Kurti proteston në Shkup por jo në Prishtinë

Aktuale May 09, 2016 - 20:56

Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, sot është mbajtur protesta me rastin e një vjetorit të ngjarjeve në Kumanovë dhe për Ditën e Evropës.

Protesta e organizuar nga Këshilli i Shqiptarëve të Maqedonisë është përkrahur edhe nga partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan lajmi.net

Ish-lideri i kësaj partie, tani deputet, Albin Kurti, sot është parë duke protestuar në Shkup. Kurti i është bashkuar kauzës së shqiptarëve të Maqedonisë, por duket se ka hequr dorë nga kauza që vet ai së bashku me kolegët e opozitës e nisën në Prishtinë.

Në kryeqytetin e Kosovës, më 14 maj, tash e një muaj është thirrur një protestë nga partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Pas ndarjes së Vetëvendosjes nga AAK dhe Nisma, asnjë zyrtar i VV-së nuk është deklaruar se do të mbështesë këtë protestë, e cila është thirrur për kauzat tashmë të njohura të opozitës kosovare, Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, apo siç opozita i referohet “Zajednica”.

Kundër “Zajednicës” ka qenë pikërisht partia e Kurtit, që ka ngritur zërin e para. Prej nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, në verën e vitit të kaluar, VV së bashku me AAK-në dhe Nisma-n, kanë protestuar në Kuvend dhe jashtë saj, shkruan lajmi.net

E nisën me hedhje të vezëve, shisheve të ujit, duke kaluar në skenat tashmë të njohura, të hedhjes së gazit lotjsjellës brenda Kuvendit të Kosovës.

Por rrugët e Vetëvendosjes dhe AAK-së e Nismës u ndanë. Këto dy të fundit, nënshkruan marrëveshje koalicioni parazgjedhor.

Më 14 maj, AAK dhe Nisma kanë thirrur edhe Vetëvendosjen dhe simpatizantët e saj t’i bashkohen protestës por askush nga kjo e fundit nuk ka thënë publikisht se do të marrin pjesë.