitet qeverisës.

Zëri: Në Kuvend aktualisht keni deputetë njëjtë sa edhe PDK-ja. A keni arritur si LDK ta shtrini pushtetin në korrelacion me partinë partnere?

Mustafa: Koalicioni aktual qeverisës është përballur me sfida dhe tema të mëdha shtetërore, të cilat nuk do të mundë të adresoheshin nëse nuk do të kishte unitet programor dhe veprues. Duke pasur parasysh këto prioritete madhore këtë koalicion në asnjë formë nuk e shohim si koalicion të numrave dhe të dominimit të dikujt, duke u bazuar në numra.

Zëri: A jeni në disavantazh si parti, pasi që PDK-ja mban dy pozitat kyçe, kryeparlamentarin dhe presidentin?

Mustafa: Jo. Mendoj se koalicioni është i balancuar dhe se nuk kemi pasur probleme avantazhi në këtë raport. LDK-ja në këtë mandat e ka pasur postin e kryeministrit, që është kërkesë e kamotshme e anëtarësisë së LDK-së dhe jo vetëm. Po japim maksimumin tonë në pozitat që kemi dhe mund të them se kemi arritur të krijojmë standarde të reja edhe në zhvillimin e shtetit, por edhe në funksionimin e institucioneve. Standarde të ndërtuara në mirëbesim, partneritet programor dhe respekt institucional.

Kemi partneritet reciprok me PDK-në

Zëri: Me cilin është më lehtë të punohet si partner, me Kadri Veselin apo Hashim Thaçin?

Mustafa: Besoj që kemi mirëkuptim reciprok dhe siç e thashë edhe më herët tashmë ne kemi krijuar standard të ri të partneritetit programor-politik për interesa të shtetit, i cili nuk lidhet shumë me emra të njerëzve, por determinohet nga interesi nacional.

Zëri: Para koalicionit janë dy fronte të rëndësishme, Asociacioni dhe Demarkacioni. Cilën e konsideroni më të rëndësishme?

Mustafa: Janë dy tema shumë të rëndësishme shtetërore. Ka pasur tendenca shumë të mëdha që ato të shndërrohen në kauza të politikës ditore, gjë që ka qenë shumë e dëmshme. Nuk mund të lejohet që tema kaq të rëndësishme për shtetin, integrimet euroatlantike dhe sovranitetin e subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit, të keqpërdoren për përfitime elektorale.

Zëri: A ka konsensus brenda koalicionit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion?

Mustafa: Ne po bëjmë përpjekje që për demarkacionin të krijojmë konsensus jo vetëm brenda koalicionit, por në gjithë spektrin politik e qytetar. Për këtë arsye kemi krijuar hapësirë të nevojshme për debat, ku ka ndihmuar shumë edhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit, deklarata e presidentit Obama, qëndrimi i drejtuesve evropianë dhe krijimi i Komisionit të Ekspertëve Ndërkombëtarë nga ish-presidentja.

Zëri: Shpejtim Bulliqi, por edhe ekspertë të tjerë po thonë se Komisioni Qeveritar ka bërë gabime me kufirin, më 3 gusht është caktuar edhe një debat për këtë çështje. A jeni i gatshëm të kërkoni rishikim të vendimit?

Mustafa: Duke u bazuar në qëndrimin e Komisionit Shtetëror, qëndrimin amerikan dhe në Komisionin Trepalësh Ndërkombëtar, del që nuk janë bërë gabime në këtë proces. Unë besoj se tashmë të gjithë e kanë kuptuar se sipas të gjitha argumenteve shënimi i kufirit është bërë në përputhje me Pakon Ahtisaari, mbi të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës, është miratuar Kushtetuta e Kosovës dhe se në këtë territor na kanë njohur SHBA-ja dhe 110 vendet e tjera të botës. Andaj, ne nuk mund të kërkojmë rishikim të një procesi i cili del jashtë akteve kushtetuese dhe cenon partneritetin ndërkombëtar. SHBA-ja e ka bërë të qartë se na ka njohur në kufijtë që përputhen plotësisht me kufirin e përcaktuar nga ky proces demarkacioni.

Edhe opozita, si dhe ata që po prezantohen si ekspertë, po japin deklarata se Kosova i ka humbur mbi 8000 hektarë, por nuk po tregojnë se sa kilometra katrorë i ka pasur Kosova në vitin 1988, të cilit vit i referohet Pakoja e Ahtisaarit, dhe sa kilometra katrorë i ka pasur komuna e Pejës, atëherë dhe sot. Mendoj se kjo përgjigje e saktë e zgjidh nyjën. Ne e kemi përgjigjen, por ata po shpërndajnë mjegull.

Sa i përket debatit të caktuar nga Kuvendi, ne në vazhdimësi kemi qenë të gatshëm për debat dhe që anëtarët e Komisionit Shtetëror, por edhe zyrtarët të tjerë, të ballafaqohen me të gjitha palët e interesuara. Do të ofrohen të gjitha dokumentet dhe materialet e nevojshme që të sqarohet kjo çështje dhe që më pas të vazhdohet me proceset.

Mosratifikimi i Demarkacionit, dëm i madh për vendin

Zëri: Nëse nuk kalon në Kuvend marrëveshja, cilat janë hapat e ardhshëm?

Mustafa: Unë besoj në vendim meritor, i cili merr parasysh dokumentet kushtetuese, partneritetin ndërkombëtar dhe proceset integruese, euroatlantike e interesat vitale të qytetarëve. Për hapa të tjerë jashtë këtij përcaktimi të qytetarëve nuk mund të imagjinoj tash për tash.

Zëri: Nëse nuk ratifikohet kufiri, a duhet Kosova të shkojë në zgjedhje të reja?

Mustafa: Pikërisht ndërlidhja e proceseve dhe interesave shtetërore me interesa partiake, elektorale është shumë e dëmshme për një shtet si Kosova, që ka nevojë për fuqizim të shtetësisë në të gjitha aspektet. Ne nuk i druhemi zgjedhjeve, por nuk mendoj që proceset elektorale ia shpejtojnë Kosovës liberalizimin e vizave, nuk e zhvillojnë ekonomikisht dhe nuk e fuqizojnë shtetësinë, aq më pak se i sjellin territor më të madh.

Jemi në një fazë kur shumë shpejt, nëse i përmbushim obligimet tona, qytetarët tanë mund të lëvizin të lirë, të rrisim zhvillimin ekonomik dhe të fuqizojmë shtetësinë e sovranitetin dhe të marrin përkrahje të nevojshme për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Me zgjedhje para vitit 2018 këto procese do të prolongoheshin ndoshta për vite të tëra.

Zëri: A rrezikojnë të mbesin qytetarët e Kosovës pa lëvizje të lirë nëse nuk ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit?

Mustafa: Rrezikojmë edhe më shumë sesa lëvizjen pa viza në vendet e BE-së.

Sa i përket liberalizimit, ne duhet që ta procedojmë Demarkacionin para datës 5 shtator, në mënyrë që institucionet kompetente evropiane të marrin vendim për t’ua mundësuar kosovarëve lëvizjen e lirë.

Por, çështja e demarkacionit ka shumë rëndësi edhe për çështjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Ne, përmes caktimit të kufijve shtetërorë me Malin e Zi, do ta përkufizojmë sovranitetin e Kosovës me një vend i cili shumë shpejt do të jetë edhe formalisht pjesë e NATO-s, që është Mali i Zi. Ne jemi të përcaktuar që edhe Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ky proces i demarkacionit do të kishte impakt edhe në transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Kjo më është bërë e ditur edhe gjatë takimit me ndihmëssekretaren amerikane, Victoria Nuland, në takimin e fundit, pa marrë parasysh se disa po thonë se kjo nuk mund të jetë kriter. Por, miqtë tanë i thonë qartë qëndrimet e tyre. Nuk mund të presim përkrahjen e SHBA-së dhe as të NATO-s që ta themelojmë ushtrinë kur kemi probleme të kufirit me një shtet fqinj anëtar të NATO-s.

Zëri: Kur do të themelohet Komisioni për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe?

Mustafa: Me marrëveshjen e parë ka qenë e paraparë që të formohet një ekip menaxhues prej përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe. Me rëndësi është që do të punohet vetëm mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do ta pranojmë në asnjë rast të devijojmë nga ajo që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë si korniza për themelimin e Asociacionit. Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, nuk mund të jetë pushtet i tretë. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë 23 orientime sesi duhet të duket Asociacioni në mënyrë që të ruhet fryma kushtetuese dhe ne do ta zbatojmë në tërësi. Kur të jetë gati teksti i statutit, ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, që të japë mendimin dhe Asociacioni do të bëhet vetëm sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Do të zvogëlohet kabineti qeveritar 

Zëri: Si e vlerësoni ndërtimin e lagjes “Lugina e diellit” në veri? A pritet intervenim i Qeverisë?

Mustafa: Mendoj se çdo zhvillim apo projekt i qëndrueshëm në territorin e Kosovës nuk do të mundë të bëhet pa lejen e institucioneve të Kosovës. Ne nuk duhet të biem pre e deklaratave apo projekteve fiktive, të cilat bëhen për të nxitur tensione. Qeveria ka intervenuar, është kërkuar përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të veprojnë në ndaljen e punimeve, të cilat u filluan pa leje dhe pa dokumentacion urban. Ne po e shtrijmë sovranitetin e shtetit dhe kjo është kryesorja.   

Zëri: Z. Kryeministër, opozita, por edhe shoqëria civile, ju kanë akuzuar se keni një kabinet shumë të madh qeveritar, përgjysmë më shumë sesa ka Zvicra. A i duhen Kosovës gjithë këta ministra?

Mustafa: Jemi duke biseduar me partnerin e koalicionit dhe po punojmë në vlerësimin e performancës së ministrive. Po shqyrtojmë mundësitë që të bëjmë ndryshime edhe në pikëpamje të njerëzve që ofrojnë perspektivë më të mirë për reformat që ne duhet t’i bëjmë. Por, po ashtu, jemi të interesuar ta zvogëlojmë kabinetin qeveritar.

Ende nuk jemi përcaktuar se sa ministri mund të mbeten sepse duhet të bëjmë edhe fuzionimin dhe duhet të shmangim problemet e strukturimit. Edhe fryma e programit tonë qeverisës nënkupton një qeveri numerikisht më të vogël, por nuk duhet të harrojmë se kemi obligime kushtetuese për të siguruar përfaqësim të komuniteteve joshumicë dhe ministri të caktuara për to. Prandaj, do të kemi parasysh më shumë faktorë gjatë formatimit të Qeverisë. 

Zëri: Pse Kosova duhet të ketë edhe Ministri të Jashtme dhe të Diasporës, të Financave dhe të Ekonomisë, të Infrastrukturës dhe të Tregtisë dhe Industrisë, për Dialog, pa Portofol, etj, etj?

Mustafa: Mund t’ju them se në fund të këtij viti do ta trajtojmë edhe Ligjin për Qeverinë dhe pastaj të krijojmë edhe bazë ligjore për të ardhmen sa ministri do t’i ketë Qeveria dhe sesi do të strukturohen ato. Por, kemi një mendim të përbashkët dhe një orientim të përbashkët edhe me PDK-në që ta zvogëlojmë kabinetin qeveritar.

Zëri: Pse z. Kryeministër, gjatë ardhjes së bashkatdhetarëve Kosova është shndërruar në kantier ndërtimi të infrastrukturës, gjysma e vendimit është bllokuar. Pse po ndodh kjo praktikë që punët në rrugë të kryhen në korrik e në gusht?

Mustafa: Problemi qëndron te aspektet procedurale, si dhe te nevoja e kompanive për më shumë kohë që t’i përfundojnë sidomos disa projekte që janë më të mëdha. Edhe problemi i motit të qëndrueshëm është faktor i rëndësishëm. Por, do të ishte shumë e preferueshme që kompanitë e ndërtimit t’i kenë parasysh oraret më të frekuentuara dhe të ndërmarrin masa që të mos krijohen kolona të gjata. Duhet të kemi konsiderata të posaçme edhe për bashkatdhetarët tanë, të cilët vizitojnë Kosovën këto ditë.

Zëri: Me kartonin e gjelbër a po i hyhet në hak bashkatdhetarëve dhe a besoni se këtu ka ndikim politika në këtë çështje?

Mustafa: Unë e konsideroj shumë të rëndësishme që kjo çështje të adresohet sa më parë edhe pse jo gjithçka është në dorën tonë. Ne shpresojmë se Kosova sa më parë të bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbër dhe që këto vështirësi dhe ngarkesa fizike e materiale të padrejta të shmangen njëherë e përgjithmonë.

Zëri: Dhe pyetja e fundit. Njerëzit e korruptuar a kanë vend në kabinetin e Qeverisë, të cilin udhëhiqni ju? 

Mustafa: Ne e kemi bërë të qartë dhe qëndrojmë fort pas përcaktimit tonë se njerëzit e korruptuar nuk do të kenë vend në asnjë dikaster të Qeverisë. Ne kemi marrë masa që t’i suspendojmë të gjithë zyrtarët ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për veprime korruptive dhe po ashtu kemi vërtetuar përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si rezultat i këtij përkushtimi ne kemi bërë edhe avancimin në proceset eurointegruese, jemi pranuar në Programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit të SHBA-së dhe kemi marrë rekomandimin për liberalizim të vizave. Po ashtu, dje patëm rastin të dëgjojmë deklaratat e bizneseve se kemi një progres të madh në eliminimin e tenderomanisë dhe se ka suksese evidente në këtë drejtim.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar tashmë është prioritet qendror dhe ne po bëjmë progres të madh në këtë drejtim.