Baraliu: Qeveria “Hoti” vështirë se do të ketë qëndrueshmëri afatgjate
Foto: Laura Hasani

Baraliu: Qeveria “Hoti” vështirë se do të ketë qëndrueshmëri afatgjate

Aktuale May 29, 2020 - 15:19

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë mbrëmë vendimin final në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për qeverinë e re, vendim ky i cili ngjalli pakënaqësi te partia që po qeveris me vendin, Lëvizja Vetëvendosje, dhe te përkrahësit e saj.

Vendimi i kësaj gjykate u mor në favor të presidentit të vendit, i cili edhe sot gjatë ditës është shprehur i sigurt që nuk ka shkelur ligjet e Kushtetutës dhe se ka vepruar në përputhje në lidhje me mandatarin.

Në lidhje me këtë çështje profesori universitar, si dhe njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Mazllum Baraliu, ka thënë edhe përkundër që ende nuk kanë parë në tërësi vendimin, nga ajo çfarë u është shërbyer ka arritur të kuptojë që ky vendim sa është konfuz, është po aq edhe kontradiktor.

Por, sipas tij, është vendim që duhet të pranohet dhe të zbatohet.

“Ende nuk e kemi parë të tërin, por nga ajo që kemi marrë nga mediet, rezulton si duket të jetë një vendim sa konfuz, aq edhe kontradiktor dhe i paprecedentë deri më tani. Sido që të jetë, duhet pranuar dhe zbatuar edhe si të tillë”, ka thënë Baraliu për “Zërin”.

Tutje, ai tha se edhe nëse formohet qeveria “Hoti”, nuk ka siguri që do të marrë përkrahje dhe besim të gjerë ose të jetë afatgjate.

“Edhe nëse sigurohen votat, kjo qeveri nuk pritet të sigurojë besim e as përkrahje të duhur e të gjerë dhe as stabilitet e qëndrueshmëri afatgjate”, tha më tutje Baraliu për “Zërin”.

Për qeverinë “Hoti” njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Mazllum Baraliu, po ashtu thotë se do të ketë presione të shumta si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda vendit.

Ndaj, sipas tij, edhe qeveria edhe vendi ynë do të përballen me sfida të shumta.

“Pas këtij vendimi mund të kalojë kohë për koncentrim dhe veprim të kësaj qeverie multicentriste dhe jokohezive, e cila do të përballet me presione dhe kërkesa sa nga jashtë, aq edhe nga brenda. Edhe ajo, edhe ne si Kosovë do të kemi sfida”, u shpreh profesori universitar, Mazllum Baraliu. /Zëri