Haxhiu: Kurrë në koalicion me PDK-në, nuk përjashton mundësinë e ribashkimit të opozitës (Video)

Aktuale May 30, 2016 - 23:00

Dërgimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend, do ta risjell edhe Lëvizjen Vetëvendosje në sallën e legjislativit.

Kështu është shprehur deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

Ajo ka thënë se gazi lotsjellës i përdorur për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme të cilat i ka nënshkruar kjo qeveri, ia ka hapur sytë shumë njerëzve.

“Nëse veprimet tona kanë qenë radikale i kemi vuajtur me burg. Organet e drejtësisë të ashpra ndaj opozitës kanë treguar që janë instrument i qeverisë”, ka deklaruar deputetja Haxhiu, duke shtuar se më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës kanë dosje në prokurori.

Haxhiu ka folur edhe për mundësinë e ribashkimit të opozitës.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që të jemi bashkë, por AAK e NISMA duhet ta pranojnë alternativen që ne e kemi propozuar”, ka thënë ajo.

Deputetja Haxhiu duke folur për ndarjen e opozitës ka thënë se ka qenë e palogjikshme që thuhet nga AAK e NISMA që jemi kundër marrëveshjeve, por nuk kemi vija të kuqe me PDK-në.

“Ne Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk do të kemi koalicion me PDK-në as para as pas zgjedhjeve…PDK e ka vijë të kuqe”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja e VV-së ka treguar edhe se kur mund të ndodhë protesta e radhës siç ka treguar edhe për ngritjen e katër padive në organet e drejtësisë, dy prej tyre të ngritura së fundi.  Ndiqeni intervistën e plotë të deputetes Haxhiu dhënë për “Kontakt”./Tribuna/