Berisha: Nuk mund të ndërtohet një Asociacion serb i cili komandohet nga Beogradi
Foto: Laura Hasani

Berisha: Nuk mund të ndërtohet një Asociacion serb i cili komandohet nga Beogradi

Aktuale April 08, 2024 - 23:37

Ish-0Ambasadori i Shqipërisë në Britani të Madhe, Mal Berisha, tha se kurrë nuk duhet të ndërtohet një Asociacion i Komunave me Shumicë serbe në Kosovë i cili komandohet nga Beogradi.

 Berisha tha se një gjë e tillë e kthen Kosovën pastaj në një zonë jofunksionale.

“Kurrë, në asnjë mënyrë për mendimin tim, nuk mund të ndërtohet një Asociacion serb i cili komandohet ose telekomandohet nga Beogradi sepse kjo pastaj do të krijoj një enklavë destruktive e cila e kthen Kosovën në një zonë disfunksionale”, tha Berisha.

I pyetur nëse sheh rrezik nga drafti i propozuar nga evropianët për Asociacionin, ish-Ambasadori Berisha tha se një Asociacion i tillë ka rrezik ta ndaj Kosovën mes për mes.

“Unë shoh që ka një prirje, nuk po e them tendencë ose dëshirë për t’i dhënë diçka dikujt që t’i bëhet qejfi që pastaj të tërhiqet drejt vetvetes dhe kjo për mendimin tim është në dëm të Kosovës. Natyrisht thash, përpara duhen respektuar miqtë, duhen respektuar ata të cilët na kanë ndihmuar për t’u çliruar por deri në atë masën kur ata nuk cenojnë dokumentet që ata vet i kanë prodhuar. Nuk mund të thuash që Marrëveshja e Kumanovës, nuk mund të thuash që Gjykata e Hagës, nuk mund të thuash se Plani i Ahtisarit janë një produkt sektar i dikujt, pa dëshirën e dikujt tjetër. Kjo është bota perëndimore, Bashkimi Evropian. Pavarësisht 5 shteteve që nuk e njohin Kosovën, SHBA, Aleanca e Atlantikut Verior, janë ata të cilët në fakt e kanë dizajnuar, e kanë formësuar shtetin e Kosovës dhe në qoftë se pastaj këtu futet ai shiriti që vjen prej Mitrovicës e shkon deri në Kamenicë dhe e ndan Kosovën në një shirit mesor dhe i bënë njëfarë mase diskfunksional që pastaj e bllokon rrugët dhe e bënë shtetin të pafunksionueshëm, ky lloj Asociacioni është i papranueshëm. Ky tjetri i bashkëpunimit shoqatave, mundësive arsimore, kulturore, shkëmbimeve që kanë ata njerëz mes njëri-tjetrit, duhet të ekzistoj sepse ata kanë dëshirë të kenë jetën e tyre të jenë të lirë”, u shpreh Berisha./teve1