Vllasi: Marrëveshjet me Serbinë të mos nënshkruhen pa u aprovuar në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Vllasi: Marrëveshjet me Serbinë të mos nënshkruhen pa u aprovuar në Kuvend

Aktuale February 05, 2020 - 08:31
Image

Ndonëse faza finale e procesit të dialogut, prej fillimit, është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, avokati Azem Vllasi gjatë një interviste për “Zërin” ka konsideruar se negociatat tash e tutje duhet të udhëhiqen nga një ekip, ku kryeministri bashkëvepron me presidentin. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova shkon në bisedime me një strategji të mirëfilltë dhe nuk lejon që asnjë marrëveshje të nënshkruhet pa u aprovuar paraprakisht në Kuvend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Tërësia territoriale, kufijtë e caktuar, sistemi i rregulluar i brendshëm dhe rendi kushtetues janë katër pika që e përbëjnë një shtet, për të cilat nuk duhet as të diskutohet me Serbinë në procesin e negociatave. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri” avokati i njohur Azem Vllasi, i cili ka thënë se deri tash dialogu ka shkuar vetëm në favor të Serbisë, pasi pala kosovare ka rrëshqitur në tema të brendshme të vendit, nga të cilat, siç është shprehur ai, më e keqja ka qenë Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Teksa ka komentuar paralajmërimet për kompromis të dhimbshëm Kosovë - Serbi, Vllasi ka thënë se pala serbe duhet të sqarojë se çka nënkupton me "zgjidhje kompromisi", pasi duhet të dihet qartazi që nuk mund të ketë kompromis për statusin shtetëror të Kosovës. Ndonëse faza finale e procesit të dialogut, prej fillimit, është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, avokati Azem Vllasi ka konsideruar se negociatat tash e tutje duhet të udhëhiqen nga një ekip, ku kryeministri bashkëvepron me presidentin. Në këtë mënyrë, siç ka shtuar ai, Kosova shkon në bisedime me një strategji të mirëfilltë dhe nuk lejon që asnjë marrëveshje të nënshkruhet pa u aprovuar paraprakisht në Kuvend.

Me Serbinë të mos diskutohet për çështje të brendshme

Zëri: Keni pasur një pikëpamje interesante rreth dialogut Kosovë - Serbi, sidomos rreth katër çështjeve, për të cilat, sipas jush, nuk duhet biseduar në asnjë mënyrë në dialogun e pritshëm. Në këtë kontekst, a është e përgatitur politikisht dhe intelektualisht Kosova (ekipi, përfaqësuesit e vendit në këtë dialog) për t’i refuzuar këto tema?

Vllasi: Shtet quhet vendi i cili posedon: tërësinë territoriale me popullatë; kufijtë e caktuar; sistemin e rregulluar të brendshëm dhe rendin kushtetues; brenda territorit posedon me resurset e veta. Të gjitha këto Kosova i ka dhe si shtet të tillë e kanë pranuar mbi 110 shtete tjera, ndër të cilat edhe ato më të rëndësishmet e demokracisë perëndimore. Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka pas parasysh Kosovën si shtet të tillë kur ka nxjerrë vlerësimin në vitin 2012 se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS-së së KB-së, në përgjigjen e kërkesës së Serbisë për t’u vlerësuar legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë nga këto dy baza. Asnjë shtet nuk bisedon me shtetin tjetër ose me askënd tjetër për këto katër elemente bazike, që e bëjnë shtetin. Bisedat për bërjen e shtetit kanë përfunduar në Vjenë më 2007-n, para se të shpallet pavarësia. Pala kosovare këto fakte deri tani nuk i ka shfrytëzuar as mirë, as mjaftueshëm. Më shumë në Prishtinë ka pasur konfrontime të brendshme lidhur me dialogun me Serbinë sesa debat konstruktiv për dialog.

Zëri: Me gjithë faktet e pakontestueshme për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, autoritetet zyrtare të vendit pa shumë rezistencë e pranuan dialogun politik ose më konkretisht pranuan të bisedohet për çështjet, të cilat sipas jush dhe thuajse shumicës absolute të kosovarëve nuk do të duhej të jenë tema për dialog. Çka na pret nëse prapë hapen këto çështje?

Vllasi: Pasi u shpall pavarësia e Kosovës si shtet Këshilli i Sigurimit i KB-së ia përcolli Unionit Evropian kompetencat për të ndërmjetuar një dialog në mes të Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e raporteve të ndërsjella. Jo për status, ngase puna e statusit ishte e kryer. Bisedat nisën për disa çështje konkrete, madje u arritën edhe disa marrëveshje, që ishte mirë. Por nga faji dhe nga mosdija e palës kosovare procesi i dialogut rrëshqiti në biseda për punë të brendshme të Kosovës. Më e keqja ishte Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ngase kjo ishte çështje e brendshme e Kosovës, sepse bëhej fjalë për komuna të Kosovës. Një Asociacion i tillë ishte i paraparë edhe me Planin e Ahtisaarit si formë e bashkëpunimit të këtyre komunave për disa çështje me interes specifik të tyre, por jo si çështje për një marrëveshje me shtetin tjetër të Serbisë. Prej këtu pala serbe u trimërua se mund të bisedohet edhe për tema tjera të brendshme të Kosovës. Disi ajo kaloi në ofensivë, ne në huti dhe defensivë.

Pala serbe të sqarojë çka nënkupton me “zgjidhje kompromisi”

Zeri: Sipas jush, në çfarë mënyre do të ndaleshin këto tema për t’u dialoguar me Serbinë?

Vllasi: Pala serbe vazhdimisht përsërit një frazë se ajo qenka për një "zgjidhje me kompromis, ku duhet të dyja palët të fitojnë nga diçka e jo vetëm pala shqiptare". Por kurrë nuk konkretizon se çka nënkupton me këtë. Madje ndërmjetësuesit ndërkombëtarë lënë përshtypje se ajo qenka konstruktive, ngase angazhohet për kompromis. Dalëngadalë e ka imponuar edhe bindjen se me dialog ajo po kërkon zgjidhje për çështjen e Kosovës, thuajse statusi i saj nuk qenka i zgjidhur. Madje përdoret edhe termi "për zgjidhjen e problemit të Kosovës". Nga pala kosovare asnjëherë nuk pati qëndrim decidiv se për çka mund të bisedohet e për çka jo. Pala kosovare pa hezitim duhet të insistojë se kështu nuk ka kuptim të bisedohet. Kosova as nuk është çështje e pazgjidhur, as nuk është problem. Kosova do normalizim të raporteve ndërshtetërore në interes të përbashkët. Pala serbe duhet të sqarohet se çka nënkupton si "zgjidhje me kompromis" për t'ua bërë me dije se kompromis nuk ka për statusin shtetëror të Kosovës dhe katër elementet e cekura që e bëjnë shtet. Askush prej ndërkombëtarëve nuk kërkon të bëjmë kompromise lidhur me statusin e Kosovës si shtet, por nëse nuk jemi të qartë, gjithnjë për këtë lëmë përshtypje se jemi për kompromis. Duke u nisur nga kjo, nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dëgjojmë se ata nuk ofrojnë zgjidhje dhe se do të pranojnë zgjidhje për të cilën të dyja palët dakordohen.

Zeri: Më konkretisht, a është duke u preokupuar dhe duke u përgatitur Kosova (autoritetet politike, komuniteti akademik, intelektualët) për dialogun e pritshëm, pra për të mos i shtruar në tavolinën e bisedimeve katër çështjet e apostrofuara nga ju?

Vllasi: Nëse mbahen të qarta vijat e kuqe, përtej të cilave dialogu nuk mund të dalë, puna nuk është edhe aq e vështirë. Ne jemi në përparësi, ngase nga konflikti që kishim ne ishim palë e dëmtuara, kurse Serbia shkaktare e dëmit. Tani mund të bisedojmë dhe të bëjmë marrëveshje vetëm për hesapet e pazgjidhura: prej dëmeve të luftës, borxheve financiare reciproke, tregtinë e lirë, çështjet pronësore, fatin e të pagjeturve nga koha e luftës e shumë të tjera, deri te njohja reciproke si shtete. Pa marrë parasysh retorikën publike të palës serbe, secili në Serbi, prej Vuçiqit e deri te qytetari i fundit intimisht e di se puna e Kosovës është e kryer, Kosova është shtet i pavarur dhe s’ka asnjë mënyrë të rikthehet përbrenda Serbisë. Madje as që e do Serbia, ngase raportet kanë ndryshuar radikalisht dhe pakthyeshëm. Ajo vetëm do që të na dëmtojë aq sa mundet dhe që ne me sjelljet tona e mundësojmë dhe i lejojmë. Çështja e ndryshimit të kufijve ose e territoreve duhet të jete temë e harruar. Ngase ajo veç sa na shtyn në probleme të reja dhe të pafundme. Kur të kemi njohje reciproke, sipas nevojës, dy shtete që e njohin njëra-tjetrën mund të merren vesh edhe për ndonjë korrigjim të vogël të kufijve, sipas nevojës dhe interesit të dyanshëm. Por tani ajo nuk është temë.

Zëri: Sipas jush, kush duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, çfarë ekipi dhe në çfarë përbërjeje?

Vllasi: Me rëndësi është të ketë një ekip të mirë profesionalisht dhe politikisht kompetent, i koordinuar në mes të kabinetit të presidentit dhe kryeministrit, i përbashkët. Aty duhet të bëhen përgatitjet mirë e në hollësi dhe të definohet strategjia. Po të ishte si duhet kryeministri dhe presidenti i vendit duhet të bashkëpunojnë ngushtë e mirë për çështjen e dialogut me Serbinë. Bisedat me Serbinë në Bruksel duhet t’i udhëheqë ai për të cilin vendos Qeveria - presidenti ose kryeministri. Por askush në Bruksel nuk mund të aprovojë e as të nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje pa u aprovua nga Qeveria dhe vetë Kuvendi. Mendoj se pala kosovare, posa të vazhdojë dialogu, të dalë me një propozim konkret për draftin e Marrëveshjes. Përveç temave dhe çështjeve tjera konkrete, gjithsesi marrëveshja finale do të rezultojë me njohje reciproke. Ky duhet të jetë pozicioni ynë.

Me Serbinë do të jetë i vështirë jetësimi i marrëveshjeve për çështjen e komunikacionit

Zëri: A mund të jenë funksionale marrëveshjet e fundit Kosovë - Serbi, të ndërmjetësuara nga ambasadori Grenelli, kur sipas informacioneve gjysmake ato në njëfarë mënyre i ka pranuar me entuziazëm vetëm pala politike kosovare?

Vllasi: Propozimi i ambasadorit Grenellit është i mirë për neve, ngase vjen nga shteti i rëndësishëm, i cili e njeh Kosovën si shtet dhe insiston në zgjidhje të çështjeve praktike jetike për dy vende. Ndonëse këto dy çështje (linja ajrore dhe hekurudhore) nuk kanë ndonjë peshë të madhe. Si zakonisht me Serbinë do të ketë probleme në jetësimin e tyre. Gjatë procedurave për jetësimin e tyre, nëse nuk sheh ndonjë interes konkret të madh, Serbia do t'i bishtnojë. Ndonëse çështja e komunikacionit (tokësor, ajror, hekurudhor) duhet të jetë një pikë konkrete e marrëveshjes finale, për të cilën synohet në dialog.

Zëri: Si do ta komentonit deklaratën e Carl Bildit, ku diplomati suedez shprehet se “këto marrëveshje me ëndje do t’i pranonte edhe Millosheviqi”. Kaq të disfavorshme do të jenë për Kosovën?

Vllasi: Millosheviqi do të preferonte marrëveshje të tilla, ama gjithnjë duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë. Nga ky aspekt Karl Bilti ka të drejtë. Por situata është radikalisht ndryshe, ngase tani Kosova është shtet dhe këtu bëhet fjalë për marrëveshje mes dy shteteve. Madje në mungesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë marrëveshje të tilla parciale pikërisht të iniciuara nga Amerika janë të mira. Mund të kuptohen se për Amerikën Kosova është shtet sikur edhe Serbia dhe këto dy vende duhet të lidhin marrëveshje në interes reciprok të të dyja vendeve dhe të qytetarëve të tyre.

Zëri: Si njohës i rrethanave politike në rajon, si e vlerësoni agresivitetin diplomatik serb karshi Kosovës dhe në anën tjetër defensivën totale të diplomacisë kosovare për ta sfiduar sado pak Serbinë në këtë plan?

Vllasi: Agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës nuk duhet ta befasojë askënd. Me Serbinë nuk do të kemi marrëdhënie normale edhe për së paku 20 vjet. Por ne duhet t'i kryejmë punët tona më mirë. Aktiviteti ynë ndërkombëtar për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në kundërvënie agresivitetit të Serbisë është i dobët. Nuk mendoj se kjo është vetëm punë e Ministrisë së Jashtme, por e gjithë krerëve shtetërorë. Do të dëshironim që Serbia ta njahë Kosovën si shtet. Por pa iluzion se Serbia edhe në rast të njohjes do ta ndalë fushatën armiqësore kundër Kosovës. Serbia e ka njohur Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, por kundër këtyre dy shteteve nuk e ndal fare veprimtarinë rrënuese dhe armiqësore. Kundër Malit të Zi si shtet dhe malazezëve si komb e kundër Bosnjë e Hercegovinës duke e përkrahur entitetin serb në aktivitetin rrënues për zhbërjen e këtij shteti. Ne nuk duhet të krijojmë bindje te pala serbe e as te faktorët ndërkombëtarë të lëmë përshtypje se njohja nga ana e Serbisë për neve është diçka jetike. Kosova nuk do të jetë as më shumë e as më pak shtet nëse e njeh ose jo Serbia. Serbia nuk na pengon që shtetin tonë Kosovën përbrenda ta bëjmë shtet funksional, normal me standarde demokratike evropiane e as fakti se momentalisht nuk jemi shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara ose disa organizatave ndërkombëtare, nuk është me rëndësi jetësore. Një ditë do të bëhemi. Perspektiva dhe fati ynë gjithmonë në mënyrë vendimtare varen nga ne vetë e jo nga njohja nga Serbia ose nga sjelljet armiqësore të saj kundër shtetit tonë.