Hapet konkursi për 1500 specializantë të mjekësisë
Foto: Laura Hasani

Hapet konkursi për 1500 specializantë të mjekësisë

Aktuale October 05, 2020 - 11:54

Rreth 1500 specializantë pritet t’u bashkohen institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, duke theksuar se me angazhimin e 1500 specializantëve nëpër institucione publike shëndetësore qëllimi është që asnjë mjek në Kosovë të mos jetë jashtë institucioneve publike, transmeton “Zeri.info”.

“Sot dëshirojmë t’ju njoftojmë me planin e ri, dinamikën e re, të cilën e kemi zhvilluar dhe hapësirën e krijuar nga Bordi për Shkollim Specialistik dhe vlerësimi ynë i përbashkët gjithmonë, duke marrë parasysh nevojat elementare që kanë mjekët e rinj, është t’i përfshijmë të gjithë në procesin e specializimit. Të gjithë aplikantët që i plotësojnë kushtet, të bëhet e ditur se Kosova dhe institucionet e saj do të shtojnë këtë numër dhe përafërsisht 1 mijë e 500 specializantë do t’u bashkëngjiten kolegëve të tyre në nivelin tonë shëndetësor, duke përfshirë dhe mbuluar të gjitha nevojat imediate që i hodhi në pah edhe pandemia. Të mos kemi ikje të mjekëve, të cilët me mundin dhe sakrificën e prindërve të tyre janë shkolluar dhe angazhuar dhe ne duhet të kujdesemi për ta”, tha Zemaj në një konferencë për media.

Në lidhje me situatën epidemiologjike në vend Zemaj tha se ajo është e mirë, por kjo nuk do të thotë se duhet të anashkalohen masat.

“Jemi në një situatë të mirë, por kjo nuk do të thotë se duhet të kalojë në anashkalim të masave, ne jemi duke u përgatitur në dy aspekte: e para infrastruktura dhe e dyta kapacitetet humane dhe mbi të gjitha për testime, barna dhe pjesë tjera, që janë në përfundim e sipër”, ka theksuar Zemaj. /Zëri