Nuk ka pushime pa ratifikim të Marrëveshjes me Malin e Zi

Aktuale May 06, 2016 - 20:19
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se gjatë jave në vazhdim, do të procedohet në Kuvend marrëveshja për demarkacion mes Kosovës me Malin e Zi. Kjo sipas tij, duhet të ndodhë para se deputetët të shkojnë në pushime.
 
Mustafa, në një konferencë për media ka treguar se nga java e ardhshme do të bisedojë me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe me presidentin Hashim Thaçi në mënyrë që të shihet se në çfarë forme dhe kur do të procedohet në Kuvend.

“Demarkacioni duhet të zgjidhet sa më shpejt, se nuk kemi afat shumë të madh pasi që vjen koha e pushimeve të parlamentit”, ka thënë Mustafa.

“Që nga java e ardhme do të bisedoj me kryetarin e parlamentit dhe me presidentin dhe do të zgjedhim kur do të bëhet procedimi”, ka deklaruar Kryeministri.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, sikurse lufta kundër-korrupsion janë kushte të BE-së për Kosovën që përmenden në raportin pozitiv të Komisionit Europain për liberalizimin e vizave për kosovarët.