Gazetarët serbë protestojnë para RTK-së

Aktuale May 24, 2016 - 17:54
Rreth 100 pjesëtarë të komunitetit serbë kanë protestuar gjatë ditës së marte përpara ndërtesës së Radio Televizionit të Kosovës me kërkesën që ky institucion të respektojë ligjin për zgjedhjen e drejtorit të programit të dytë të RTK-së, në gjuhën serbe.

Protestuesit, që në mënyrë të organizuar nga vendbanimet e tyre erdhën në Prishtinë me dy autobusë, u shpërndanë të qetë pas protestës. Me moton „Respekto Ligjin“, ata thanë se po shkelet ligji në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTK 2, në gjuhën serbe, pas skadimit të mandatit të drejtorit të deritashëm.

LEXO EDHE: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, problematike

Sipas tyre, katër anëtarëve të komisionit “ad hoc” i emëruar nga Bordi i RTK-së, që duhet të propozojë dy kandidatë për drejtor, nuk i plotësojnë kushtet të jenë pjesë të komisionit, I cili duhet të përbëhet nga ekspertë të mediave, përfaqësues të njohur të shoqërisë civile dhe njerëz jashtë politikës.

Kryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Niçiq, i ka bërë thirrje Bordit Drejtues të RTK-së që të respektojë ligjin kurse autoriteteve të vendit të respektojnë Kushtetutën, duke kërkuar që përzgjedhja e drejtorit të bëhet në mënyrë transparente.

Protestuesit thanë se njëri nga kandidatët për drejtor të RTK 2, programit në gjuhën serbe, është ish-zëvendësi i kryetarit të komunës së Shtërpces dhe kjo e bënë atë të mos përmbushë kriterin për drejtor.

Ligji për RTK-në parasheh që të gjithë ata që në tri vitet e fundit kanë kryer funksione politike, qoftë në nivele lokale ose atë qendror, nuk mund të zgjidhen në menaxhment të RTK-së..

Kanali i dytë i RTK-së, filloi punën nga mesi i vitit 2013, në kuadër të RTK-së, dhe përveç programit në gjuhën serbe, transmeton program edhe në gjuhët e tjera të bashkësive etnike në Kosovë. RTK 2 financohet nga buxheti i shërbimit publik të Kosovës.