Kjo ishte domethënia e pikturës që presidenti Thaçi ia dhuroi Atit të Shenjtë (Foto)

Aktuale June 17, 2016 - 12:16

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur t’i dhuroj Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, një pikturë të punuar prej një artisti të komunitetit rom në Kosovë.

Nga burime brenda Presidencës, mësohet se presidenti Thaçi ka kërkuar që për Atin e Shenjtë të përgatitej një dhuratë domethënëse, që të nxirrte në pah dimensionin e harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike të Kosovës, meqenëse ishte e përfshirë në agjendën e takimit se do të bisedohej për këtë temë, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, ishte vendosur për një pikturë me kornizë të thjeshtë druri të pikturuar nga një piktor rom, duke ditur edhe natyrën modeste të Papa Françeskut, i cili ndjek një stil jetese të thjeshtë e pa luks dhe ka një ndjeshmëri shumë të madhe për të varfrit.

Mësohet se porosia për këtë pikturë i ishte dhënë enkas piktorit Bajram Mehmeti, që vjen nga komuniteti rom i fshatit Lepan të Lipjanit.

Piktori Mehmeti u bë veçanërisht i njohur për opinionin publik në prill të vitit 2012, kur Galeria Kombëtare e Kosovës organizoi një ekspozitë me punimet e tij dhe të motrës së tij, Farija Mehmeti, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Burime brenda presidencës tregojnë se Papa Françeskut i ka pëlqyer dhurata dhe e ka pranuar me kënaqësi, pasi presidenti Thaçi ia ka shpjeguar edhe domethënien e saj dhe i ka folur edhe për piktorin Mehmeti dhe talentet e shumta të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Si model inspirimi për punimin e pikturës me domethënie të harmonisë ndërfetare ishte zgjedhur një prej fotografive më të njohura në Kosovë të viteve të fundit, ajo e Shkëlzen Rexhës, ku shihen çatitë e Gjakovës të mbuluara me borë, si dhe xhamia e kisha katolike afër njëra-tjetrës.

Kjo fotografi ka qenë ndër pesë fotot më të mira të përzgjedhura në sesionin e parë të garës #InstaKosova, të organizuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe gjithashtu është përzgjedhur si ndër fotot më të mira të garës së fotografisë “Llojllojshmëria fetare në Kosovë”, të organizuar nga Ambasada Gjermane në vitin e kaluar.

Gjatë takimit të saj me Papa Françeskun në janar të vitit 2015, ish-presidentja Atifete Jahjaga i kishte dhuruar një kristal nga miniera e Trepçës.

Image