Qehaja: S’ka vullnet politik për ta përmirësuar gjendjen në arsim
Foto: Laura Hasani

Qehaja: S’ka vullnet politik për ta përmirësuar gjendjen në arsim

Aktuale March 09, 2020 - 15:10
Cilësia e sistemit arsimor në vend po vlerësohet se është e cunguar. Për t’u përmirësuar kjo gjendje sipas njohësve të arsimit është duke munguar vullneti politik, teksa theksojnë se Ministria e Arsimit, në krye me Hykmete Bajramin, duhet të përqendrohet te dështimet e ministrive të kaluara

Drejtori ekzekutiv i organizatës që merret me arsim “Ed Guard”, Rinor Qehaja, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka folur rreth gjendjes kaotike në sistemin arsimor në vend. Duke diskutuar për dështimin në Testin PISA, si dhe për përjashtimin e Kosovës nga organizata ENQA e EQAR, Qehaja theksoi se i gjithë problemi në sistemin arsimor është i ndërlidhur me mungesën e llogaridhënies dhe të përgjegjësisë. Sipas tij, cilësia në arsim është e cunguar, teksa ka potencuar që ka mungesë të vullnetit politik për ta përmirësuar këtë situatë. Qehaja thotë se duhet sa më parë të ketë një rregull për kontrollim të përgjegjësisë brenda vetë institucioneve të arsimit, ndërsa e ka cilësuar si të padrejtë faktin që i gjithë fokusi për cilësinë në arsim është kthyer tek arsimi i lartë, duke u anashkaluar krejt arsimi parafillor, arsimi parashkollor dhe nivelet e tjera të shkollimit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zëri: Ku qëndron sipas jush shkaku për këtë gjendje tek arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë. Në kontekst të kësaj, në cilin nivel të arsimit dominon gjendja më e keqe?

Qehaja: Unë vlerësoj se shumë padrejtësisht i gjithë fokusi për cilësinë në arsim është kthyer tek arsimi i lartë, duke u anashkaluar krejt arsimi parafillor, arsimi parashkollor dhe mbi të gjitha edhe cilësia në proces të mësimdhënies. Rikujtoj se gjithçka kthehet në përqendrimin dhe cilësinë në mësimdhënie të vet mësimdhënësve. Derisa ne ta përqendrojmë debatin në diçka tjetër, atëherë edhe kërkesa për cilësi do të jetë jo e arsyeshme, pasi në fund të ditës suksesi i nxënësve në shkollat tona vjen nga suksesi i procesit mësimor nga mësimdhënësit tanë.

Zëri: Si e shpjegoni ngathtësinë e spektrit politik dhe të vendimmarrësve për t’u përqendruar më shumë te tejkalimi i kësaj gjendjeje në arsim?

Qehaja: Ajo çfarë mungon në sistemin arsimor është vullneti politik për ta ndryshuar situatën, në të cilën gjendemi. Sistemi arsimor gjithherë është përdorur nga politika për përfitime elektorale dhe nëse rikthehemi ta analizojmë çfarëdo fushate elektorale na bën këtë shumë lehtë të dëshmueshme. Pra i vetmi premtim për sistemin arsimor është ai për rritje pagash dhe për sistemimin në punë dhe asnjëherë për rritje të cilësisë e të llogaridhënies. Përderisa nuk ndërron ky diskurs, pra të mos rikthehet vullneti politik për një ristrukturim të orientuar në cilësi, atëherë edhe rezultatet do të jenë vështirë të arritshme./ZERI