FAK-u nuk bëhet as këtë vit

Aktuale February 07, 2016 - 07:51

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura vështirë se mund të ndodhë këtë vit, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës e ka futur këtë çështje në planin legjislativ për vitin 2016. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të subjekteve opozitare dhe njohës të këtij procesi. Ata vlerësojnë se Lista Serbe do të paraqesë pengesë pasi ky subjekt nuk mbështet ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të nevojshme për këtë transformim.

Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, ka thënë për “Zërin” se FSK-ja është e gatshme për transformim në Forca të Armatosur, por, sipas tij, ky transformim varet nga proceset politike.
“Kjo varet nga zhvillimi i proceseve politike në Kosovë, nga veprimet që do të zhvillohen këtu në Kosovë dhe nuk varen më nga FSK-ja. FSK-ja është e gatshme për transformim. Po e theksoj edhe një herë se ne si Ministri dhe FSK jemi të gatshëm për transformim. Ne besojmë se këtë vit forcat politike në Kosovë, Qeveria edhe faktorët, që janë pjesëmarrës në këtë proces të vendimmarrjes, do të gjejnë gjuhën e përbashkët, forcën për të realizuar këtë objektiv me shumë interes për shtetin, për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Shala.

Në anën tjetër deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur që transformimin e FSK-së në FAK të vërë si kusht për çështje të tjera, qoftë edhe për Gjykatën Speciale. Sipas saj, ky transformim vështirë se mund të bëhet këtë vit. “Në planin legjislativ e kanë planifikuar që kjo të trajtohet në fund të vitit, por duke i ditur qëndrimet e Listës Serbe, të dirigjuara direkt nga Beogradi, nuk besojmë se kjo Qeveri do të arrijë t’i bindë ata që ta mbështesin këtë transformim. Kjo Qeveri nuk ka sjellë asgjë të mirë, prandaj shpresojmë se do të vije një qeveri, e cila do të jetë më e përkushtuar dhe do ta realizojë këtë transformim”, është shprehur Kadrijaj.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala, ka thënë se Qeveria do të duhej që ky transformim të vihet si kusht në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Caktimi i 30 nëntorit si kohë kur do të trajtohet çështja e Ushtrisë është vetëm sa për fituar në kohë nëse mund të themi, sepse pa një marrëveshje me Listën Serbe nuk do të mundë të ndodhë të transformohet në Forca të Armatosura as në vitin 2016 e as në vitin 2020. Ky do të jetë një problem jashtëzakonisht i madh. Qeveria nuk ka ditur t’i përdorë kushtëzimet ndaj çështjeve tjera në kuadër të dialogut”, ka theksuar Shala.
Ndërsa eksperti i çështjes së sigurisë, Avni Islami, ka thënë se përcaktimi që ndryshimet kushtetuese të bëhen me votat e dy të tretat e të gjithë deputetëve dhe me dy të tretat e deputetëve nga pakicat paraqet problem të madh për Kosovën, pasi Serbia do t’i pengojë shumë procese jetike. “Pasojat po i shohim edhe do t’i shohim edhe në të ardhmen sepse Lista Serbe është ‘Kali i Trojës’, pra përmes kësaj të fundit Serbia po hyn si faktor në vendimmarrjet tona, ata me asnjë ligj që është në dobi të shtetit të Kosovës nuk do të pajtohen dhe me të gjitha mjetet e mundshme do të mundohen që ta bëjnë shtetin e Kosovës jofunksional”, është shprehur Islami.
Më tej ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht për formimin e ushtrisë, megjithëse, sipas tij, kjo do të jetë një sfidë për Kosovën.
“Por duhet të bëhet e pamundura e mundur dhe sa më parë Kosova të bëhet me ushtri të rregullt. Jemi dëshmitarë se vendet e Ballkanit e kanë filluar në heshtje garën e armatimit, prandaj Kosova sa më shpejt që të jetë e mundur të bëhet me ushtri funksionale e madje duke pasur miqtë tanë ndërkombëtarë dhe ushtrinë e NATO-s këtu, duhet t’i marrin përvojat e saj dhe të jemi jo vetëm në funksion të mbrojtës së atdheut, por edhe në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare”, ka shtuar Islami.