Biznese të fuqishme në tokat e Azem Sylës (FOTO/VIDEO)

Aktuale April 29, 2016 - 07:50

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, dhe avokati i Nuhi Ukës, Tahir Rrecaj, nuk i dinë saktësisht vendet se ku janë shpronësuar tokat, për të cilat dyshohen klientët e tyre. Por, biznese të mëdha janë të vendosura në pronat ku dyshohet të jenë zhvilluar dallavere milionëshe

Pronat në afërsi të autostradës që po ndërtohet për në Shkup, në dalje të fshatit Uglar të Fushë Kosovës, në hyrje të fshatit tjetër Preocë, dyshohet të jenë tokat që zbuluan skandalin me rrjetin kriminal të udhëhequr nga deputeti i PDK-së, Azem Syla. Ndërkohë që shumë biznese të fuqishme janë ndërtuar në prona të shpronësuara paligjshëm, skaj magjistrales Prishtinë-Shkup.

Qytetarët e lokacioneve përreth këtyre tokave nuk preferojnë të flasin se cilat toka saktë janë shpronësuar në mënyrë ilegale.

“Nuk e dij saktë… Këtu ka shumë toka që kanë qenë të përfshira në procesin e shpronësimit”, ka thënë një banor në Çagllavicë.

Avokatët mbrojtës të Azem Sylës dhe Nuhi Ukës, nuk e dinë saktë vendin se ku gjenden pronat për të cilat klientët e tyre po dyshohen se i shpronësuan në mënyrë të paligjshme.

Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i ish-kryetarit të ish-Gjykatës Themelore të Prishtinës, Nuhi Uka, ka thënë për “Zërin” se saktësisht nuk mund t’i cilësojë parcelat se ku gjenden.

“Por bëhet fjalë për prona të tri familjeve serbe, që për shkak të hetimeve nuk do t’i përmend”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tij, ato prona gjenden në Fushë Kosovë, “Veternik”, Llapnaselë dhe Preocë. “Të paktën kështu thuhet në kërkesën e Prokurorisë së EULEX-it për caktimin e masës së  paraburgimit për klientin tim”, ka thënë avokati Rrecaj për “Zërin”.

As Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Azem Sylës, në është në dijeni se ku gjenden parcelat për të cilat dyshohet klienti i tij.

“Unë ende nuk kam bërë marrëveshje me Sylën. Pas kësaj do të interesohem”, ka thënë ai.

Biznese të mëdha në pronat e shpronësuara ilegalisht

Por, gazeta “Zëri” mëson se tokat ishin edhe prona të ish-kooperativave. “Ato prona janë shpronësuar nga pronarët dhe kanë kaluar në pronë shoqërore, qoftë me reformën agrare ose me shpronësim. Ato prona kanë qenë prona të ‘KBI – Kosova Export’ në Fushë Kosovë”, ka thënë Rrecaj.

Pastaj, siç dyshon Prokuroria, të njëjtat, me disa vendime gjyqësore dhe kontrata të paligjshme kanë kaluar te personat e tjerë. Andaj, Prokuroria pretendon se kjo ka ndodhur përmes shpërdorimit të detyrës zyrtare. Përkitazi për këtë dyshohet Nuhi Uka, ish-kryetar i ish-Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Z. Uka dyshohet për tri vepra penale, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit dhe për marrje ryshfeti, të gjitha këto të lidhura me krim të organizuar”, ka thënë avokati i tij, Tahir Rrecaj.

Ai ka mohuar që klienti i tij të ketë kryer këto veprime apo të ketë lidhje me “kreun” e këtij grupi të dyshuar kriminal, Azem Sylën.

“Nuk ka asnjë lidhje me Azem Sylën”, ka thënë avokati Rrecaj.

Ky i fundit thotë se hetimi ka filluar më 30 dhjetor 2014, ndërsa avokatët dhe të dyshuarit, sipas Rrecajt, informatën për këtë hetim e kanë marrë tek ditën që ndodhën arrestimet dhe bastisjet.

“Është dashur Prokuroria ta njoftojë mbrojtjen, t’i njoftojë klientët dhe t’i ftojë që të intervistohen dhe t’u jepet mundësia në fazën e hetimit t’i kundërshtojnë pretendimet e Prokurorisë”, ka thënë Rrecaj, i cili insiston se as avokatët e as klientët e tyre pas dy vitesh nuk e dinë se çfarë prova posedon Prokuroria.  

Azem Syla negocion kthimin

Por, Nuhi Uka edhe dy vite më parë ishte arrestuar pikërisht për shkak të dyshimeve për shpërdorime me prona, proces ky që nuk ka përfunduar ende.

“Nuhi Uka ishte arrestuar dhe ishte në arrest shtëpiak për një periudhë të shkurtër kohore, për një lëndë tjetër. Është lëshuar të mbrohet në liri dhe dy rastet të cilat janë në zhvillim e sipër kundër z. Uka”, ka thënë Rrecaj.

Por, të enjten Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Nuhi Ukës.

Ndërkohë, gazeta “Zëri” ka mësuar se i dyshuari kryesor në rastin e shpronësimit të paligjshëm të tokave, Azem Syla, po negocion kthimin në Kosovë me EULEX-in.    

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë se Syla kishte paralajmëruar kthimin. Por, Gashi thotë se klienti i tij nuk e kishte precizuar kohën se kur do të kthehej për t’iu dorëzuar organeve të rendit.

Ndryshe, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, po dyshohet të jetë edhe “komandant” i një grupi kriminal që është marrë me shitjen e tokave shoqërore në periferi të Prishtinës.

Syla vetë i 51-ti, ka qenë në “target” të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por ai nuk ka “qëlluar” në shtëpinë e tij kur në derë trokitën hetuesit, por as nuk iu është paraqitur më vonë autoriteteve.

Policia arrestoi vetëm 6 nga 52 të dyshuarit për tjetërsim të pronave dhe shpërdorim të detyrave zyrtare në operacionin më të madh kundër krimit të organizuar, realizuar nga Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës.  

Image