Kërkohet konsolidimi i shpejtë i institucioneve

Kërkohet konsolidimi i shpejtë i institucioneve

Aktuale February 07, 2020 - 08:27
Image

Ambasadorë të shumtë në Kosovë edhe gjatë ditës së djeshme kanë takuar shefin e ekzekutivit dhe atë të legjislativit. Duke u dhënë mbështetje në përgjegjësitë që kanë marrë, diplomatët kërkojnë nga qeveritarët të punojnë fort për konsolidimin e institucioneve të Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

Ditën e katërt si kryeministër i Kosovës Albin Kurti e nisi me takime me disa diplomatë në Kosovë. Në zyrën e tij Kurti priti ambasadorin e Austrisë në Kosovë Christoph Weidingerin, shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë Jean-Louis Servaisin dhe më pas edhe ambasadorin e Italisë në Kosovë Nicola Orlandon. Njësoj takime me ambasadorë në mbyllje të ditës pati edhe kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani.

Në ndërtesën e Kuvendit Osmani priti në takim ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barišië, dhe ambasadorin e OSBE-së, Jan Braathu. Takime me anëtarët e kabinetit qeveritar pati edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Heldt ka takuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitinë, ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliun dhe ministrin e Mbrojtjes Anton Qunin, të cilët i ka uruar për pozitat e reja që kanë marrë, ku ai ka konfirmuar edhe një herë se Gjermania do të vazhdojë të mbetet një prej mbështetësve kryesorë në vazhdimin e forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme kryeministri Albin Kurti ka emëruar Xhelal Sveçlën si zëvendësministrin e parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike.

Kuvendi i Kosovës pritet t’i ketë 14 komisione parlamentare

Kryeparlamentarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme mbajti mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit pas marrjes së mandatit. Në këtë mbledhje Kryesia diskutoi për seancat plenare dhe për krijimin e komisioneve parlamentare, që ndryshe nga legjislatura e kaluar, e cila i ka pasur 16 komisione, kësaj here do të jenë 14, shkruan tutje "Zëri".

“U pajtuam me Kryesinë e Kuvendit që t’i kemi 14 komisione parlamentare, që do t’i mbikëqyrin ministritë e caktuara. U pajtuam që në mbledhjen e radhës, e cila do të mbahet të hënën, ta votojmë edhe formulën e ndarjes së komisioneve”, ka thënë kryetarja e legjislativit.

Kjo mbledhje u bojkotua nga Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij ka bojkotuar mbledhjen e Kryesisë për shkak të veprimit të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila kishte zhvendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçit nga zyra e saj.

Konjufca kërkon ndihmë nga Austria për ta ndalur fushatën e Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, të enjten ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, për dialogun, për liberalizimin e vizave dhe për marrëdhëniet dypalëshe. Përmes një komunikate për medie MPJ-ja ka bërë të ditur se ministri Konjufca ka kërkuar nga ambasadori Weidinger që Vjena zyrtare të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në ndaljen e fushatës së Serbisë për të ashtuquajturën çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Duke folur për dialogun, ministri Konjufca tha se do të bëhet vlerësimi i të gjitha marrëveshjeve të deritashme në dialogun Kosovë – Serbi dhe se qeveria e re do të kërkojë konsensus të gjerë dhe pajtueshmëri të spektrit politik për të vazhduar më tutje.

Sipas njoftimit, ambasadori austriak ka premtuar mbështetjen e gjithmbarshme të Austrisë për proceset e rëndësishme për popullin e Kosovës, duke përfshirë edhe votën pro për liberalizimin e vizave.

Dy ministrat e rinj pranojnë detyrën

Ministrja e re e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, dje ka pranuar zyrtarisht detyrën e ministres nga tre ish-ministra, duke qenë se në programin e qeverisë “Kurti” është paraparë që tri ministri të shkrihen në një të vetme. Pra detyrën e ministrit te Hajdari dje e kanë dorëzuar Valdrin Lluka, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, Endrit Shala, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe Skënder Reçica, ish-ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale.

Gjatë së enjtes edhe Blerim Reka e ka pranuar zyrtarisht detyrën e ministrit të Integrimit Evropian nga ish-ministrja Dhurata Hoxha. Reka derisa pohoi se rruga deri te integrimi është e gjatë, u zotua për transparencë dhe për llogaridhënie maksimale gjatë punës së tij në këtë dikaster qeveritar, shkruan gazeta "Zëri".

Në Podujevë pritet të shpallen zgjedhjet

Pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës Ministria e Administrimit dhe e Pushtetit Lokal e ka njoftuar presidentin për dorëheqjen e tij. Sipas MAPL-së, tash mbetet në dorë të presidentit që t’i shpallë zgjedhjet e reja. “Ju njoftojmë se dorëheqjen e kemi pranuar dhe sot ministrja e MAPL-së Emilia Rexhepi e ka informuar presidentin”, ka njoftuar MAPL-ja.

Ndërsa nga zyra e presidentit kanë theksuar se sipas legjislacionit në fuqi do të merren edhe hapat drejt zgjedhjeve të reja në Podujevë. “Pas kompletimit të KQZ-së, sapo ta pranojmë njoftimin zyrtar, brenda afatit ligjor do të ndërmerren të gjithë hapat tjerë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentit.

Veliu ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit për shkak të zgjedhjes së tij si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike në qeverinë e Albin Kurtit./ZËRI